Marrëveshja e Ohrit dhe papërgjegjësia e politikës - Nga Xhevdet Nasufi
I.
Në kontinuitet politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut që nga viti 2002 e këndej propagandoi heqjen e 20% si kriter për shqipen si gjuhë zyrtare, por koha provoi se ky ishte politikanizëm i egër. Në 11 dhjetor që është në prag, mundet edhe 20% të vendoset në antikitet dhe politikanët shqiptarë, pozitë dhe opozitë, dje dhe sot t’i përkulen Mickoskit për lëmoshë dhe konçension për gjuhën shqipe (?!). Populli thotë, kur grinden minjtë, kismeti është i maces. Partitë BDI dhe VLEN janë duke e ngrënë njëra-tjetrën, gjithsesi jo për ta mbrojtur gjuhën shqipe, por si e më lehtë të shpëtojnë nga turpi. O tempora, o mores!
Ishte ngadhnjim qytetar dështimi i BDI për të qenë pjesë e qeverisjes pas zgjedhjeve të fundit. Mjerisht po bëhet po aq zhgënjim edhe dështimi i qeverisë së re, që posa u themelua në bashkëveprim me Maksimin dhe Stoilkoviçin rifilloi fërkimet dhe konfliktet e vjetra shqiptaro-maqedone. Bile, në gjykimin e autorit të këtyre rreshtave, kur menduam se u tejkaluan të njëjtat para më shumë se dy dekada kur e nënshkruam Marrëveshja e Ohrit, koha po na shpërfill bujshëm, sidomos ne aktorët e saj, sepse dështimet intensive të politikës shqiptare për një çerekshekull bëjnë që të mos njihet ajo që nënshkruam në vitin 2001.
Dhe nëse këto fërkime ndëretnike realisht nuk është pritur të çfaqen kaq konfrontuese, edhe instrumentalizimi i tyre nga politika shqiptare dhe maqedonase nuk është pritur të jetë po aq iracional. Nëse ky instrumentalizim i Mickoskit dhe Siljanoskës mund të cilësohen si revanshizëm politik ndaj avancimit afirmativ të shqiptarëve në Ballkan e më gjërë në mbarim dhe fillimshekull, politikanët shqiptarë zbatuan metoda edhe manipulative për të marrë dhe ushtruar pushtet dosido. Ishte ky agonizim i politikës shqiptare, që realisht shqiptarët e paguan me shpopullim të frikshëm të vendit, por edhe më keq, po u rikthehet pasiguria për të drejtat e tyre.
Si rrjedhojë, nëse një çerekshekull politika shqiptare nuk avancoi Marrëveshjen e Ohrit, maqedonasit filluan ta zhbëjnë ate. Bile sot, në vend që shqipja realisht të bëhet gjuhë zyrtare reale, pushteti aktual e ka nisur edhe kështu të mangët ta dërgojë në antikitet. Kushtetuesja, nëse edhe pak ka sens për kushtetutshmëri, për politikë, sigurisht mund ta shtyjë debatin caktuar për 11 dhjetor, por jo edhe tendencën për zhbërje, tendencë që sfidon.
Është spiritual vlerësimi se politika e keqe, e papërgjegjëshme, çrregullon raportet në shoqëri. Në shtetet multietnike dallimet lehtë fetishizohen dhe rritet intensiteti i konfliktualitetit. Andaj, as Mickoski dhe askush tjetër s’ka pse i fërkon duart, pasi efektet negative për shqiptarët nëse zhbëhet gjuha shqipe si gjuhë zyrtare, do të reflektohen edhe te maqedonasit dhe kushdo tjetër që jeton në Maqedoninë e Veriut.
II.
Janë dy momente që i stigmatizojnë politikanët shqiptarë sot dhe dje:
Së pari, tendenca që Marrëveshja Kornizë e Ohrit hap pas hapi të shkojë në rivlerësim, rishqyrtim dhe rianalizë në Komisionin e Venecias, proces të cilin e nisi Bashkimi Demokratik për Integrim dhe me zell po e vazhdon VLEN. Kjo është pabesi dhe përpjekje e fuqive destruktive për të shantazhuar Marrëveshjen e Ohrit.
Së dyti, është hipokrizi politike që shqiptarët në pushtet e mirëpresin dhe e ripërsërisin publikisht pothujse çdo ide dhe gjykim politik të Mickovskit jashtë kontekstit të seleksionimit kritik. Kjo apologji politike ndaj kryeministrit e rrit autoritarizmin e tij në ushtrimin e pushtetit, e rrit dhe masovizon idenë për shtet unitar-etnik të maqedonasve në Maqedoninë e Veriut.
Pse nuk duhet për gjykim? Komisioni i Venecias është institucion këshillëdhënës juridik i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Marrëveshja e Ohrit mes shqiptarëve dhe maqedonasve është marrëveshje politike. Nëse duhej që ajo të shkonte në Venecia, duhej të dërgohej edhe nga BE apo SHBA në vitin 2001 si lehtësusesit dhe garantuesit për zbatimin e saj. Pra, si akt politik, Marrëveshja e Ohrit nuk ka sens të vlerësohet në Venecia, por as t’i nënshtrohet mekanizmave konfliktuale të Mickovskit, pasi edhe VMRO e ka nënshkruar. Pra, Marrëveshja e Ohrit nuk dërgohet në Venecia për avancimin e shqipes, por për qëllimin që të zhbëhet zbatimi i saj. Referuar parimit se çdo kontratë është ligj mes palëve, ngrihet dyshimi: Pse Mickovski tinëzisht dëshiron hap pas hapi ta zhbëjë, jo vetëm gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, por edhe Marrëveshjen e Ohrit?
© Xhevdet Nasufi