Opinione

Kursimet fatale, ambasada më e rëndësishme pa shofer dhe pothuaj pa diplomatë - Nga Enver Robelli

Në numrin e fundit revista NIN e Beogradit shkruan se dikur në rajon primatin në marrëdhëniet me Uashingtonin e mbanin shqiptarët e Kosovës dhe boshnjakët, ndërsa tani e ka marrë pushteti në Serbi. Si erdhi deri këtu?

Përgjigjja gjendet në Departamentin e Drejtësisë të SHBA, aty ku zyrat private për konsulenca duhet të deklarojnë kontratat e tyre me shtete apo organizata të huaja. NIN shkruan se pas disa viteve pauzë, në vitin 2023, ambasadori i atëhershëm në Amerikë, Marko Gjuriç, nënshkroi kontratat për angazhimin e dy shtëpive lobuese. Rreth tre muaj më parë, këto kontrata u vazhduan. “Shtëpia lobuese KARV ka nisur sërish të punojë për Qeverinë e Serbisë që nga 17 korriku. Sipas një kontrate njëvjeçare, qeveria është e detyruar të paguajë 60’000 dollarë në muaj plus shpenzime shtesë. Për Ambasadën e Serbisë në SHBA është angazhuar grupi BGR për 50’000 dollarë në muaj për një periudhë njëvjeçare”.

Domethënë, qeveria serbe jep minimum 110’000 dollarë në muaj për të lobuar në Uashington ose rreth 1,3 milion dollarë në vit.

Kosova lehtësisht do të mund të jepte dhjetëfishin. 13 milionë dollarë do të ishin një investim i duhur në Uashington për të mirën e Kosovës. Qeveria e Kosovës mburret se buxheti për vitin 2025 do të jetë 3,6 miliardë euro.

Për t’i ndarë, ta zëmë, 13 milionë për lobim, Kosova do të duhej të kishte politikanë udhëheqës që e kuptojnë se përkrahja nuk fitohet duke u thirrur në “miqtë tanë të përhershëm”, në “ndërhyrjen e suksesshme të NATO-s”, në “të arriturat demokratike të Kosovës” etj., etj. Përkrahja fitohet jo duke u marrë me cikërrima - “kaq kemi kursyer” -, por duke gjetur mënyra për të depërtuar te vendimmarrësit në Uashington. Detyra e qeverisë nuk është të kursejë, por të harxhojë buxhetin në të mirë të shtetit.

Ndërsa një firmë konsulencash në kryeqytetin e SHBA çdo vit merr 600’000 dollarë nga Beogradi për ta përkrahur punën e Ambasadës së atjeshme të Serbisë, Ambasada e Kosovës në Uashington ka vetëm dy-tre diplomatë dhe ambasadori, për fat të keq, detyrohet të kryejë edhe një punë tjetër: atë të shoferit. Sepse Ambasada nuk ka as shofer.

Ndërkohë që qeveria serbe ka siguruar qasje të thellë në të dy partitë amerikane, kryeministri i Kosovës mban ligjërata mbi problemet e së majtës në botë, kurse ministrja e tij e Jashtme duket se ndihet më komode në takime me diasporën ose pjesëmarrje në ndeshje futbolli të ekipeve të diasporës. Në takimet me mërgatën shpesh nuk mungon as kryeministri. Në vitin 2017, Ministria e Jashtme i urdhëronte diplomatët të kthehen në Kosovë për të ngjitur posterë për PDK-në, tash disa ambasada - nën sloganin propagandistik se kryeministri apo ministrja e tij e Jashtme po zhvillojnë “takim me bashkatdhetarë”- lejojnë të bëhen pjesë e fushatës elektorale.

