Opinione

Shqiptarët nuk kanë ende ndërgjegje shtetformuese - Nga Kostandin Ristani

Vështrim mbi forcat politike vepruese shqiptare pas Luftes së Dytë Botërore

Në vazhdim të ciklit të shkrimeve me temë mbi shtetin shqiptar të pas Luftës së Dytë Botërore, kësaj radhe po i përkushtohem analizës së forcave politike të krijuara e vepruese në Shqipëri gjatë kësaj periudhe. Përsëri dëshiroj të theksoj se kjo nuk është një analizë studimore historike e mbështetur mbi referenca përkatese të botuara nga studiues apo autorë të tjerë; ndaj nuk marr iniciativen që të përfshij historinë e forcave politike të shtetit shqiptar për periudhën kohore e cila del jashtë formimit, arsimimit e përjetimit tim personal kohor. Në ndonjë aspekt historik nuk pretendoj që të jap shpjegime e analiza që kanë të bëjnë me fushën kërkimore të ngjarjeve historike dhe të historisë sepse nuk jam specialist dhe studiues i kësaj fushe. Në këtë shkrim jap vlerësimet e mia personale duke analizuar, krahasuar dhe peshuar vetëm ngjarjet e faktorët që mendoj se i shërbejnë në mënyrë besnike kësaj analize.  

Një shtet modern i sotëm i stilit perëndimor, është rezultat i ndërthurjes së arritjeve shekullore evolucionare apo revolucionare përmbysëse të udhëhequra nga grupime apo forca politike të organizuara dhe vepruese në atë shtet. Në një shtet të përcaktuar si më sipër këto grupime apo forca politike cilësohen si parti politike. Ato përfaqesojnë interesa të fuqishme grupesh që i mbajnë partitë vepruese dhe të financuara për të mundësuar qeverisjen e tyre në shërbim të interesave të anëtarëve më të fuqishëm ekonomikisht të grupeve dhe njëkohësisht të atyre me ndikim të madh shoqëror si brenda ashtu edhe jashtë grupeve. Fillimet e partive e forcave politike në shtetin modern të sotëm kanë histori të pasur, cilësore, transformuese, përplasëse, dështimesh, suksesesh, synimesh, programesh, qeverisje, perfaqesimi, etj. Nuk mund të mendohet aspak që programet, struktura organizative, drejtimi, financimi, anëtarësimi, statuti dhe konkurimi janë arritur lehtë dhe në një afat kohor të shkurtër. Përparimi drejt përsosjes për të arritur synimet politiko-qeverisëse vazhdojnë gjithmonë edhe sot.

Për periudhën të cilës i referohem, fillimet e një force politike vepruese në Shqipëri janë të lidhura me formimin e Partisë Komuniste Shqiptare (PKSH) gjatë pushtimit fashist italian. Kjo qe meritë e diktatorit despot Enver Hoxha, i patreguar e i panjohur akoma si i tillë në ato fillime. Nga mënyra se si u parashutua Hoxha në Shqipëri dhe përkrahja që pati për të bashkuar grupimet fillestare me prirje politike në një parti politike, krijon besueshmërisht përshtypjen se ai ishte rekrutuar nga një veprimtari e huaj si kandidati më i përshtatshëm për synimet gjeopolitike të tyre. Dëshëroj të sqaroj e theksoj forcërisht se përdorimi im i cilësimit “i rekrutuar” nuk ka aspak atë njehsim e barazpeshë që përdorej në kohën e diktaturës puniste apo ndonjëherë edhe sot nga media mediokre e vulgare si “armik”, “tradhëtar”, agjent”, “spiun”, etj. Rekrutimi është veprimtari përzgjedhëse e drejtpërdrejtë ose e tërthortë nga grupime ose organizma të interesuara për të propozuar e vendosur në një pozicion, rol apo funksion të caktuar një individ që përmbush cilësitë që ata mendojnë e janë të bindur se do të ndjekë, i imponuar ose i influencuar, atë linjë e drejtim që do t’u interesojë atyre grupimeve apo organizmave. Me sa duket Hoxhës i interesonte ky lloj rekrutimi sepse siç tregoi koha ai kishte ambicie e synime më të mëdha politike e sunduese aq sa që ju doli nga duart grupimeve apo organizmave që projektuan rekrutimin e tij. Por ky shkrim nuk ka për qëllim të analizoje krijimin, formimin dhe veprimtarinë e diktatorit Hoxha dhe aspak figurën e tij komplekse prej despoti karizmatik e sunduesi bizantin dhe aspak komunist siç pretendonte apo pozicionohej me shumë pasion e demagogji. Në thelb Hoxha qe një mbret-diktator i pakurorëzuar, me pushtet absolut të pakufizuar por i vetëquajtur Sekretar i Parë.   

