Letërsi

Proza poetike në optikën e Esmeralda Shpatës - Nga Vangjush Ziko

Proza poetike është një nga llojet e krijimtarisë letrare ku poezia dhe proza japin e marrin midis tyre.

Poezia si gjini letrare është, në radhë të parë, jo thjesht e shkruar në vargje, por një art, që e shpreh në mënyrë figurative magjepsjen ndaj një dukurie të jetës.

Proza është një fjalë e thënë direkt e shkruar me një organizim të zakonshëm të lirë të fjalës.

Proza poetike e shtjellon rrëfimin me një shkurtësi relative dhe të gërshetuar me patosin lirik të poezisë.

I mrekullueshëm është përkufizimi që i bën prozës poetike poeti francez Sharl Bodler:

“Kush prej jush, në rastet kur e pushton ambicia, nuk e ka ëndërruar mrekullinë e prozës poetike pa ritëm e pa rimë, mjaft fleksibël e të pabarabartë për t'iu përshtatur lëvizjeve lirike të shpirtit, valëve të ëndrrave, dridhjes së ndërgjegjes?”

Prozat e autores Esmeralda Shpata dallohen, në radhë të parë, për një perceptim poetik të brendisë së tyre. Poezia dhe magjia e mendimit janë në një unitet të pandashëm midis tyre. Vetëdija poetike, si shkrirje e intuitës me mendimin, është një energji e cila thith dhe pasqyron “thelbin e gjërave”.

Është, pikërisht, magjia poetike që e ndihmon shkrimtaren për të shprehur botën e vet intime. Ajo, duke depërtuar në nëndërgjegjen e vet, përfton asociacione dhe kujtime të shtrenjta për të.

Në rrëfimet e shkrimtares gjejnë pasqyrimin e tyre lëvizjet lirike të shpirtit dhe dridhjet e ndërgjegjes njerëzore.

Ato vijnë si valët e nëndheshme të lëkundjeve enigmatike të pllakave tektonike të shpirtit, që premtojnë t'u japin prozave të saj poetike një peisazh, një fizionomi të re të dëshiruar dhe të kërkuar me ngulm nga ndërgjegjja e saj krijuese gjithnjë e më e përgjegjshme.

Tipike është proza “Përroi”, një rrëfim dhe meditim mbi fëmininë e saj, kur buzë “përroit të Buallicës” ajo “mobilonte shtëpinë e ëndrrave”. Rrjedha e përroit në stinë të ndryshme të vitit i tregon “fijen e perit e cila e ndihmon shpesh të gjejë veten dhe të ndjekë rrjedhën” intime të jetës së vet.

Nga kujtimet dhe ëndrrat e jetës (në prozën “Unë dhe Unë”) ajo përpiqet të depërtojë në të fshehtat e shpirtit duke zbuluar dhe alteregon e vet e cila e ka “tradhëtuar”: “Të kam gënjyer, - më tha, - ka kohë që shikoj portën, dua të iki nga ty, më mbyti pasioni për të shkelur ku dua. T'i kam fshehur të gjitha.”

Këtë çast intim dramatik autorja e kalon me butësi dhe me humor të lehtë, duke u mbështetur në forcën e karakterit të heroit lirik të vet: “U hutova dhe qesha. Qava dhe qesha prapë.”. Në shpirtin e saj mbizotëron vullneti dhe ndjenja e lirisë: “Nuk e ndoqa, ngashëreva sa u ngopa dhe u ktheva për të imponuar një vete tjetër të re”.

Proza tjetër “Pothuajse Ty” është një monolog për vëmendjen e munguar për shkak të një zemërimi të vjetër, të një druajtjeje të lëkundur dhe të një arsyeje të pashprehur.

Janë dy shpirtra që rezonojnë, por nuk mund të hyjnë në të njëjtën valë. Shpirti i dashuruar ka vendosur të bëjë, më në fund, hapin vendimtar. Shpirti “ka ngrënë brinjët e veta” që të hapet ndaj dashurisë!

Proza “Mosfshehje” bën fjalë për një ëndërr makabër groteske.

Personazhi i saj është një person, që ka dështuar në jetë dhe përdor mënyra të ndryshme për ta fshehur nulitetin e vet. Ai ka ecur tërë jetën i tunduar dhe i shqetësuar në botën rreth vetes së tij dhe po kështu do të përfundojë jeta e tij.

Ky njeri inskenon në ëndërr vdekjen e tij, “u shtri gjërë e gjatë në një arkëmort”. Në këtë mënyrë tërhoqi vemendjen e të tjerëve dhe “përfundimisht, krijoi famën e tij prej të vdekuri.”

Proza poetike “Skema e sikletshme” është, mbase, rrëfenja më enigmatike e autores. Në të kemi përballë dy fatalitete: nga njëra anë një ndërgjegje të kyçur përjetë dhe një fatkeqësi torturuese të trashëguar gjenetikisht; kemi një martir të moralit dhe një fajtore të pandërgjegjshmërisë fatale. Kemi dy fajtorë pa faj, një paradoks enigmatik të moralit të një mjedisi shoqëror, i cili shkakton trauma psiqike tragjike.

Kemi në këtë shkrim një karakter të ndjeshëm, që vuan tërë jetën si martir duke e mbajtur të ndrydhur në ndërgjegjen e vet një ligësi që e ka torturuar tërë jetën. Ai i ngjan një murgu të mbyllur në qelën e familjes së vet duke mbajtur të mbyllur “sikletin” në shpirtin e tij.

