Letërsi

“Hijet e muzgut” i Arben Kallamatës, një roman unikal në llojin e vet - Nga Genc Tirana

Nga: Genc Tirana

Romani “Hijet e Muzgut” hedh një vështrim të hollësishëm në zanafillën e historisë së njerëzimit, e pikërisht në planin më të qenësishëm të saj që është formimi i ideve dhe besimit. Zigzaget e shoqërisë njerëzore janë dëshmi e frenimeve të herëpashershme të zhvillimit. Këto janë shkaktuar shumë herë nga imponimi i një besimi të vetëm nxitur nga interesa të caktuara, gjë që shtjellohet me mjeshtëri në këtë libër.

Monoteizmi, si doktrinë apo besim, që kufizohet vetëm në ekzistencën e një Zoti, ndrydhi për shekuj me radhë iniciativën dhe idetë përparimtare të shoqërisë njerëzore. Kjo dramë e shtyn autorin e këtij romani, Arben Kallamata, të hulumtojë faktorët në një spektër të gjerë social, ekonomik e filozofik për të shpjeguar zanafillën e fesë dhe të nxisë fantazinë e lexuesit në pyetje si: Cilat ishin konfliktet dhe interesat që sollën krijimin e një feje të vetme? Si u konsolidua dogma në doktrinë e më tej në një ideologji sunduese?

Nuk është rastësi që Kallamata vjen në botën letrare me një botimi të tillë. Ne jemi dëshmitarë të çoroditjes dhe shpërfilljes së ideve të opinionit publik dhe të lexuesit tonë në lidhje me fenë. Propaganda represive kundër besimeve fetare gjatë periudhës së diktaturës krijoi një vakum artificial që u mbush më shpejt se ç’duhej në mënyrë kaotike gjatë tranzicionit të lodhshëm që shoqëria shqiptare po kalon në këto dekadat e fundit.

Arben Kallamata, si gazetar dhe autor i dhjetra artikujve dhe punimeve letrare në shtypin e përditshëm, mediat sociale dhe në blog-un e tij, prej vitesh e ka vënë theksin në çështjen e asfiksimit të mendimit të lirë e të diversitetit të ideve nën peshën e fesë si ideologji sunduese. Kësaj radhe me romanin “Hijet e Muzgut” ai vjen përpara lexuesve me një analizë shumë më të gjerë e të plotë duke naviguar në historinë e kontinentit Europian në periudhën e Perandorisë Romake për të gjetur argumenta bindëse që provojnë tezën e tij.

Libri “Hijet e Muzgut” në tërë strukturën e tij është bazuar në paraqitjen e historisë së njerëzimit qysh në fillimet e krijimit të shoqërisë. Veçse autori nuk ka zgjedhur paraqitjen konvencionale të historisë. Ai nuk ndjek verbërisht atë që besohet se ka ndodhur dhe nuk i paraqet ngjarjet nëpërmjet një kronologjie strikte dhe as nuk citon kronika apo kujtime kronikanësh. Në libër personazhet dhe faktet reale historike janë shkrirë natyrshëm në një krijimin letrar dhe artistik me figura dhe ngjarje të tjera imagjinare siç ndodh rëndom në letërsi. Shtrirja kohore e ngjarjeve këtu prek periudhën qysh nga krijimi i njeriut të parë nga Zoti, pasqyruar me sarkazëm në roman, e deri në shkëlqimin e fundit të Perandorisë Romake në prag të Mesjetës ku feja kristiane u instalua si ideologji sunduese.

Në qendrën e ngjarjeve në libër është vendosur udhëtimi deri në Siri, Palestinë dhe Jerusalem i Helena Augusta, nënës së perandorit romak, Konstandini i Madh, e cila ndërmorri iniciativën për të përhapur krishtërimin në skajet më të largëta të perandorisë. Së bashku me të në këtë udhëtim bashkëveprojnë dhjetra personazhe historike si vetë perandori Kostandin, Eusebio, fisnik e prift romak, etj. etj, ku më shumë spikat dukshëm figura e Afërditës. Kjo e fundit personifikon në roman qëndrimin opozitar ndaj një misioni që në themel ka shkatërrimin e qyetetërimit dhe vendosjen e represionit fetar.