Me qenë se e konsideroj të rëndësishëm për këtë analizë, dëshëroj së pari të përshkruaj mjedisin e kaluar historiko-intelektual të dijes e traditës sonë kombëtare mbi ndërtimin e përfaqësimit politik në jetën tonë shoqërore ndër shekuj. Si Ilirë ne jemi pushtuar nga Perandoria Romake e cila nuk arriti të na injektojë e mëkoje mënyrat dhe eksperiencën e grupimit politiko-qeverisës; madje jo vetëm neve por as edhe kombeve te tjere që pushtoi, nënshtroi apo edhe atje ku pati selinë e pushtetit të saj qendror e të administrimit të pushtimeve e zotërimeve teritoriale. Ndërsa dyndja sllave në trojet iliro-shqiptare shkatërroi përfundimisht atë pak qyteterim qeverisës romak që mund të kishte depërtuar në mjedisin iliro-shqiptar. Kultura sllave nuk kishte krijuar për vete asnje lloj qeverisje me grupime politike e jo më ta kalonte këtë përvojë në trojet iliro-shqiptare. Më pas, ato troje iu nënshtruan qeverisjes së Perandorise Bizantine e cila po ashtu nuk la gjurmë qyteterimi e nuk krijoi një traditë, një qeverisje e një administrimi të drejtuar dhe zotëruar nga grupime politike me ato fillesa që grupimet e interesave politike kishin filluar te çfaqeshin në vendet ku kishte sundimin dhe influencën Perandoria Romake (Perandoria e Shenjtë).

Pas rënies së Perandorisë Bizantine dhe vendosjes së Perandorisë Otomane në të gjitha zotërimet Bizantine ballkanike, trojet iliro-shqiptare iu nënshtruan një qeverisje despotike akoma më të theksuar se ajo Bizantine. Por ama per të qenë objektivë me Perandorine Otomane, ajo pati disa arritje të cilat mund të konsiderohen si fillesa të qeverisjes e administrimit të konsoliduar shtetëror. P.sh. invetarizimin e saktë e periodik të zotërimeve perandorake, koloniale e pushtuese vetëm Perandoria Britanike, Franca dhe Perandoria Otomane patën largpamësinë dhe mençurinë që ta krijojnë me rreptësi me buxhet dhe me organizim njerëzor që edhe sot e kësaj dite qëndron si themel në të gjithë ato shtete që e vazhduan apo përvetësuan këtë sistem invetarizimi rigoroz e të saktë. Ky sistem është guri i themelit të pronësisë individuale, kolektive apo publike mbi të cilat ndërtohet sistemi taksues shtetëror kundrejt zotërimeve dhe të ardhurave që burojnë nga të gjitha këto zotërime.     

