Opinione

Mbi një propozim të presidentit Trump që pritet të hapë debat - Nga Thoma Gëllçi

Donald Trump ka propozuar sërish një ide që pritet të hapë një debat të madh publik dhe juridik: shfuqizimin e së drejtës së shtetësisë me lindje në SHBA përmes një urdhri ekzekutiv. Ky propozim, i cili është shfaqur herë pas here gjatë fushates elektorale, u risoll në vëmendje nga presidenti i zgjedhur Donald Trump gjatë një interviste televizive në emisionin “Meet the Press”. Ideja e tij, e përfshirë në kuadrin e luftës kundër emigracionit të paligjshëm, sfidon një nga parimet themelore të Kushtetutës amerikane, të përcaktuara në Amendamentin e 14-të, që garanton se çdo person i lindur në tokën amerikane është automatikisht qytetar i Shteteve të Bashkuara.

Gjatë intervistës, Trump pretendoi se SHBA është i vetmi vend që zbaton këtë rregull. Ky pohim është i pasaktë, pasi mbi 30 vende të tjera, përfshirë Kanadanë, njohin të drejtën e shtetësisë me lindje. Propozimi i tij ngre jo vetëm pyetje të forta politike, por është gjithashtu jashtëzakonisht kompleks nga pikëpamja juridike.

Amendamenti i 14-të, i miratuar pas Luftës Civile Amerikane, kishte për qëllim garantimin e të drejtave të plota për të gjithë individët e lindur në SHBA, veçanërisht për ish-skllevërit e çliruar. Teksti i tij deklaron: "Të gjithë personat e lindur ose të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara dhe që i nënshtrohen juridiksionit të saj, janë shtetas të Shteteve të Bashkuara."

Kundërshtarët e propozimit të Trump theksojnë se ky formulim është i qartë dhe nuk lë hapësirë për interpretime që do të përjashtonin një kategori individësh. Në një vendim historik të vitit 1898 (Shtetet e Bashkuara kundër Wong Kim Ark), Gjykata e Lartë konfirmoi se një fëmijë i lindur në SHBA nga prindër me qendrim ilegal, por që jetonin në SHBA, kishte të drejtën e shtetësisë.

Trump përpiqet të interpretojë ndryshe konceptin e "juridiksionit", duke pretenduar se prindërit që ndodhen ilegalisht në vend nuk i nënshtrohen plotësisht juridiksionit amerikan. Ky argument është i kontestuar, pasi çdo individ që jeton brenda SHBA, pavarësisht statusit të tij, i nënshtrohet ligjeve amerikane - ai mund të arrestohet, dëbohet ose dënohet. Për këtë arsye, shumë juristë argumentojnë se, për aq kohë sa një person duhet t’i bindet ligjit amerikan, ai i nënshtrohet juridiksionit amerikan.

Nga një këndvështrim praktik, ideja se një urdhër ekzekutiv mund të ndryshojë një amendament kushtetues është gjerësisht e kontestuar. Ndryshimi i Kushtetutës kërkon një proces të ndërlikuar, që përfshin miratimin e dy të tretave të Kongresit dhe ratifikimin nga tre të katërtat e shteteve. Asnjë president nuk ka fuqinë të ndryshojë Kushtetutën me një firmë të vetme. Juristët theksojnë se, nëse Trump do të lëshonte një urdhër të tillë, ai do të sfidohej menjëherë në gjykata dhe, me shumë gjasa, do të pezullohej.

Ndërkohë, shumë e shohin këtë propozim si një lëvizje politike për të forcuar mbështetjen e bazës së tij elektorale. Emigracioni ka qenë një nga temat qendrore të fushatës së tij dhe një nga çështjet që ndez më shumë emocionet dhe ndarjet politike. Edhe nëse ky propozim nuk realizohet kurrë, ai i jep Trump mundësinë të dominojë diskursin publik dhe të forcojë imazhin e tij si një lider që "nuk i trembet asgjëje".

Për emigracionin e paligjshëm shqiptar, një vendim i tillë do të kishte pasoja të rëndësishme. Aktualisht, një numër i konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë jetojnë në SHBA, disa prej të cilëve ndodhen në situatë të pasigurt ligjore. Sipas disa burimeve, emigrantët shqiptarë përbëjnë një nga grupet me rritje më të shpejtë në SHBA gjatë dekadave të fundit. Ndryshimi i rregullave për shtetësinë do të ndikonte drejtpërdrejt në fëmijët e lindur në SHBA nga prindër shqiptarë që nuk kanë status të rregullt, duke i privuar ata nga një prej të drejtave themelore që aktualisht gëzojnë.

Kjo do të rrezikonte të krijonte një gjeneratë të re individësh pa shtetësi të qartë, të cilët do të përballeshin me vështirësi për t’u integruar në shoqërinë amerikane. Ndërkohë, një masë e tillë mund të shërbejë si një sinjal negativ për emigrantët e rinj, duke reduktuar fluksin e emigrantëve, përfshirë shqiptarët, që synojnë të ndërtojnë një të ardhme në SHBA.

Në fund, kjo çështje ngre pyetje të rëndësishme për të ardhmen e të drejtave kushtetuese në SHBA. A do të përpiqet një president të sfidojë një parim themelor të Kushtetutës përmes një urdhri ekzekutiv? Dhe, nëse një precedent i tillë vendoset, çfarë pasoja do të ketë kjo për parimet e tjera kushtetuese?

Një prej argumenteve kryesore kundër këtij propozimi është se ai përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në të drejtat e individëve të garantuara nga Kushtetuta e SHBA. Ky ndryshim do të krijonte një precedent të rrezikshëm për të ardhmen, duke minuar të drejtat themelore të qytetarëve. Në nivel juridik, ai mund të shkatërrojë ekuilibrin mes degëve të qeverisë dhe të dobësojë sistemin demokratik të kontrollit dhe balancës.

Ne na mbetet vetëm të presim dhe të shohim.

© Thoma Gëllçi