Opinione

RTSH nuk duhet ta shesë sapunin për djathë kur flet për Kanadanë

Nga: Taulant Dedja

Ka disa muaj që RTSH, televizioni publik i shqiptarëve, ka nisur transmetimin e një emisioni të titulluar URA, emision i cili i kushtohet diasporës. Eshtë një nismë që duhet përshëndetur. Drejtuesin e emisionit, Artur Bejzade, e kam mik të vjetër që nga koha e studimeve në Institutin e Lartë të Arteve.

Si pjesëtar i komunitetit shqiptaro-kanadez prej më shumë se dhjetë vjetësh, por edhe si një nga botuesit e Portalit online FlasShqip.ca, e ndoqa me interes emisionin e fundit ku ishte e ftuar kryetarja e nderit e Shoqatës Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze të Torontos, Zj. Ruki Kondaj. Natyrisht, cilido merr pjesë në forume të tilla, është i lirë të paraqesë të dhëna dhe fakte rreth aktivitetit personal; dhe personi në fjalë meriton padyshim të vlerësohet, bashkë me të tjerët që ajo përmendi, për kontributin dhe angazhimin e vazhdueshëm në kuadër të shoqatës së Torontos, qytetit me përqëndrimin më të madh të shqiptarëve në Kanada, ku operojnë gjithashtu edhe shoqata me objekt më specifik se SHBSHK.

Disa mendime që do të rendis më poshtë, ia kam shprehur miqësisht në mënyrë direkte drejtuesit të emisionit URA, duke qenë i bindur për faktin se informacioni që ai ka patur në lidhje me komunitetin shqiptaro-kanadez vështirë se mund të jetë i plotë, për të mos thënë që ka qenë dhe i pasaktë.

Në bisedën për Kanadanë, u përmendën shumë tema, njëra ndër të cilat ishte dhe miratimi i një ligji nga Parlamenti i Ontarios, që njeh muajin Nëntor si muajin e trashëgimisë kulturore shqiptare në provincë. Nga drejtuesi i emisionit madje, kjo u quajt si suksesi me i madh i shqiptarëve në botë. Një shprehje e tillë nuk është as më pak e as më shumë, ta shesësh sapunin për djathë, sepse sukseset e shqiptarëve në Kanada apo nëpër botë, janë aq të shumta, sa që nuk mund të krahasohen asfare me një ligj, që sa është pozitiv në vetvete, aq është dhe i panevojshëm në një vend ku multikulturalizmi është vetë themeli i ekzistencës së shtetit.

Besoj që lapsusi i mikut tim Artur Bejzade vjen nga mungesa e informacionit. Mbase mund të jemi rasti i dytë që kemi një ligj të tillë në Ontario, por në dijeninë time, të gjitha komunitetet që bashkëjetojnë në Kanada, nuk kanë aspak nevojë për “special law” për të ruajtur identitetin, apo për të promovuar kulturën e tyre.

Ndryshe nga ideja që të krijonte paraqitja në bisedë nga drejtuesi, pra sikur në Kanada ka një shoqatë kryesore dhe të tjerat janë si “antena” nëpër provinca, jam përpjekur sot t’i shpjegoj mikut tim, që në Kanada ka të paktën 13 shoqata të regjistruara, të pavarura nga njëra-tjetra, të gjitha shumë aktive. Sikurse dhe u përpoqa t’i shpjegoj (sepse u fol për Kanadanë në tërësi), edhe pse në emision nuk u përmend fare, që pa patur ndonjë ligj të veçantë në provincën e Quebec-ut, shqiptarët e Montreal-it e kanë qysh në vitin 2012 sheshin ‘Nënë Tereza” ku është vendosur dhe monumenti i shenjtores Nobeliste me origjinë shqiptare. Po kështu, pa ndihmën e ndonjë ligji special, shqiptarët e Vancouver, Halifax apo London, marrin rregullisht pjesë në aktivitete multikulturore dhe përfaqësojnë denjësisht traditat tona. Apo akoma më tej, pa “ndihmën” e ligjit të Trashëgimisë, Shoqata Shqiptaro-Kanadeze e Hamilton-it në Ontario, e ka blerë tashmë ambientin për “Shtëpinë Shqiptare”. Ai po rinovohet me kontribut vullnetar dhe për pak javë inaugurohet. Ka dhe plot shembuj të tjerë. RTSH, sigurisht nuk e di që në Kanada, ka dhe producentë të 14 filmave si Albert Xhaferri. 

Meqënëse së shpejti do të krijohet edhe Këshilli Koordinativ i Diasporës, temë e cila u përmend në emision, e gjej me vend të them, jo vetëm për informacion për RTSH, që Kanadaja po jep shembullin si i vetmi shtet ku procesi i propozimit të kandidatëve po kryhet me transparencë, pa përjashtuar asnjë shoqatë, falë kjo edhe kontributit të mediave që flasin shqip, e që janë më shumë se një.

Së shpejti portali Flasshqip.ca do t’i bëjë publikë mbi 13 emrat e propozuar, të gjithë me arritje dhe kontribute të padiskutueshme. Besoj që kjo do t’i vlejë edhe RTSH për të kuptuar më mirë se sa shumë shqiptarë të sukssesshëm ka në Kanada dhe cilët janë realizimet apo arritjet e tyre më të medha, natyrisht jo më të mëdhatë në botë, sepse çdo gjë është relative…