Pra, deri në Pavarësi, kur Evropa Perëndimore kishte konsoliduar shtetet moderne me qeverisje dhe administrim politik të zotëruara nga grupe të fuqishme kombëtare me interesa ekonomiko-sociale dhe me një sistem të marrëdhënieve kapitaliste që po lulezonte në mënyrë agresive pa u ndalur, shoqëria shqiptare post-otomane në mënyrë dominuese jetonte në një marrëdhënie primitive fisnore parafeudale. Mjedisi shqiptar njihte vetëm qeverisjen dhe administrimin otoman dhe duke e përjetuar thellë këtë qeverisje si administrim prej pushtuesi i kundërvihej me psikologjinë se si ti “bënte bisht” asaj.

E vetmja traditë për t’u admiruar dhe shënuar ishte qeverisja dhe administrimi vendor i fshatrave e katundeve me sistemin kuvendor e kryepleqësor. Ky është një sistem që duhet të na krenojë ne shqiptarët si komb për një mënyrë qeverisje e administrimi të pakrahasueshëm paqësor, racional e nderues të krijuar nga vetë ne e të pahuazuar nga të tjerët. Fatkeqësisht ky sistem u shpërbë nga organizata e Frontit Demokratik e mbushur me informatorët e infiltruar apo emëruar nga PKSH e PPSH.

Tre momente të historisë së shqiptarëve mendoj se duhen veçuar në këtë analizë:

1)Lidhja e Lezhës si një përpjekje madhështore politike por e pasuksesshme për të krijuar një bashkim që do të çonte në krijimin e mbretërisë shqiptare;

2)Lidhja e Prizrenit si nje përpjekje politiko-patriotike që do ti paraprinte krijimit të shtetit shqiptar në trojet iliro-shqiptare. Edhe kjo nuk e arriti dot këtë qëllim politik e kombëtar;

3)Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë si një akt monumental patriotik i suksesshëm, por i pakonturuar e mbështetur politikisht. 

Këtë paraqitje e bëra për të justifikuar, madje edhe për ta analizuar nga një këndvështrim me gjykim të ftohtë dhe objektiv diktatorin Hoxha, i cili pati atë prirje politike e arriti të mësojë e huazojë, qoftë edhe i rekrutuar, idenë e krijimit për herë të parë të një partie politike rreptësisht të organizuar në Shqipëri. Pra, në një shoqëri primitive fisnore para-feudale e në një mjedis thuajse shterp politik siç ishte Shqipëria ai krijoi një parti me program, statut, strukturë, organizim, antarësim dhe disiplinë të fortë. Kjo është e vetmja përvojë historike që ka shteti politik shqiptar nga Lufta e Dytë Botërore e deri me sot. Pra një përvoje shumë e re që la shumë pasoja tragjike për kombin dhe që me kohë konsolidoi një diktaturë absolute, të pakufishme, sunduese e të pa kontrolluar të individit mbi partinë, mbi shtetin e mbi shoqërinë shqiptare, model që nuk po zhduket dot as edhe sot e kësaj dite. Por sado ta urrejmë faktin historik që forca e parë politike vërtetë e organizuar në Shqipëri është PKSH dhe krijuesi i saj është diktatori Hoxha, po aq na duhet ta pranojmë dhe ti referohemi kësaj ngjarje politiko-historike me pasoja tragjike për kombin tonë. Ky fakt i historisë politike të Shqipërisë nuk duhet fshirë dhe zhdukur siç bëri paranojaku Hoxha me të gjitha ngjarjet e personat që ai i cilësoi si armiq e kundërshtarë të atdheut e partisë por në fakt të tij. Fshirja, zhdukja dhe harresa ka pasoja shume tragjike për Shqipërinë, pasoja të cilat vazhdojnë të ndikojnë në veprimtarinë politike shqiptare e për pasojë në jetën e shoqërisë shqiptare.

