Nuk ka Armagedon për momentin - Nga Dritan Goxhaj
Termi Armagedon ashtu si edhe në këtë rast përgjithësisht përdoret për të përshkruar një skenar të fundit të botës. Është term që gjendet në të gjitha librat fetarë, në Biblën e Krishterë në Testamentin e Ri (Harmagedon - në greqishten e vjetër; Har Megido në hebraisht) përshkruhet si vendi ku ushtritë do të mblidhen për një betejë të fundit të botës. Kurse në teologjinë Islame ajo përmendet në hadithet e Profetit Muhamed si beteja e madhe (Al-malhama Al-kubra).
Ndërkohë që Izraeli vazhdon me genocidin e tij të masakrojë palestinezët në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor dhe njëkohësisht edhe të godasë Libanin në mënyrë të padiskriminuar duke dëshmuar se është i vetmi vend në botë që mund të masakrojë, bombardojë dhe pushtojë të gjithë fqinjët e tij sipas dëshirës pa pasur asnjë pasojë direkte ndërkombëtare. Me qëllimin e vetëm e gjithë kjo të sjellë Armagedonin e shumë dëshiruar për terrorizmin zionist të shtetit të Izraelit, duke shpresuar se Irani do të kundërpërgjigjet në mbrojtje të Hezbollahut dhe kështu amerikanët do të jenë të detyruar t’i bashkangjiten menjëherë kësaj çmendurie izraelite, duke krijuar kështu atë Betejën e madhe, Armagedonin.
Po në të njëjtën kohë ashtu si Netanjahu në Izrael edhe Zhelenski i Ukrainës po mundohet me çdo mjet e kusht që të fusë në ekuacionin e tij të luftës kundër Rusisë NATO-n dhe Amerikën. Ndërkohë që Ushtria Pushtuese Izraelite bombardon civilët e pafajshëm me preteksin se po bombardon objektiva ushtarakë, Zhelenski po kërkon t’i krijojë vetes mundësinë e bombardimeve me raketa me rreze të gjatë veprimi ndaj objektivave strategjikë ushtarakë rusë në thellësi të Rusisë.
Në të dy këto raste, pavarësisht ereksionit të parakohshëm të Britanisë dhe disa politikanëve të paditur të Evropës, gjeneralët e Pentagonit janë ata që e kuptuan më së miri dhe drejtpërdrejt deklaratën e Putinit pas kërkesës së Ukrainës se “çdo lloj goditje me raketa të tilla në territorin rus do të konsiderohet si një sulm i NATO-s direkt ndaj Rusisë dhe do rezultojë në kundërgoditje të menjëhershme ndaj saj”. Kjo për arsyen se këto raketa nuk mund të përdoren nga vetë Ukraina, por duhet patjetër që jo vetëm të përdoren dhe të bëhen gati nga personeli profesionist i këtyre vendeve të NATO-s, por do të duhet që edhe gjithë fluturimi i tyre dhe futja e koordinatave të objektivave të bëhet nëpërmjet satelitëve të NATO-s dhe Amerikës. Ata e detyruan politikën britanike dhe atë të Shtëpisë së Bardhë që të refuzojë dhënien e këtyre raketave.
Sipas gazetave New York Times dhe Uashington Post, gjeneralët treguan shqetësim të madh se në rast se këto raketa do të përdoreshin në emër të Ukrainës, atëherë edhe Rusia mund të fillonte të pajiste me raketa dhe teknologji të tillë shumë forca proxy të Iranit, të cilat indirekt mund të funksionojnë në këtë rast edhe për Rusinë.
Me datën 10 shtator Zhelenski e bëri kërkesën publike, por po atë ditë erdhi reagimi i Putinit. Më datë 13 pasoi reagimi i Pentagonit dhe Shtëpisë së Bardhë, ndërsa me datë 15 erdhi demostrimi i parë i asaj që gjeneralët amerikanë e paralajmëruan. Në këtë datë Huthit në Jemen lëshuan një raketë në drejtim të Izraelit.
E veçanta e kësaj goditjeje qëndron në faktin se për herë të parë që prej 11 muajsh Huthit përdorën jë raketë hipersonike. Për njohuri, raketë hipersonike është çdo lloj rakete e cila udhëton me shpejtësi më së paku 5 herë më shumë se shpejtësia e zërit (shpejtësia e zërit shkon rreth1224 km/h).
