Letërsi

Stili barok në poezinë e Petro Çerkezit - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko

Stili barok në poezinë evropiane ka patur lulëzimin e vet në shekullin e 17-të. Baroku mesjetar kishte perceptimin mbi jetën e indidividit si një festë të dyfishtë, ku njerëzorja njësohej me universalen, nuk vinte në pah përjetimet intime të individit, ai synonte pasqyrimin e natyrës dhe të kontradiktave botkuptimore të kohës së vet 

T. S. Eliot e ka shpjeguar rilindjen e këtij stili në shekullin e 20-të për shkak të “afinitetit të veçantë” të këtij shekulli me shekullin e 17-të përsa u përket kontradiktave të thella shoqërore, duke vënë theksin në pasqyrimin e botës shpirtërore të njeriut në kohën e zhvillimit kapitalist dhe temën e përkohshmërisë së lumturisë njerëzore.

E përbashkëta dhe e pandryshueshmja e stilit barok të çdo epoke mbetet mbingarkesa stilistikore e vargut.

Në poezinë tonë bashkëkohore stili barok ka filluar të shfaqet në vitet e fundit të shekullit të '20 -të.

Një nga poetët tanë, poezia e të cilit reflekton karakteristika të barokut, është poezia e Petro Çerkezit, një personalitet krijues me kontribute të vyera jo vetëm në poezi, por edhe si prozator dhe një përkthyes i pasionuar.

Këtë e dëshmojnë vëllimet: “Qiell barok melankolie” dhe “Ti më këshillon të blej një bilbil” me poezi të shkruara në dhjetëvjeçarin e fundi të shekullit të 20-të dhe në fillim të shekullit të 21-të.

Tema kryesore e poezisë së autorit është ndjenja e shtuar e natyrës kontradiktore të botës.

Autori bën fjalë për një kohë të trazuar që i bën njerëzit të marrin rrugët e emigrimit për të mbijetuar: “Vështirë të mbajmë kupolën e qiellit që na ra mbi supe” (“Zymti”); “Dalim nga zhgjëndrra/si nga gërmadha tërmetesh e përpiqemi të gjejmë vetveten” (“Ditë binjake trishtimi”), mediton heroi lirik i poezisë.

Heroi lirik i poezisë së Petro Çerkezit, reflekton i tronditur ndaj egërsisë së botës që vret ëndrrën njerëzore për lumturi:

“O sa Judёr pёrreth mё vёrtiten

Puthjen damkё tё mё vёnё nё fytyrё.”

.....................

“...demonё tё dalldisur vёrtiten

Don Kishotёr mbi kalё marrёzisht.”

(“Fli në prehrin tim kësaj nate”)

“Tё gjithё dhunshёm ma vrasin ёndrrёn

Shigjetёpёrflakur ma shёnojnё zemrёn.”

(“Mos ma vrani ëndrrën”)

Bota shpirtërore e këtij heroi lirik i ngjan një “pëlhure Penelope”, që nuk ka fund së enduri, Në rrugët e emigrimit “humbasin e mbyten fatet”, “fati kthetrahekurt”... “porsi bisha përgjon në një pritë”...“fsheh thikёn si njё vagabond”.

Tragjike, plot mllef dhe sarkazmë është pasthirma e këtij heroi lirik:

“Gjёmo, sketerrё, o det me gjëmё,

Qiell shkretan gjёmo dhe ti,

Ftomani zemrёn nё gosti.”

(“Seç kam njё brengё”)

E zhgënjyer është dhe bota intime e heroit lirik. Ai është bërë pesimist, ka humbur edhe besimin te Zoti; “As Zoti nuk m’u gjend nё kёtё botё”.

(“Seç kam njё brengё”).

Më e dhimbshmja për të është zhgënjimi, që pëson nga dashuria:

“Kishim lënë fjalë të piqemi tej në prill,

U ndamë me premtimin shpresë ndiellë në zemër

Dhe morëm udhët duke fantazuar lumturisht

Imazhe të asaj Pashke të bekuar që na priste”

(“Kishim lënë fjalë”)

Ëndrrat rinore zhbëhen shpejt, veçanërisht, ëndrra e dashurisë së cilës “i shterron burimimi i mallit”,

Ai nuk e shmang dot ironinë e trishtuar ndaj këshillës “bujare” sentimentale “papagajsh të parfumuar”:

“Ti mё kёshillon tё blej njё bilbil

Qё t’i hapё shtigjet ligjёrimit,

Tё mё çelё monopate ёndrrash,

Tё mё shkundё blozёn e trishtimit.

....................................

Ti mё kёshillon tё blej njё bilbil,

Po s’mund ta realizoj idenё kursesi,

Se tё dashuruarit kanё njёqind bilbila, 

Qё u kёndojnё natё e ditё nё gji.”

(“Ti mё kёshillon tё blej njё bilbil”)

Shpirtin e tij e pushton melankonia, trishtimi i thellë i vetmisë.