Pas afër 30 vjet të vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri ne kemi pluralizëm të individëve që kryesojnë partitë politike shqiptare, të përbëra masivisht me militantë që adhurojnë kryetarin deri në paaftësi patalogjike mendimi dhe që nuk mendojnë kurrë se kryetari është i zëvendësueshëm edhe kur kryeson pushtetin. Kjo kategori, në shumë raste me formim të ulët, nuk ka si të nxjerrë mësime nga ngjarjë të tilla të historisë së njërëzimit si ajo kur Çurcilli nuk u votëbesua nga partia e vet pasi udhëhoqi me sukses dhe në fitore Britaninë e Madhe në Luftën e Dytë Botërore, por u zëvendesua po nga partia e vet, sepse ajo vendosi që misioni i tij kishte mbaruar dhe nuk i dha privilegjin historik për të firmosur marrëveshjen e Potsdam-it si Kryeministër i një prej vendeve më të fuqishme të Aleancës. Britania shkoi në nënshkrimin e Paqes së Podsdamit me një kryeministër tjetër. Apo nga shembulli i Margaret Thatcher, e cila nuk u votëbesua nga partia e vet në kulmin e udhëheqjes së saj me shumicë si Kryeministre e Britanisë, sepse nuk pati sukses në një angazhim që mori. Shembulli tjetër është Brian Mulroney, Kryeministri i Kanadasë dhe kryetari i partisë që nën udheheqjen e tij fitoi shumicën parlamentare absolute historike të zgjedhjeve kanadeze, nuk u votëbesua nga partia e vet në kulmin e qeverisjes së tij sepse nuk pati sukses në një angazhim politik. Partia e zëvendesoi Kryeministrin e gjithësuksesshëm dhe humbi zgjedhjet federale gjashtë muaj më vonë. 

Personalisht mendoj se, organizimi, struktura, funksionimi dhe stili diktatorial i drejtimit i PPSH, janë gdhëndur në çdo parti politike shqiptare post-moniste. Megjithëse e njoh mjaft mirë se si është organizuar, ndërtuar e funksionon një parti politike e stilit Anglo-Sakson, në këtë shkrim nuk kam për qëllim të analizoj e jap këshillime apo udhëzime se si mund të organizohet e ndërtohet një parti e tillë në kushtet e Shqipërisë. Në rastin konkret, dëshëroj të pohoj e nxjerr në pah se partitë politike shqiptare në organizim, ndërtim, funksionim e drejtim që nga PKSH, PPSH e deri tek PD, PS, LSI e të gjitha të tjerat me radhë, funksionojnë si parti të një personi - “kult individi” - deri në masën që i lejon demagogjia sunduese e kohës dhe rrethanave të kushtëzuara nga ndërkombëtarët e rekrutuesit e kryetarit të tyre.

Në këtë lloj funksionimi të kultit të individit në të gjithë spektrin partiak shqiptar që nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot, këta kryetarë e diktatorë partish kanë mbështjen e besnikëve të tyre të tipit “Këmishat e Zeza” fashiste, “SS” naziste, “KGB” sovjektike, “Sigurimi i Shtetit” apo hordhive të paguara apo kompromentuara nga banditët e veshur me pushtet ekonomik të shoqërisë shqiptare. Kjo kategori nuk e vë kurrë në pikëpyetje zevëndesimin e kryetarit të partisë bile ata i linçojnë, i kërcënojnë dhe i eliminojnë kundërshtarët e kryetarit me stilet e përmendura më lart por gjithmonë në varësi të kushteve të ndikuara nga politika perëndimore ndërhyrëse e influencuese në Shqipëri.

