Letërsi

Vrasja e mizës - Tregim nga Sami Milloshi

Në sallën e madhe të bibliotekës ku unë dredh zinxhirin për pothuaj dy orë në ditë, u shfaq një mizë. Mu aty tek kapaku i albumit të Pikasos. Ta vras, mos ta vras?!! Kjo ishte dilema.

Jo se kërkohej mund i madh, jo se kisha mëshirë për mizën, por druhesha mos më qortonte Pikaso. Kësaj ia kisha frikën.

Atypari kaloi zonja Ashley, drejtoresha e bibliotekës.

-Çfarë po bën? - më pyet ajo.

-Po rrekem të vras një mizë - i them.

Asaj i shpërtheu e qeshura, por unë nuk ia pashë se e kishte të fshehur nën maskë.

-Po vrite, çfarë pret, se mos duhet ndonjë aftësi e madhe për të vrarë një mizë, apo jo?

-Aftësi nuk duhet, por unë druaj se mos më qorton Pikaso.

-Eh, kush po pyet tani se çfarë thotë Pikaso...

Dhe, si tha këto fjalë bosja ime u zhduk në punë të saj. E pashë që po zbriste në katin e dytë, aty ku kishte zyrën.

Të nesërmen e takova sërish zonjën Ashley në hollin e madh ku varej portreti i zonjës Elizabeth, asaj qe e kishte themeluar bibliotekën dyqind vjet më parë.  Dukej e gëzuar ngaqë, më në fund, me urdhër të saj, u hoqën detektorët elektronikë në hyrjet e bibliotekës.

Unë, ç'është e vërteta, u habita pakëz, sepse thashë me vete, tani kushdo mund ta fusë një libër nën sqetulla dhe pa e regjistruar tek librari, mund ta marrë për fare. Se detektorët nuk do të japin më atë alarmin e zëshëm për librin që doli vjedhurazi...

I thashë zonjës Ashley:

-A nuk të duket se kështu cënohet siguria e librave? Po sikur dikush të nxjerrë nga arkivi kopjen e botimit të parë të "Hamletit"?

- E çfarë pastaj? Punë e madhe se dikush vodhi një libër të vjetër. Ne kemi halle të tjera më të mëdha për të përballuar. Kush e ka mendjen tek Shekspiri?!!...

Nuk e mora vesh për çfarë hallesh të mëdha e kishte fjalën zonja Ashley, por tek e fundit, pse duhet ta vras mendjen t'i di të gjitha.

Kur u ndamë, zonja Ashley më pyeti me një farë qesëndie:

-E vrave dje mizën ti, apo jo?

-Jo, - i thashë - u druajta mos më qortonte Pikasoja.

-Pika që nuk të bie - tha duke qeshur zonja Ashley - çfarë piktori do bëhesh ti kur nuk ke kurajo të vrasësh as edhe një mizë në sy të Pikasos...

Miza vazhdonte të vërtitej në sallë duke gumëzhitur e lirë. Pikasoja nuk tha asnjë fjalë, megjithëse e dëgjoi dialogun të gjithin. Hamleti dridhej një kat më poshtë tek arkivi, i trembur se mos e rrëmbenin. Dhe zonja Ashley, thithte një puro kubaneze në zyrën e saj duke mbajtur mbi supe halle të mëdha, të cilat unë i gjori, nuk arrija t'i kuptoja...

©Sami Milloshi