Në kapituj dhe seksione të ndryshme të librit rrëfimi rreth këtij udhëtimi ndërpritet dhe vazhdon sërish duke sjellë në retrospektivë plot ngjarje te tjera.  Në roman një vend të dukshëm ze krijimi i njerëzimit në variantin fetar si dhe variante të tjera, që autori i përshkruan me sarkazëm për të lënë të kuptohet më mirë kotësia e tezave imagjinare të ekzistencës e krijimit. Krahas tezës biblike që Zoti krijoi Adamin dhe e vendosi atë në Parajsë në kopshtin e Edenit, në libër thuhet se Zoti krijoi një tjetër person, Qygj diku në Ballkan në kopshtin e S’Edinit.

Në dinamikën e rritjes së shoqërisë njerëzore autori ravijëzon lindjen së bashku me njeriun edhe të veseve që e shoqëruan atë. Mashtrimi, përfitimi nga puna e tjetrit, vjedhja, përdhunimi, dhe më pas ngritja krye e ineresave të kundërta, shtrirja dhe pushtimet territoriale, konfliktet dhe luftrat janë përshkruar në libër mjaft mirë. Ky kontradiksion mes së mirës e së keqes është përdorur me vend si argument që një gjë jo e përkryer nuk ka si të jetë krijesë e Zotit me të cilën aq më pak mund të mburresh. “Asnjë nga librat e shenjtë nuk jep sqarime të hollësishme rreth natyrës së lidhjeve të gjarpërit me Zotin” shkruan autori në libër duke ironizuar legjendën biblike që Zoti e ndaloi Evën të hajë frutin e ndaluar, që në vetëvete është zanafilla e privimit, kufizimit dhe ndrydhjes së veprimtarisë njerëzore.

Në ngjarjet dhe shtjellimet në roman autori pozicionohet hapur kundër ndjenjës së hakmarrjes. Ai mban qendrim pothuaj pacifist duke konsideruar çdo dhunë, përfshirë dhe luftën, si të pajustifikueshme në çfarëdo rrethane kur njerëzit mund të kërkojnë dhe gjejnë zgjidhje paqësore të konflikteve. “Siç na dogjën, do t’i djegim”, është shprehje hakmarrëse e artikuluar me dhjetra herë në roman me ngarkesë negative për lexuesin nga shumë prej personazheve përfshirë dhe Helenën gjatë rrugëtimit të saj religjioz.

Gati si një novelë brenda romanit është paraqituar beteja e Piros së Epirit kundër Romës. Autori e quan këtë personazh historik, Pirroja i Madh i të Pirit, duke ironizuar me veset e mbretit. Fitorja e tij mbeti pa lavdi për faktin që Epiri humbi pjesën më të madhe të ushtrisë dhe nga historia dihet që më tutje ajo që mbahet mend më shumë është vetëm shprehja “Fitore si e Piros”. Në kontekstin e subjektit të romanit përshkrimi i kësaj beteje dhe fundi pa lavdi i sajë është lidhur organikisht me një seri ngjarjesh të tjera që të marra së bashku hedhin dritë mbi lindjen e fesë së krishtërimit.

Nëpërmjet një serie personazhesh me emra komikë si Grepi i Parë, Lenka e Bukur e Virgjër e Tepelenës, etj, etj, me të cilët lexuesit mund të dëfrehen padyshim, paraqitet një melodramë e tërë me nota tragji-komike që shpjegon se si lindi dhe si u konsolidua doktrina dhe ideologjia që do sundonte më vonë. Në katakombet e Romës, Lenka në marrëdhënie me personazhe të tjerë, e dhënë pas shthurjes morale mbetet shtatzënë. Për të justifikuar bëmat e saj ajo pretendon lindjen imakulare, pra mbarsjen e virgjëreshës me frymën e shenjtë, gjë me të cilën autori aludon dukshëm historinë e Shën Mërisë ku zuri fillë embrioni i doktrinës.