Raketa që Huthit lëshuan drejt Izraelit përshkoi një distancë prej 1930km për 11 minuta, duke fluturuar me një shpejtësi prej 10414 km/h, dmth 8,5 herë më shumë se shpejtësia e zërit.
Për momentin vetëm tre vende të botës e posedojnë plotësisht këtë teknologji dhe janë në gjendje të prodhojnë raketa të tilla në seri, Rusia, Kina dhe Irani.
Amerika akoma nuk ka arritur të konkludojë në një armë me këtë shpejtësi pavarësisht tentativave të saj disavjeçare.
Normalisht, mund të ketë nga ata që mund të argumentojnë se këtë lloj teknologjie Huthit mund ta kenë marrë nga Irani, duke qënë se kanë qënë dhe janë gjithnji proxy të Iranit.
Në këtë rast kanë të drejtë, por ama edhe iranianët vetë, vetëm vjet arritën të prodhonin një raketë të tillë, ndërkohë që rusët kanë gati 12 vjet që kanë avancuar në një teknologji të tillë me disa lloje raketash.
E dyta e cila e bën edhe më të sigurt që kemi të bëjmë me ndihmë direkt ruse në këtë rast, qëndron në faktin e qëndrimit në trajektore të këtyre raketave pasi lëshohen.
Ashtu siç shihet, nga distanca që kjo raketë ka përshkruar (1930 km) është raketë me rreze të gjatë veprimi. Dhe ashtu si edhe raketat e NATO-s edhe këto raketa të lëshuara nga Huthit kërkojnë jo vetëm specialistët e vendit që ka prodhuar teknologjinë, por edhe koordinim të trajektores dhe objektivit me anë të satelitit.
Dhe në këtë rast as Huthi dhe as Irani nuk ka satelitë që të bëjë këtë koordinim. Por ama aleatët e Iranit, Rusia dhe Kina i kanë këta satelitë. Dhe edhe kjo raketë e lëshuar nga ana e Huthit është e pamundur që të këtë fluturuar në drejtim të Tel Avivit pa ndihmën e satelitëve ushtarakë rusë dhe sistemit të tyre satelitor GLONAS.
Gjatë gjithë kohës së fluturimit e deri në momentin që raketa ra në Izrael, ajo nuk arriti të identifikohej, e as të goditej nga sistemet e mbrojtjes kundërajrore amerikane dhe britanike në Gjirin e Adenit, ku janë stacionuar gjysma e Flotës amerikane dhe dy aeroplanbajtëse, por as nga sistemi i mbrojtjes kundërajrore izraelite Iron Dom.
Kjo raketë ishte demostrim force dhe kapaciteti nga ana e Rusisë për gjithë NATO-n, pë të treguar se çfarë mund të ndodhë në rast se ata pajisin Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi. Këto dy ditët e fundit po bëhet e ditur gjithashtu se Irani ka rreth dy javë që po negocion për Huthit me Rusinë, që kjo e fundit t’iu japë atyre raketa hipersonike anti-anije të tipit ONYX P-800.
Në rast se Rusia iu jep raketa të tilla, kjo do të thotë se gjithë Flota amerikanë në Lindjen e Mesme, ajo britanike aty dhe disa anije luftarake të disa vendeve të NATO-s mund të zhduken në një ditë.
Dhe kështu në këtë rast NATO-s dhe amerikanëve do iu ndodhte ajo që i ndodhi Perandorisë Romake në shekullin e 9-të pas Krishtit, në atë që njihet në histori si beteja e Pyllit Teutoborg në Gjermani, ku Roma humbi brënda një dite tre legjione të saj.
Për këtë arsye, ushtarakët e përgjegjshëm të Pentagonit duke i njohur këto kapacitete e ndaluan edhe kësaj here që Armagedoni të ndodhte. Pasi ata nuk duan që të jenë në pozitë të njëjtë me perandorin romak Jul Cezarin (Gaius Julius Caesar Augustus) i cili pasi i komunikuan humbjen e legjioneve, filloi të bërtiste nëpër koridoret e pallatit perandorak duke iu drejtuar komandantit të legjioneve të asgjësuara i cili më pas vrau veten:
“Quintili Vare, legiones redde!” (Quintili Vare më kthe legjionet e mia!)
© Dritan Goxhaj