Sikleti është gruaja e tij “veshur me shpërfytyrimin e mureve, kollën e thatë të të atit, me të gjitha të ligat që të jep mungesa e thekshme e një mbarësie gjenetike.”

Në këtë prozë poetike kemi dy paradokse: një “murg” familjar, që fal një mëkatare fataliste dhe një mëkatare gjenetike, një “torturuese” të pandërgjegjshme. Një grotesk paradoksal!

Autorja na sjell dhe një surprizë tjetër me prozën e saj poetike, një përshkrim absurd të realitetit, ku mungon raporti i marrëdhënieve shkak-pasojë, ku mbizotëron grotesku i   pakuptimshmërisë së ekzistencës njerëzore.

Proza poetike “Shkrim mbi Kohën” është një shkrim tipik absurd i cili karakterizohet nga një mungesë e theksuar e realizmit në marrëdhëniet midis dy qenieve njerëzore.

Tregimi fillon me një krahasim absurd: “Vajza u ndie si një ndërtesë e madhe, në dyert e së cilës pritej të luhej diçka”. Kurse djali “një pemë me një trung prej kashte e cila, veç hijes, nuk i premtonte asgjë”. Idili i dashurisë, “dëshirë e një njolle të vogël gjaku... erdhi, megjithëse nuk e dinte që vetëm një cep skajor të vajzës mund të prekte”. Apoteoza e këtij idili intim: “Vallëzimi i kallëzave të grurit nuk është hutim seksual, por prirje për të treguar dhe çliruar veten”. Vjen dhe dasma: “Vajzës i vjen sezoni i kartolinave, i shkruan me vërtetësi ato, pa e vrarë mendjen për askend dhe për asgjë”. Vajza: “Ia vodhi universit mashkullin dhe shkroi çastin e saj”.

Teksti është shkruar përmes një ligjërimi absurd, me një sistem termash ku mungon shpjegimi dhe sqarimi logjik i raporteve intime midis personazheve, të cilët jepen pa identitet dhe ku raporti i tyre nuk arsyetohet. Ai karakterizohet nga një lojë me nënkuptime paradoksale jashtë kuptimshmërisë logjike shkak-pasojë. Ky raport intim na jepet përmes një ontologjie të jashtme të botës së marrëdhënieve dhe veprimeve reale intime.

Autorja ka realizuar një idil të një dashurie intime ekzistenciale krejt të ndryshëm nga raportet realiste të marrëdhënieve njerëzore.

Prozat poetike të shkrimtares na dëshmojnë nga ana strukturore atë kufi i cili e ndan prozën poetike nga rrëfimi tradicional i prozës. Ato mbështeten, mbi të gjitha, në fuqinë depërtuese dhe transformuese të fjalës poetike, në përdorimin e gjerë të metaforave, të tropeve dhe të figurave të tjera të fjalës letrare në funksionin adekuat të tyre.

Po marr për ilustrim disa nga rrëfimet e saj poetike.

Te “Përroi” ku poetja na flet për fëmininë e saj. Ky rrëfim do të ishte një rrëfim i thatë pa personifikimin, pa epitetet dhe pa similitudën, krahasimin e shtjelluar që i bën rrjedhës së lumit me rrjedhën e jetës së saj: lumi gurgullonte, ulërinte dhe tërbohej, belbëzonte si në jerm, ai i ngjan si sivëllai fëmijë që belbëzon, buzë tij.”.

Autorja skalit një portret të gjallë në prozën poetike “Skema e sikletshme”:

“Ajo grua; është veshur me shpërfytyrimin e mureve, kollën e thatë të të atit, me të gjitha të ligat që të jep mungesa e thekshme e një mbarësie gjenetike. Dhe sot shfaqet me qetësi e pa ngut. Aty, mbi pjesën e sipërme të trupit të përbuzur ka pësuar një krisje që ia ka derdhur të gjithë lëndën e brendshme. Zakonisht nuk duket asgjë e gjakosur parë nga jashtë, por në qoftë se do t'ia hapësh pak cepin e perdes, lëkurës, do të shohësh qartë ç’thertore të rrëmujshme fsheh ai trup.”

Epitetet i japin ngjyrë, kurse krahasimi i jep gjallëri ligjërimit:

“Miku im verdhacuk nuk mund të vonohej më. Gjithnjë më rrëshqiste si ngjalë, këtë radhë u pengua. I zgjata krahun që të mbështetej, por një buzëqeshje e zverdhur ia nxori zbuluar murin e nofullës”. (“A më lejon të iki”)

Ironia dhe sarkazma stigmatizojnë veprimin:

“Me femrat nuk kam raporte të mira, janë hipokrite në ndjenjat e tyre. Sa herë e lënë të hapur derën dhe nxjerrin nga një mashkull të gënjyer. Atyre u vezullojnë sytë sapo kthejnë shpinën. Në majë të gishtave zgjas kokën në brendi dhe, pa më parë njeri, sajoj një bisht për të plotësuar djallin”. (“Në majë të gishtave”)

Gjuha e autores është një gjuhë e gjallë, konkrete dhe plot kolorit.

Po e mbyll këtë diskurs modest, në radhë të parë, për kolegen e respektuar, por dhe për këtë lloj letrar elegant gati të pakomentuar në ditët tona.

Shkrimtarja Esmeralda Shpata është një prozatore serioze, e veçantë dhe e talentuar në kërkim të vazhdueshëm krijues të stilit të vet në një dilemë midis realizmit, abstraktes dhe absurdes. Ajo me këmbëngulje dhe me pasion po formëson stilin e vet të veçantë dhe të pangjashëm në prozën tonë moderne.

© Vangjush Ziko