Më tej plot personazhe të tjerë të shthurur në katakombe së bashku me sunduesit pa lavdi në Romë gatuan teorikisht doktrinën duke vendosur monoteizmin mbi politeizmin. Pra në të gjitha linjat e romanit, si në përshkrimin e udhëtimit të Helenës ashhtu dhe në përshkrimet e fantazisë së sëmurë dhe qëllimeve të caktuara që gatuheshin në kuzhinën religjioze të perandorisë romake jepet në mënyrë të detajuar se si monoteizmi ishte i vetmi mjet për të kontrolluar më mirë idetë e njerëzve.

Përderisa ky roman është tejet i shtrirë në histori, si në kohë ashtu dhe në hapsirën e vendngjarjeve, autori trajton gjithashtu në plane paralele dhe historinë e pellazgëve, ilirëve si paraardhës të arbërve. Ashtu si në linjën tërësore të romanit historia e mbretërve ilirë dhe e personazheve të tjerë historike dhe fiktivë është trajtuar në mënyrë jokonvencinale. Raporti i historisë konvencionale me krijimin artistik në këtë plan si edhe në plane të tjera dytësore të romanit lë hapësira për gjykime subjektive nga gjithësecili. Padyshim që lexuesi i vëmendshëm është në gjendje të orientohet individualisht drejt si në çdo rast kur lexon një vepër letrare. Ajo që bie në sy në roman ka të bëjë me faktin që autori nuk pajtohet me pohimet joshkencore e gati megallomane të disave ku lart e poshtë pohojnë se ne jemi racë e zgjedhur dhe e pastër, që nëpërmjet gjuhës shqipe shpjegohen emra dhe toponime në botën latine dhe helene. Në gjithë zvillimin e ngjarjes në këtë roman lexuesi ndeshet me emra si Trojë, që autori në mënyrë sarkastike shpjegon se rrjedh nga fjala shqipe trua apo Butrint që rrjedh nga fjalët butë rrin që do të thotë rri butë, etj, etj.

Romani “Hijet e Muzgut” botohet në një periudhë kur kohët e fundit në letërsinë shqipe nuk është lëvruar dhe aq gjinia historiko-letrare, ku shkrimtarët historianë rikonstruktojnë ngjarje të shkuara të historisë nëpërmjet ngjarjeve dhe personazheve fiktive që ata krijojnë artistikisht. Kjo gjini letrare ku ngjarjet historike bashkëveprojnë me krijimin e autorëve, të cilët nëpërmjet artificave ngrejnë hipoteza dhe mbajnë qëndrime të caktuara për çfarë ka ndodhur duket se është e kërkuar dhe besoj se nuk është gjithnjë prezente në bibliotekat tona. Duke shtuar dhe faktin që tema e këtij romani është gjithashtu e lëvruar rrallë mund të thuhet se libri në fjalë është i veçantë për të mos thënë se është unikal në llojin e tij. Ky është një argumentet më shumë që mund të thuhet me siguri se ky libër paraqet interes të lexohet nga një spektër i gjerë lexuesish. Romani është shkruar me një gjuhë të pasur dhe të rrjedhshme dhe është bindës në planin e tij kryesor duke qenë tërheqës për lexuesit në tërësi pavarësisht nga bindjet e tyre për besimin, prejardhjen, etnicitetin, gjuhën dhe historinë. Leximi i romanit “Hijet e Muzgut” padyshim që plotëson sadopak ndonjë dyshim të mbetur në formimin e gjithësecilit për temën kryesore që trajton dhe gjithashtu ngre pyetje themelore te gjithësecili për interpretime të reja të para nga një këndvështrim i ri.