Kam bindjen e patundur që këta kryetarë partie të peridhës post-moniste do të ushtronin ekzekutimin fizik të kundërshtarëve të tyre po të kishin kushtet ndërkombëtare në të cilat Hoxha sundonte e terrorizonte cilindo që i dilte kundër. Në të gjithë historinë e PPSH, sipas burimeve të shkruara, kam hasur vetëm një anëtar partie dhe anëtar të KQ të PPSH i cili vlen te përmendet e të cilësohet si shembulli i vetëm i kohës së diktaturës që i tha Enver Hoxhës në Plenium, (para se tirani ta dërgonte para togës se pushkatimit) “pse ç’të duket vetja tija i pazëvendësueshem” (e shkruajta në dialektin krahinor “tija” për ty). Ky ishte Hito Çako, i cili meriton vlerësim historik, sepse asnjë tjetër në gjithë historinë e PKSH dhe PPSH nuk guxoi ti kundërvihet tiranit Hoxha me këtë pyetje tejet demokratike dhe të paimagjinueshme për politikën shqiptare. Një sqarim për të fshirë çdo hamendësim nga lexuesi për këtë shembull; as kam të bëj me lidhje familjare, fisnore apo shoqërore me Hito Çako-n dhe as e kam njohur e as më ka njohur. Sipas mendimit tim, ky është embrioni i parë i pluralizmit politik e i demokracisë së brendshme partiake që në Shqipëri s’ka ekzistuar kurrë, ndaj unë dëshëroj ta vlerësoj këtë person, ndofta edhe ai fanatik në idetë komuniste, por ama shumë mendjehapur dhe i përparuar në demokracinë e brendshme partiake.  

Megjithatë, bindja ime personale është se asnjë funksionar i PKSH dhe PPSH i dënuar, internuar, burgosur, ekzekutuar apo i çfarosur nga diktatori dhe paranojaku Hoxha nuk meriton të klasifikohet si kundërshtar i përndjekur e i përvuajtur politik. Ata pa përjashtim qenë pjesë e asaj partie që u hëngri kokën në “gijotinën” e projektuar e ndërtuar nga Hoxha me përkrahjen e tyre unanime, madje ndonjeri prej tyre shkoi përpara skuadrës së pushkatimit duke mbajtur si ikonë në duar portretin e të paudhit duke u përgjëruar për besnikeri ndaj tij! Ka më tepër se kaq ironi absurde e tallje tragjike skandaloze njerëzore? Disa prej tyre, ish-funksionare të PKSH e PPSH, që jetuan pas përmbysjes së sistemit monisto-punist dhe dolën nga internimet e burgjet, na përallisin me kujtime të sistemit, dënimeve e gjyqeve që vetë i ndërtuan për të keqen e popullit shqiptar, të familjeve të tyre dhe të vetes së tyre ndërsa fërkonin duart në ekstazë kur shokët e tyre të krimit të vetëquajtur komunistë ekzekutoheshin nga tirani Hoxha dhe nuk mendonin kurrë se do t’u vinte edhe atyre radha me vonë.

Nuk mund të lë pa përmendur atë humor popullor, tepër kuptimplotë, që qarkullonte në mjedisin shqiptar në kohën pas gjyqeve dhe ekzekutimeve të famshme e të fundit të tiranit Hoxha. Kur mësuesja e historisë pyeti nxënësin gjatë kontrollit ditor të dijes se kush e çliroi vendin dhe ndërtoi socializmin në Shqipëri, nxënësi me pafajësinë naive shëmbullore i tha: “Armiqtë e partisë dhe të popullit”.   

