Letërsi

“Mitopoetika Shqipe” e Vangjush Zikos, një libër shpresëdhënës - Nga Rudolf Marku

Para disa ditësh, më ra në dorë libri “Mitopoetika Shqipe - Profile letrare, biseda, mini-Antologji’’- i poetit, përkthyesit, dramaturgut dhe studjuesit Vangjush Ziko, një libër të cilin do ta rekomandoja si një model të shkrimësisë studimore bashkëkohore mbi Poezinë Shqipe.

Prej vitesh e vitesh, Poezia Shqipe ka qënë e braktisur nga studjuesit e vet. Edhe ata pak studjues të saj, në vend që të evidentojnë procesin e zhvillimit, të rritjes, të fenomeneve të   reja të saj, të individualiteteve që e kanë  pasuruar vazhdimisht poezinë sidomos në dekadat e fundit, në vend që ta shohin poezinë në mjedisin e vet artistik - në mjetet  shprehëse të saj - intonacionet, ritmet e brendshme, diksionet, sintaksat e reja poetike, - në vënd që ta shohin në rendin e vet hierarkik, duke mos e përjashtuar nga përpjekja e saj për t’u inkuadruar në kuadrin e arritjeve të poezisë bashkekohore botërore, kanë bërë të kundërten - e kanë gjykuar me një mëndesi mendjesh të fosilizuara soc-realiste të parfumosur me ca pikëza të terminologjive studimore moderne, duke krijuar një amalgamë të shëmtuar provincializmi, si të donin të paraqitnin një portret të një këngëtari polifonik Lab me fustanellë dhe me një kapelë republike në kokë.

Libri i Vangjush Zikos është diametralisht e kundërta e këtij sharlatanizmi mjeran. Është një libër studimor i një njohësi deri në detaje të poezisë bashkëkohore, i një lexuesi të vëmendshëm, por dhe entuziast, i vlerave poetike shqiptare; është libri i një  njohësi të thellë te poezisë Shqipe, i cili zotëron mjetet shprehëse të kritikës më të avancuar.

Në laboratorin e studjuesit janë rreshtuar, si objekt studimi dhjetë autorë të poezisë moderne Shqipe. Vangjush Ziko ka gjetur një mënyrë origjinale për t’i vështruar, secilin prej tyre, me një metodologji shumëplanëshe. Ndryshe nga studimet e atrofizuar të akademikëve tanë, që sjellin një erë myshk dhe pluhurosje në studimet e veta, Vangjush Ziko sjell ne këtë libër një erë freskie dhe një shije elitare, qoftë dhe në të shkruar.

Ironia më e madhe është se autori ka vite që jeton në Kanada,dhe kjo nuk e ka penguar që ai t’i njohë imtësisht sjelljet më të fundit të Poezisë Shqipe; në një kohë që akademikët tanë të Tiranës, kokfortësisht, nuk pranojnë t’i shohin botimet që ndodhin para syve të tyre të mbyllur.

Vangjush Ziko është një poet dhe përkthyes i viteve ’50 dhe ’60, bashkëkohës me Kadarenë, Agollin dhe Arapin, por është më energjik se akademikët tanë shtetërorë të përgjumur. Dhe ku e ku më modern dhe më më shije se të gjithë akademikët tanë të marrë së bashku.

Mendoj se Qendra Kombetare e Librit dhe e Leximit duhet ta përshendesë këtë botim unik, që sjell një kontribut të veçantë në vlerësimin hierarkik të vlerave të Poezisë, argumentuar me një mëndesi dhe teknikë autoritare bashkëkohore.

Libri “Mitopoetika Shqipe” botuar ditët e fundit nga Shtepia Botuese Argeta, e rreshton autorin me emrat e përvetshëm të kritikës prestigjioze të Letersisë bashkekohore Shqipe, me emrat e Gëzim Bashës dhe të Ardian Vehbiut.

©Rudolf Marku