Koçi Petriti, poeti i rrallë i lirikës intime - Nga Vangjush Ziko
Vangjush Ziko - Kanada
Koçi Petritin e kam njohur herët, kur ai ishte nxënës i Shkollës Pedagogjike dhe unë mësues në gjimnazin e qytetit të Korçës. Ai m’u afrua një ditë me ndrojtje dhe m’u lut që të më tregonte vjershat që i kishte shkruar vetë. E pranova me kënaqësi. E kisha provuar dhe vetë këtë dëshirë në fillimet e mia.
Vjershat i kishte shkruar në fletët e një fletoreje me një shkrim të kujdesshëm. E pyeta se prej nga ishte dhe ai m’u përgjigj pakëz i emocionuar, me një zë të ngadalshëm, por të qartë, se ishte nga fshati Sovjan. I thashë se duhej të mburrej, që kishte lindur në fshatin emri i të cilit dëshmohet në dokumente historike të shekullit XIII, pra, në një fshat me histori dhe tradita të lashta. Ai buzëqeshi i drojtur, pa më thënë se e dinte apo jo këtë. E kishte mendjen se kur do t’ia lexoja dhe çfarë mendimi do të kisha për vjershat e tij.
Sigurisht që i lexova me kujdes dhe ndjeva se po lexoja vargjet e para të një djaloshi të ri, që po hidhte në letër mbresat e veta që përcillnin zërin e një talenti të brishtë, që porsa kishte guxuar të hidhte në letër përjetimet e veta intime. Nuk ishin plagjiaturë, përpjekje për të imituar vargje të lexuara të të tjerëve. Ishin vjersha të shkruara me varg të matur dhe me një gjuhë të pastër. Ishin vjersha që flisnin sinqerisht për natyrën dhe atmosferën fshatarake. Nuk përpiqej të abstragonte apo të komentonte. Kishte hedhur në letër përshtypje, ndjenja të lindura spontanisht, detaje konkrete nga natyra, nga jeta e përditshme e fshatit. Ndjeva atë shkëndijë të beftë, që premtonte të bëhej një pasion, një përkushtim. E përgëzova për këtë fillim premtues dhe i thashë se me shumë dëshirë isha gati të bisedonim përsëri për rrugën e gjatë dhe të vështirë të krijimtarisë poetike.
Koçi ishte në fund të maturës dhe së shpejti do të largohej nga Korça për të vazhduar më tej studimet. Unë i urova më të mirat në jetë dhe një takim me vëllimin e tij të parë të botuar me poezi. Dhe takimi erdhi në vitin 1962 me vëllimim e parë të tij me poezi: “Lirikat e Majit”.
E mora, e lexova dhe ndjeva një gëzim për Koçin që botoi vëllimin e parë, por edhe që nuk u zhgënjeva në pritshmërinë time për të. Ishte një himn lirik për pranverën, për muajin Maj, që gjallëron natyrën dhe jetën e njeriut: “çdo zemër nuk lë të qetë/çdo shpirt e shkund nga plogështia”. Një personifikim i muajit “djalosh çapkën”, që s’ishte gjë tjetër veçse një alter ego e vetë poetit, që i pëlqejnë tekat djaloshare dhe trillet e vokacionit të tij: “pleqtë nuk i le të krrusen”, “përgjon çiftet kur puthen”, “hedh në parfum ëndrrat e tij” dhe “shkund çdo shpirt nga plogështia”.
E gjithë poezia është një alegori brilante e dashurisë për natyrën dhe për jetën njerëzore. Poezia “Lirikat i Majit” dhe i gjithë cikli me këtë titull gufon nga gëzimi “si llavë vullkani”. Poeti i ri, me këtë vëllim të parë poetik shprehte kredon poetike, tashmë të pjekur dhe krenarinë e muzës së vet poetike.
Në poezinë “Dhimbja ime” ai e shpall me pasion synimin e tij:
“Nga dhimbja ime dalin zogj,
skifterë hapësirash
e ç’kam në zemër e shkërmoq
në copra xhevahiresh”.
Me këtë libër poeti shpallte botërisht bindjen e vet se do të thoshte “atë që s’e tha njeri”.
Poeti i ri ishte i ndërgjegjshëm se çfarë i kërkonte muza dhe se çfarë mund ta priste atë në jetë: “mbi gurët ku më shkeli këmba/me ecejake njëzet vjet rrjesht/kam shkelur edhe përmbi gjemba/ e prapë s’më bënë dot të hesht”.
Kjo strofë, të them të vërtetën, në atë lexim të parë, m’u duk si një pozë ekstravgante, pse jo dhe si e huaj për “Lirikat e Majit”. Po të kisha mundësi që ta takoja Koçin, do t’i thosha që e kishte tepruar. Po të kisha qenë redaktor i librit, do t’ia kisha hequr.
Nuk dija asgjë për jetën dhe familjen e tij. Familja e Koçit ishte një familje e përndjekur, me babanë të burgosur; ai vetë kishte ndeshur pengesa të shumta për t’u rehabilituar në jetë; jashtë rregullit ishte i detyruar të bënte ushtrinë megjithëse ishte diplomuar; me shumë mundim dhe me ndihmën e dashamirësve të vet poetë mezi kishte mundur të hynte të punonte në arsim, për të cilin ishte po aq i përkushtuar. Ai kishte ecur për njëzet vjet “përmbi gjemba”!
Kur i mësova tërë këto, kuptova se ai ishte, jo vetëm një talent lirik i brishtë; por dhe një shpirt, që “ferrin e jetës së vet” e shndërronte në “parajsë poetike”. Ai, siç ka thënë dhe vetë, që nga poet i virgjër i lirikave, filloi të përpunohet e të kultivohet, jo në kuptimin e shkollimit, po në atë të kërkesave të kohës,
Ai shkroi balada për figurat e shquara historike kombëtare, duke I përshkruar ato në harmoni dhe sintoni simbolike me natyrën, me malin, me pyllin, i veshi me tisin e lirizmin të tij të ngrohtë,
Koçi Petriti mbetet përgjithmonë në kujtesën e kolegëve, të nxënësve dhe të studentëve një njeri i rrallë dhe poet i përkushtuar ndaj krijimtarisë. Lirikat dhe baladat e tij ngazëllejnë brezat e rinj të lexuesve.
© Vangjush Ziko