Me këtë analizë dua të theksoj se kryetarët e partive politke të krijuara pas periudhës monisto-puniste në Shqipëri nga këndvështrimi i drejtimit të tyre partiak janë tërësisht me mendësi hoxhiane e puniste sepse vetëm atë kanë njohur, admiruar dhe shembëllyer ne jetën e tyre politike. Ata nuk mendojnë dhe nuk mund ta pranojnë kurre që janë të zëvendesueshëm në parti sepse e konsiderojnë atë pronë e zotërim të tyre të pa sfiduar. Ai që shpreh mendim të kundërt nxirret jashtë partisë nga hordhitë e kryetarit. Vetë organizimi, ndërtimi dhe funksionimi i partive të tyre është punist dhe nuk lejon rishikim periodik të veprimtarisë dhe arritjeve të kryetarit, i cili ndërton lista zgjedhjesh partiake e parlamentare me individë të vendosur nga po ai vetë! Kur i pyesja ish-anëtarët e PPSH se pse votonin vendime që ata nuk i pranonin në thellësine dhe në fshehtësinë e mendimeve te tyre, përgjigja që më jepnin ishte: “je në vete? Enveri të priste kokën.” S’kisha se ç’thoshja sepse ishte e vërtetë dhe ruajtja e jetës është instikt biologjik e njerëzor. E shtroj përsëri këtë pyetje kundrejt antarëve të PD, PS dhe LSI: po tani kush ju pret kokën që pranoni si turmë pa personalitet lista zgjedhore të hartuara pa konkurim nga kryetari, vendime që bien ndesh me programet e partisë e zgjedhje kryetari partie me një kandidat e pa konkurim? Si ka mundësi që deputetët socialistë bëjnë grevë urie kur ata janë zgjedhur për t’i perfaqësuar zgjedhësit në parlament dhe jo për të munguar aty? Nga ana tjetër, si ka mundësi që deputetët e PD dhe të LSI djegin mandatin përfaqësues? Këto jane paradokse që ndofta vetëm në jetën politike shqiptare me politikanë të papërgjegjshëm ndodhin. Mendimi im është që në qoftë se parlamenti nuk funksionon dhe ti si deputet bën grevë urie, ngre çadra në mes të bulevardit apo djeg mandatin për te mos hyrë në parlament, partia jote është bashkëfajtore sepse parlamenti funksionon me kushtetutën, ligjet dhe procedurat që partia jote i ka votuar, apo kundërshtuar jo aq sa duhet. Çfarë ke bërë ti zoti deputet në partinë tënde për të kundërshtuar apo shprehur mendimin tënd për ato çështje që ti bën greve urie, ngre çadra apo djeg mandatin? Asgjë! Pra si konkluzion ti meriton pasojat e asaj që ke ndërtuar. Pse ankohesh, revoltohesh e kujt i drejtohesh? Shko përpara në partinë tënde dhe atje lufto për ndryshime që ti je i bindur se janë të domosdoshme për shëndetin e ardhmërinë e partisë, të Shqipërisë e të shoqërisë shqiptare bashkë me familjen tënde!

Në përmbledhje, kryetarët e të gjitha partive shqiptare pas vdekjes së diktatorit Hoxha janë në një farë mënyre kopje të shëmtuara të tij. Këta dështakë politikë jetojnë me idenë se madhështia e tyre qëndron në sharjet, mallkimet e cilësimet sharëse që i bëjnë Hoxhës apo kundërshtarëve. Prandaj mendoj i bindur se PKSH, organizata politike shqiptare e krijuar në një kohë mjaft të vonët të papjekurisë shtetformuese e qeverisëse shqiptare, vlen të kujtohet për praktikën e mësimet historike të vuajtjeve tragjiko-shoqërore që na shkaktoi, praktikë të cilën e përcjellin politika, partitë politike dhe shteti shqiptar edhe sot. Në këtë pikë vlen të përfshihet thënia e filozofit George Santayana: “Those who cannot remember the past are condemned to repeat it.” Ata që nuk mund të mbajnë mend të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin atë. Për fat të keq, dështakët funksionarë e kryetarë partish në Shqipëri nuk po nxjerrin mësime nga jeta politike e PKSH por vazhdojnë me të njëjtin stil organizimi e funksionimi. Ata po shkatërrojnë shoqërinë shqiptare dhe vendin edhe për pasardhësit.

Si përfundim, me shumë keqardhje më duhet të pohoj se informacioni që Edith Durham i dërgoi Foreign Office në fillim te shekullit të kaluar si edhe Misioni anglez pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL në përfundim të Luftës së Dytë Botërore për kombin e shtetin shqiptar vazhdon të jetë akoma i vërtetë: “Shqiptarët nuk kanë ende ndërgjegje shtetformuese.” 

©Kostandin Ristani