Shtëpia lobuese amerikane KARV, e cila punon për qeverinë serbe, drejtohet nga Andrew Frank, një ekspert për komunikim në kohë krizash. Frank ka punuar në administratën e presidentit Bill Clinton. Sipas NIN “grupi BGR, që punon për ambasadën (e Serbisë në Uashington), është një nga firmat kryesore të lobimit dhe relacioneve publike në Uashington, me lidhje të mira si me republikanët ashtu edhe me demokratët. Firma është e njohur për aftësinë e saj për të ndikuar në politikë dhe opinionin publik përmes lidhjeve të ngushta në Uashington. Edhe pse pozicionohet si e afërt me të dyja partitë amerikane, grupi BGR ka rrënjë të forta republikane, çka do të thotë se ka lidhje të mira me administratën e sapozgjedhur”.

Kjo nuk është e tëra sa i përket investimeve të shtetit serb në Uashington. NIN shkruan se ka pretendime jozyrtare se këshilltar i pushtetit në Beograd është John Rendon, një konsulent i specializuar për operacione psikologjike (me fjalë të tjera: një ekspert i larë, i shpëlarë dhe i ndotur me të gjitha ujërat, aktiv në qarqet politike në Uashington nga vitet 1980-të dhe, sipas gazetarëve të famshëm amerikanë, i lidhur me shërbimin sekret CIA). Në burime të hapura në internet mund të gjenden shkrime nga qershori i vitit 2023 në të cilat thuhet se Rendon është duke e këshilluar qeverinë e Serbisë lidhur me dialogun me Kosovën dhe marrëdhëniet me Rusinë. NIN është i bindur se John Rendon është lidhur me pushtetin në Beograd përmes ambasadorit aktual Christopher Hill. Të dy njihen nga koha kur operonin në Irak: njëri si specialist për relacione publike, tjetri si diplomat amerikan.

Kur para disa ditësh biseduan përmes telefonit presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump dhe kryetari serb Aleksandar Vuçiç, të pranishëm ishin edhe Elon Musk dhe Christopher Ruddy. Kush është ky i fundit? Në janar 2010, gazeta britanike “Daily Telegraph” e renditi Ruddy si njërin nga “100 konservatorët më të fuqishëm” në SHBA dhe nënvizoi: “Chris Ruddy është një lojtar gjithnjë e më i fuqishëm edhe në mediat konservatore dhe përtej tyre.”

Ruddy është mik i ngushtë dhe i ngahershëm i Donald Trumpit, si dhe drejtor ekzekutiv i stacionit televiziv “Newsmax”, i cili ka nisur së fundmi të transmetojë program për Serbinë në bashkëpunim me Telekomin serb. “Newsmax” mbështet republikanët. Deri këtu nuk u përmendën fare edhe disa kontakte të tjera të ngushta të regjimit në Serbi me këshilltarë dhe familjarë të presidentit të zgjedhur amerikan.

Është e vërtetë që presioni ndaj qeverisë së Kosovës në katër vitet e fundit nga Uashingtoni dhe Brukseli ka qenë i pabalancuar dhe shpeshherë i padrejtë. Por kjo situatë e pakëndshme nuk duhet të shërbejë si arsyetim nga qeveria për mosveprim në politikën e Jashtme. Fjalimet patetike të krerëve të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nuk sjellin asgjë konkrete. Janë si lojëra tenisi ku publiku (eventualisht) i brohoret lojtarit të vet. Duhet zhvillim i mendimit strategjik, duhen plane konkrete, duhet kuptim më i gjerë i dridhjeve tektonike në politikën botërore.

Për të gjitha këto duhen profesionistë, duhen zyrtarë kompetentë. Duhen dhe shefa që kërkojnë llogari nga çdokush që ngarkohet me një përgjegjësi të caktuar. Duhet të jetë më aktive edhe presidentja e Kosovës, sepse, siç po shihet ashiqare, krerëve të shtetit po u mungon një koordinim i duhur dhe një strategji e përbashkët për politikën e Jashtme. Kjo mangësi nuk mund të mbulohet me vizita dosido dhe takime dosido në SHBA apo vende të tjera.

© Enver Robelli - KOHA