Kostaq Duka, poezia minimaliste dhe përmasat artistike të saj - Nga Vangjush Ziko
Poezia lirike bashkëkohore shquhet për pasqyrimin e një realiteti të ri. Ajo kërkon forma e mënyra të reja për ta pasqyruar këtë realitet dhe për të arritur maksimalizimin e poetikës së saj duke krijuar një larushmëri zërash dhe formash poetike.
Në këtë sfond, ka lindur në vitet më të fundit në arealin e poezisë sonë dhe Minipoezia.
Minipoezia përpiqet të transformojë modelet e mëparshme, duke ruajtur pastërtinë e lëndës krijuese, thjeshtësinë dhe vetëkufizimin e përkorë, që me sa më pak fjalë, të përcjellë një maksimum të dhënash artistike dhe estetike.
Një idhtar i saj është poeti Kostaq Duka, i cili prej disa dekadash jeton dhe krijon poezi në emigrim.
Kam në duar një nga vëllimet e tij poetike, vëllimin “Shtegu i Nostalgjive” dhe poezi të botuara së fundi në faqen e tij në Facebook.
Poezia lirike e tij është e drejtpërdrejtë, e sinqertë dhe lehtësisht e komunikueshme me lexuesin. Tematika e pozisë së tij është poezia tipike e poetëve tanë emigrantë, në përgjithësi, me problemet, dilemat e përshtatjes me një realitet dhe mentalitet tjetër, nostalgjia për vendlindjen e braktisur pa dëshirën e tyre; me dualitetin e përjetshëm të mërgimtarit dhe dramën e njeriut për t’u ribërë dhe rilindur si personalitet njerëzor në kushtet e etheve të globalizmit bashkëkohor.
Jeta e heroit lirik të Kostaq Dukës është “stacionare”: “ndërrime platformash, avionësh, pune, karrierash” si dhe “kurora ylberi/që veniten e shuhen në perëndim dielli”.
I pashmangshëm dhe i përhershëm është “tundimi” ndaj “fatit, ëndrrash…”, “joshjeve, qejfeve, parasë”, “çasti i madh/që skanon vlera ose antivlera”.
Ai ka një “kalendar tjetër njeriu. Ai jeton me “ankthin”, për të “bota e tërë është turbullirë” dhe ndoshta “po ndryshon kalendar”.
Mistika e tij është kontraverse, një besim pragmatist: “ëngjëjt janë tokësorë/forca e mirësisë/forca e dashurisë/i bën qiellorë”.
Në këtë shoqëri ky hero lirik kërkon ta mbajë brenda vetes egon personale, pa e përzjerë me të tjerët, por “kur vetë dhimbja të jem/bëhuni dhe ju pjesë e historisë sime” shton ai. Një version i komunikimit në emigrim, ku secili ka hallin e vet dhe është i detyruar ta përjetojë vetë, vetëm në zgripin e hallit ndizet sinjali SOS, sepse e di që “bashkëvuejtsit” kanë hallet e tyre.
Atë nuk mud ta trembë as vdekja, as plumbi i hakmmarrjes së ligë, atë “e rrëzon për tokë lemerisht/mërija e pjellës së vet” dhe e trondit pikëllimi i dhimbshëm i braktisjes së atdheut:
“Për trishtimin tim
s’kishin faj lulet,
as toka e zezë
djersitur nga mundimi i lindjes.
Pikëllimi im
rrënjzohej në dhimbjen që me ikjen tej
kisha humbur
të drejtën e kopshtarit, kujdestarit të luleve.
Ai pret biletën dhe niset me avion për në vendlindje: “javën e parë/eca e eca pa u lodhur rrugicave të qytetit tim”; javën e dytë; “trazova malluar kujtimet e rinisë/me moshatarët 60-të vjeçarë”;
“Në javën e tretë
kur rrugicat u bënë thjesht rrugë
e miqtë,
ata që janë,
të thinjur, të dhjamur e thatimë,
kur tavolinave të kafenesë dërmuan kohën me thashetheme
e u grindën për politikë,
preka biletën e avionit
me ngutjen e ikjes.”
Edhe vetë vendlindja e tij paska “hallet” dhe “cenet” e veta!
Poeti na përcjell nëpërmjet vargjeve të brishta një hero të ri dhe mitologjinë e re të një vendi, që s’i mban dot fëmijët e vet!
Diskursi i tij poetik na përciell një histori të re, një mit të ri, që e ka lindur koha në të cilin jeton. Është miti bashkëkohor i Globalizmit, i cili, brenda caqeve të minipoezisë moderne, na përcjell paradokse ekzistencialiste, siç janë vetmia e heroit lirik emigrant, që, përveç depresionit social, përjeton dhe tjetërsimin e imazhit të vendlindjes së vet.
Një sagë tragjike, një mit, i realizuar në një tufëz me më pak se dhjetë poezi dhe me minimumin e mundshëm të vargjeve.
Sekretin e poezisë së Kostaq Dukës, nuk e bën befasues numri i limituar i vargjeve. As figuracioni i përkorë aspak ekstravagant.
Sekreti qëndron në vetë strukturën e kësaj minipoezie, në strukturën kompozicionale të vetë minipoezisë.
E para është gjuha, logosi i saj i kumtimit artistik dhe estetik. Një rol të rëdësishëm luan gjuha dhe, konkretisht fjalët kyçe të këtyre poezive: “stacionet, tundimet, ëndrrat joshëse, kalendaret, ankthet, egoja, mërzija, pikëllimi. hakmarrja, thashethemet, grindjet politike”.
Një fjalor vërtet dramatik!
Minipoezia nuk i ndryshon modelet e mëparshme të poezisë realiste, përshkrimin, detajin, ritmin e ligjërimit të matur e të përkorë. Autori përdor vargun e lirë dhe të shtruar rrëfimtar.
Poezia e Kostaq Dukës na përcjell një realitet konkret dhe aspak abstrakt, një realitet bashëkohor.
Merita e autorit qëndron në atë se sa i ka bashkëngjitur temat, detajet dhe situatat e heroi lirik artistikisht.
Tërësia e këtyre krijimeve poetike e çon mendimin tonë në një metaforë, sa individuale aq dhe kolektive. Logosi poetik i poetit na flet për ëndrrën moderne globale dhe për ndikimin e saj në ligjërimin poetik të autorit. Autori na përcjell një histori aktuale të shoqërisë, lindjen e një miti të ri.
Kjo është dhe merita kryesore krijuese e minipoezisë së poetit Kostaq Duka, një poezi e përkorë, realiste dhe e mbushur me kaq emocione njerëzore bashkëkohore.
© Vangjush Ziko