Letërsi

Pyetja e së panjohurës - Nga Albana Lifschin

 Albana Lifschin

Gjatë pushimeve të shkollës u mora me kompjuterin. Fillova me pastrimin e postës elektronike nga letrat e tepërta. Duke kaluar nëpër korespondencën e viteve të fundit më zuri syri një mesazh dërguar nga një emër i panjohur, ArtaG.  Sikur s’mbaja mend ta kishte lexuar atë mesazh më parë. ArtaG shkruante: “Më bën përshtypje që ju i shkruani gjërat sinqerisht, ashtu siç janë. A do të kishit kurajo të shkruanit edhe për jetën tuaj private kështu? Nuk e di se si duhet të jetë zgjimi në mëngjez në shtrat pranë një bashkëshorti që s’është shqiptar. A është e vërtetë që burrat amerikanë i puthin gratë e tyre sa herë që nisen për punë? A u thonë gjithmonë “honey”? Unë nuk jam e martuar ende. I trembem shumë zhgënjimit. Burri dhe gruaja sapo martohen e humbasin romantizmin e lidhjes së tyre. Burri shqiptar nuk të puth kurrë kur ikën në punë. Si ndiheni ju me këtë trajtim? Si princeshë? Apo jeni mërzitur? Jam në pritje...”

Mbeta një copë herë e menduar pa ditur ç’të bëja. T’i ktheja përgjigje apo ta lija për një herë tjetër? E shënova mesazhin si të palexuar dhe vazhdova më tutje.

Të nesërmen në mëngjez herët, siç bëja zakonisht, vura kafen për tim shoq e ndërkohë që ai bënte dushin kontrollova postën elektronike. M’u kujtua letra e djeshme. Nisa të hidhja disa mendime në adresë të asaj vajze të panjohur që kishte hyrë në bisedë me mua pa pyetur shumë, a thua se më njihte prej vitesh. Por vajza ishte e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë dhe kjo më pëlqente.  Ndërkohë, im shoq, Stivi, qe bërë gati për punë.

-Paç ditë të mbarë sot, thashë tek u afrua për të më përshëndetur.

-Edhe ti, ma ktheu ai duke më çikur buzët, siç bënte çdo mëngjez kur ishte në të ikur.

“Si ndihesh ti me këtë trajtim princeshe? Apo jeni mërzitur?” më pyeste e panjohura.

Princeshë, princeshë, princeshë… Në fakt është shumë e çuditshme se sa efekt bën aparenca e gjërave. Princeshë.  Ç’tingëllim përallor!  Natyrisht, nga një anë vërtet ndihem si princeshë sepse im shoq s’ma ka prishur qejfin kurrë e s’më mungon asgjë. Megjithatë martesa me një amerikan sikur ma ka hequr të drejtën të ankohem. Sa filloj të them diçka ma presin: “Mos”!

Tani tek flas më duket se shoh edhe tek ju një farë kureshtje. E kuptoj është e natyrshme të më pyesin: Vërtet, si ja bën ti me një amerikan? Si munde të adaptohesh?

Lidhja me amerikanin nuk kishte qënë e furishme. Erdhi më tepër si një shoqëri e avashtë dhe e kujdesshme. Ne u njohëm në fakultet. Stivi është një tip i qetë. E solli puna të pinim kafe nja dy a tri herë tek një lokal aty pranë. Absolutisht se më shkonte mendja se ky djalë i urtë e i vëmendshëm, që s’kishte ndonjë gjë të veçantë, së paku nga ato çka unë quaj të veçantë më përjashtim të të qënit amerikan, mund të bëhej një ditë bashkëshorti im i ardhshëm. 

Madje u habita kur një ditë prej ditësh ai më ftoi t’i bënim një vizitë nënës së tij sepse donte të më prezantonte me të. Nëna e Stivit m’u duk grua me kulturë. Madje me kalimin e kohës zura të mendoj se ajo kishte më shumë kulturë edhe se vetë Stivi.

Ajo lexonte shumë dhe njihte autore të vendit dhe të huaj. Ajo e njihte Shekspirin, që çuditërisht mjaft amerikanët s’e njohin. Këtë e kisha vënë re edhe në një takim me një avokat të emigracionit. Në bisedë e sipër bëra një krahasim me Jagon. Ai bëri një buzëqeshje të sajuar, por nuk qe reagim. Madje pata lexuar shkrimin e një mësuese letërsie që thoshte:

“Ne s’na duhet Shekspiri, kur kemi jetën tonë. Ne madje nuk ia kuptojmë as gjuhën”.

“Mamaja ka qënë mësuese, më spjegoi Stivi një ditë. Gjithnjë ka lexuar. Kurse unë ngjaj më shumë nga babai. Ai ka qënë Fizikant”. Vura buzën në gaz. Stivi ishte shumë i mirë në matematikë e në atë leksion unë shkoja e ulesha pranë tij.  Po nuk qe matematika që na afroi, jo. Ishte Berri Uajt, ai që e prishi ekuilibrin e shoqërisë sonë. 

Në fund të semestrit u organizua një mbrëmje me studentët nga shkolla jonë dhe Stivi solli me vete një kasetë të këngëtarit. E vuri në manjetofon dhe m’u afrua për të vallzuar. Këngëtari qe krejt i panjohur për mua deri atë cast. Ai “më mori në qafë”. Berri ishte këngëtar më një zë kaq “seksi” sa madje ia kalonte edhe Tom Xhonsit, për të cilin thoshin se në koncertet e tij gratë e humbisnin kontrollin fare. Qe një vallzim i ngadaltë, pranë e pranë, kur një moment Stivi më pëshpëri tek veshi: “I want to marry you.”

