Opinione

Shqiptarët dhe padrejtësia - Nga Xhevdet Nasufi

Referuar mentalitetit të trashëguar nga Jugosllavia komuniste drejtësia në Maqedoninë e Veriut është e padrejtë edhe sot për shqiptarët, por ama po ajo drejtësi neglizhohet, goditet dhe abuzohet edhe nga vetë shqiptarët.

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) si qeveritare në fundvitet nëntëdhjetë me VMRO ndërtoi bashkqeverisje të avancuar të paqenë gjer tani, por në sinkron nisi edhe skajimin e drejtësisë nga vetë shqiptarët në pushtet. Mentaliteti oligark shqiptar këtë abuzim të drejtësisë e përshpejtoi, mbase edhe e masivizoi gjatë qeverisjes së Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), ndoshta edhe si kundërvlerë dhe barazpeshë me maqedonasit që e kishin “privelegj” etnike abuzimin me drejtësinë.

Pra, abuzimi dhe neglizhimi i drejtësisë në këto rrethana nga shqiptarët mori edhe ngjyrim patriotik, përkundër faktit se krimi ordiner nuk njeh komb apo fe. Ky mentalitet abuziv evoluoi shqetësueshëm gjatë qeverisjes pothujase burokratike të BDI që përceptohet si sfilatë pasurimi e individëve të caktuar të po kësaj prejardhjeje politike. Kjo mbrapshti veprimi kontribuoi dukshëm në defokusimin e vemendjes së shqiptarëve, aq sa edhe Marrëveshja e Ohrit (MO) që ishte letërhyrëse e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian e humbi sensi e vet. Për fat të keq, sot kjo marrveshje as që përmendet si objektiv për në BE, por fuqishëm ka filluar të goditet (edhe nga shqiptarët), fillimisht dy shtyllat e saj tejet domethënëse: Së pari integrimi i shqiptarëve në shtet dhe administratë shteterore; Së dyti, gjuha shqipe si gjuhë zyrtare. 

Raporti negativ i shqiptarëve me drejtësinë është tejet negativ edhe në Shqipëri. Ky vend po ashtu ka trashëguar sistemin komunist në sensin e zbatimit të drejtësisë diskriminuese, por këtu në baza ideore dhe prejardheje politike. Në kundërshti me demokracinë pluraliste drejtësia konsumohet konsiderueshëm edhe për interesa ilegjitime nga individët e pushtetshëm që në perceptimin e përgjithshëm mund të ilustrohet edhe si metastazë e rrezikshme për shëndetin e shtetit.

Mu ky raport me drejtësinë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut ka ndihmuar të totalitarizohet pushteti. Andaj nuk është e rastësishme goditja e pluralizmit politik në Shqipëri, kurse në Maqedoninë e Veriut një parti politike (BDI) qeverisi pothuajse një çerek shekulli, rekord ballkanik. Dhe logjikshëm, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kryesojnë listen e vendeve më të koruptuar në Ballkan dhe për pasoje, të dy vëndet jetojnë me plagën më të rëndë dhe më të dhimbëshme që mund ta godasë një vend në tranzicion, korrupsionin dhe me dështimin i shtetit të së drejtës, gjyqësorit posaçërisht.

Gjithsesi, shqiptarët nuk mundet ta relativizojnë drejtësinë, edhe më pak ta sforcojnë paarsyeshmërinë për të përshtatur veten me nevojen e përgjegjshmërisë konform drejtësisë si bazament për të ngritur kombin dhe shtetin modern. Sot gjyqësori në Maqedoninë e Veriut është në nivel alarmant mosbesimi qytetar për shkak të mosfunksionimit në përputhje me drejtësinë dhe drejtshmërinë si sens moral. Është nonsens që Kushtetuesja në kundërshtim me drejtshmërinë e sanksionuar politikisht dhe juridikisht nga institucionet përkatëse të godasë dy parime themelore të paqes, sigurisë dhe barazisë etnike në Maqedoninë e Veriut:  Integrimin e shqiptarëve në shtet, por siç është paralajmëruar edhe gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare. Dhe si epilog, vallë shqiptarët janë aq të paarsyeshëm që të mos i përshtaten kohës dhe nevojave imediate për drejtësi dhe barazi, por edhe për përgjegjësinë e tyre për vendimet e padrejta, përfshi edhe vendimin e Kushtetueses së Maqedonisë së Veriut?

Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, Kosova si shteti më i ri në Evropë e tejkaloi suksesshëm përballjen me drejtësinë, me mentalitetin e së kaluarës dhe suksesshëm e ndërtoi shtetin demokratik. Ligjzbatimi (shteti i së drejtës) u promovue në përmasa të përputhshme me shtetin në tranzicion. Megjithatë, ndodhi përjashtimi edhe në Kosovë në momentin kur Kuvendi derogoi kompetencën eksluzive gjyqësore të Kosovës për në Gjykaten Speciale në Hagë. Pra, gjersa sensi ontologjik i fenomenit të ndërtimit të shtetit të së drejtës në Kosovë kishte rrjedhën logjike, ndryshimi ndodhi nga vetë Kuvendi i Kosovës që e derogoi kompetencën vendore dhe lëndore në Hagë, në mungesë të kurajos dhe rezistimit të shqiptarëve kundër shqiptarëve, pavarsisht fajësisë apo pafajësisë.

© Xhevdet Nasufi