Meditimi alegorik mbetet e vetmja mënyrë për të jetuar në këtë botë të paqëndrueshme. Ai i drejtohet Hënës, dashnores romantike:

“Eja, eja sonte hёnё e truar,

Rri pranё meje, pёr asgjё mos pyet,

Ik pastaj haplehtё, pa kuptuar

Porsi ёndёrr qё mjegulla tret.

Vurmi buzёt lehtё pёrmbi zemёr

Si mullagё mё shёro, mё flladit...

.....................................

“Le tё bёhet shkrumb botё e tёrё,

Le t’i digjen mushkëritё si kaminё,

Dhe nga hiri sёrish ne do lindim

Dashuror e tё bukur njerinё.”

Një “truk alegorik” barok, sa befasues po aq dhe butaforik!

Ky optimizëm i tillë, sipas Frojdit, ndodh kur ndjenja e nostalgjisë e gllabëron botën boshe të një ëndërrimtari nostalgjik, atëhere ky merr një kënaqësi të tillë misterioze shpirtërore nga “maska” e dashurisë.

Petro Çerkezi na e jep të detajuar psikologjikisht dhe artistikisht botën shpirtërore të heroit të vet lirik me emocionalitet dramatik. Drama intime e këtij heroi reflekton dramacitetin e kohës së vet. Ai “fajëson'” dëshpërimin total që “na trashëgoi shekulli që kaloi” (“Zymti”). Ai nuk gjykon dashurinë, por kodin moral të kësaj dashurie, që nuk e mban fjalën e dhënë.

Revolta e tij është një rebelim ekzistencialist ndaj kodit shpirtëror dhe shoqërisë në të cilë ai u rrit. Ai fajëson “dëshpërimin total që trashëgoi nga shekulli që shkoi” dhe “zymtësinë e tranzicionit” (“Zymti”). E vetmja shpresë e këtij heroi është ruajtja e dinjitetit të vet njerëzor dhe pastërtisë së dashurisë, të cilën ai nuk e ka vetë në dorë. Sfida e egër e shoqërisë njerëzore dhe sfida e dashurisë janë tronditëse, veçanërisht ajo intime.

Për këtë hero të traumatizuar meditimi alegorik mbetet e vetmja mënyrë për të jetuar në këtë botë të paqëndrueshme. Ai është i qartë: “ura na duhen, qofshin delikate dhe flurore si ëndrrat” (“Ditë binjake”); duhen mbledhur coprat e shqyera/Për të krijuar Ringjalljen/Në pastë ringjallje ndonjëherë”.

Mund të pohojmë se racionalizmi barok i autorit e drejton arsyen dhe retorikën drejt njohjes së irracionales, duke ndërtuar një strukturë harmonike logjike mbi humnerën e ekzistencës së një bote që nxiton drejt kaosit.

Stili barok i poetit Petro Çerkezit shquhet për shumëllojshmërinë stilistike figurative të dendur. Ai përveç alegorisë, metaforave, krahasimeve, epiteteve dallohet edhe për një begati të rrallë semantike.

Tipike për këtë është poezia “Seç kam një brengë”.

Fjala “brengë” mbart atributin e një emocioni të shqetësuar dhe të rëndë nga malli për dikë, për vuajtjet, një merak, që e bën njeriun të vuajë, të meditojë, të përjetojë gjatë, mbase dhe një jetë të tërë.

Këtë fjalë poeti e shpirtëzon, e personifikon, ajo “prushton”, “kafshon”, “dhemb”. Ajo është “një vjeshtë që e bën flokun të argjendtë”; kjo fjalë është “lot”, “pikon trishtim”, “shkëlqen inxhi”; është “pëlhurë Penelope mërgimin end”; është “shqotë”, që trand malet; është “stuhi, shtërngatë deti”, “skëterrë e det me gjëmë; është “mall” që nuk sos.

Stili barok është një stil ekstravagant i karakterizuar nga linja të lakuara, të praruara, por që nuk e shmang pasqyrimin e kontradiktave të botës dhe pasqyrimin e emocioneve individuale, bile u mëshon këtyre.

Baroku është më shumë një frymë sesa një metodë letrare e pavarur, ai është i hapur si ndaj surrealizmit, sentimentalizmit, romantizmit...

Jo më kot, përdorimin e barokut në epokën moderne T. S. Eliot e ka quajtur një vazhdimësi të pakushtëzuar historike. Sipas këtij parimi, e shkuara, e tashmja dhe e ardhma veprojnë së bashku.

Nuk shkruante më kot Borgesi se poezia e çdo kohe shkruhet nga poetët e të gjitha kohërave.

Poezia e Petro Çerkezit është një dëshmi e modernitetit, që i ka sjellë stilit të tij baroku. Poeti na përcjell, jo vetëm situatën komplekse dhe kontradiktore shoqërore, por, mbi të gjitha, kompleksitetin e botës shpirtërore intime të heroit, si rrallë tjetërkush.

Poezia e Petro Çerkezit është një poezi origjinale e shkruar me vargje racionale e me intesitet të dendur emocional. Ajo është e shkruar me varg të matur metrik të rimuar dhe me varg të bardhë, Kontributi i tij është një vlerë e veçantë për poezinë bashkëkohore shqiptare.

© Vangjush Ziko