M’u desh kohë të merrja veten nga habia. Së fundi, një ditë tek pinim kafe në lokalin tonë i sugjerova Stivit të qëndronim një vit të fejuar, para se të vendosnim për martesë pasi kishim nevojë të njiheshin më mirë. Stivi ra dakort, por pastaj më tha që njohja më e mirë do të qe sikur të banonin sëbashku atë vit. E kështu ndodhi.

* * *

Fillimi ishte i vështirë. Isha mësuar të jetoja vetëm.  Më vinte mirë që isha e pavarurur e s’doja të humbisja statusin tim. Nga natyra krenare, nuk doja t’ia dija askujt për nder për atë që isha e zonja ta fitoja vetë. Pastaj në një jetë të re bashkëshortore, kishte sa e sa gjëra me të cilat duhej të mësohesha. Por gjëja më e vështirë ishte afrimi intim.

Ditët po kalonin dhe shkëndia e pasionit sikur nuk po ndizej midis nesh. Me shqiptarin është ndryshe, thosha me vete, ia lexon në sy dëshirën për afrim, kurse amerikani ka më shumë vetëkontroll. Ndonjëherë ka nje portret të bardhë fare ku s’mund të lexosh asgjë. Dhe po aq pa pritur mund të suprizojë.  Sidoqoftë, s’po kuptoja se ç’po ndodhte me mua apo me atë. Vërtet deri në momentin e fundit kur vendosëm të jetonim bashkë ne ishim shokë, por tani duke jetuar nën një strehë, ishte fare e paimagjinushme që s’kishte ndodhur ende asnjë kapërthim pasionesh e ndjenjash.

E vështroja Stivin tek punonte në kompjuter, rrinte aty rreth një orë e pastaj zakonisht hynte në dhomën e ndënjies e shihte televizor për orë të tëra. Ndërsa unë pyesja veten: A ndjej ndonjë gjë për këtë njeri, xhanëm? Apo thjesht më vinte mirë që ai më ofronte këtë shtëpi komode, që më kishte hequr stresin e pagesave, që bënte pazarin për mua, që me merrte në restorant që… Kisha filluar të bëhesha nervoze. Më dukej vetja si fëmijë që po e trajtonin me kujdes. Stivi dukej i qetë. Pasi i kishte vënë të tëra në regull ai shtriqej në kolltukun e tij portativ e shikonte ndeshjet sportive.

-Gjithnjë ka kampionate lojrash? – e pyeta një pasdite.

 U duk se atij i erdhi mirë që unë u interesova për sportin e me shumë durim filloi të më spjegonte. Pas kampionait të bejsbollit vinte ai i futbollit.

Qe stina e ndeshjeve e mua më dukej sikur s’kishin të mbaruar kurrë. Më nervozonin se më dukej se për shkak të tyre prezenca ime kishte humbur fare, ndërkohë që ai i shijonte pa masë. Më kujtohej pedagogu i matematikës që në një moment na kishte thënë, se zgjidhja e një problemi matematik të vështirë të jep një kënaqësi më të madhe se sa seksi. Edhe një ndjeshje bejsbolli, shtoja me vete.

Po filloja të mendoja se kisha bëre gabim që i kisha dhënë fjalën për fejesë.

Mos ndoshta kishte ndrruar mendje dhe ai? Një pasdite vendosa të bisedoj me të. Prej sa kisha hyrë në shtëpinë e tij, ai s’kishte ndryshuar asgjë nga regjimi i tij i të ngrënit, të punuarit,  të fjeturit. Po unë, ku isha?

-Stiv!  i thirra një ditë që nga dhoma e gjumit pasi kisha një copë herë që po përsërisja me vete se çdo t’i thoja, me të hyrë në derë. Ai ishte nga dhoma e kompjuterit atë kohë. As nuk do ta lëndoja, as fyeja por as nuk do ta lija të më lëndonte.  Por do t’i flisja hapur ama.

Ai sikur s’e kishte dëgjuar thirrjen time. Thirra përsëri edhe më fort:

-Stiv!

 Zhurma e trokitjeve në keybord pushoi.

Ai u dha në derë. Unë qëndroja gjysëm shtrirë mbi shtrat e mbështetur mbi jastekët e lartë. Ai u afrua tek shtrati e kur unë doja t’i bëja shenjë të ulej në shtrat që të bisedonim ai nuk u ul buzë krevatit, siç e kisha përgatitur veten unë, por zgjati duart drejt meje sikur do të më merrte në krahë.

Një orë më vonë po i tregoja sa sa e habitur kisha qënë që ai edhe pse kishin   kaluar dy javë që jetonim bashkë nuk më ishte afruar ende.

 -Po si mundesha unë? Ti nuk më dhe asnjë shenjë se kishe dëshirë.

 -Po tani ... si erdhe?

-A nuk më thirre ti vetë?

Në ditët që pasuan fillova të kuptoj edhe më mirë që në momentet intime Stivi priste që unë të merrja iniciativën e para, apo t’i jepja një sinjal, ndryshe “nga ta di unë se ti je gati për një afinitet të tillë?”  Mendova se ndoshta kjo duhej të qe një sjellje e kujdesshme amerikane.

Krejt ndryshe nga në Shqipëri. Për një moment m’u duk se do të më duhej të gëllstisja “krenarinë” time edhe në këtë pikë. Vonë, vonë e kuptova se kjo s’kishte të bënte fare me krenarinë. 

NYC, 1997

(Nga libri “Ura mbi oqean”, botuar në Tiranë, 2006)