Opinione

"Superprokurori" i SPAK dhe "çelësat e kashtës" në dorën e Prokurorit të Përgjithshëm

Nga: Skënder Buna

Me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore që i përkasin paketës së Reformës në Drejtësi, është ndryshuar edhe mënyra e organizimit të Prokurorisë, kompetencat e prokurorëve dhe gjykatës në hetime, si dhe roli i Prokurorit të Përgjithshëm në sistemin e prokurorisë.

Më parë Organi i Prokurorisë ka qenë i centralizuar. Hetimet bëheshin nga ana e prokurorit të çështjes por ato mund të kontrolloheshin dhe të drejtoheshin edhe nga prokurorë më të lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm.

Kjo mënyrë organizimi ishte e favorshme në rastet e hetimeve për çështje të rëndësishme dhe të pandehurve të rrezikshëm, pasi mënyra e centralizuar e organizimit mbronte prokurorët nga ekspozimi ndaj presioneve dhe shantazheve që mund të vinin në forma të ndryshme. Psikologjikisht të pandehurit kuptonin se lufta e tyre nuk ishte ndaj një prokurori të veçantë, por ishte ndaj Organit të Prokurorisë. Kjo prokurorit të çështjes i jepte me shumë siguri në punën e tij. Në këto raste dilte në pah roli i rëndësishëm që kishte Prokurori i Përgjithshëm, i cili ishte personi që simbolikisht por edhe thelbësisht përfaqësonte akuzën e shtetit dhe barra e rëndë në lidhje me përgjegjësinë e suksesit apo dështimit kalonte tek ai kur bëhej fjalë për çështje madhore dhe shumë sensitive për publikun.

Sot me ndryshimet e reja ky rol i Prokurorit të Përgjithshëm nuk është më. Madje ai është i pafuqishëm ndaj çdo veprimtarie, neglizhence, moskoordinimi apo dështimi të Prokurorisë. Edhe daljet publike të Prokurorit të Përgjithshëm më së shumti duhet të kuptohen si mbështetje morale të punës dhe jo në formën urdhërore.

Ndërkohë, përballë Prokurorisë së Përgjithshme kemi edhe strukturën paralele të quajtur Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), drejtuesi i të cilës u zgjodh më 19 Dhjetor. Thuhet se në ndryshim nga Prokurori i Përgjithshëm, të cilit ligji i ka dhuruar çelësat e kashtës, drejtuesi i SPAK ka fuqi të bëjë namin në hetime.

Çfarë është SPAK? Thjesht një organ i posaçëm që do të hetojë krimet e korrupsionit si dhe krimin e organizuar. Por sa efektive dhe rezultative do të jetë puna e kësaj prokurorie? Për shembull, a do të mundet një prokuror i vetëm i SPAK-ut, të hetojë ndonjë ministër apo ish-ministër për çështje të abuzimit me detyrën? A do mundet të përballojë sulmet mediatike dhe shantazhet publike të formave nga më të ndryshme? A do mundet të hetojë dhe të çojë në përgjegjësi penale personazhe të fuqishëm që kanë mbështetje të qeverisë? A do të ketë kurajo SPAK të hetojë dhe të çojë në përgjegjësi penale fjala vjen Kryeministrin e vendit?

Hmmm, vështirë të mendohet e kuptohet, por megjithatë koha do ta tregojë. Zëra djallëzorë thonë se kjo prokurori do të shërbejë si xhelat për personazhet që nuk janë pjesë e tavës së qeverisjes. Sigurisht që nëse këto zëra vërtetohen, publiku lehtësisht mund të konkludojë se reforma është një farsë.

Por prisni pak, ne dimë që ndryshimet ligjore në lidhje me kompetencën dhe organizimin e prokurorisë kanë hyrë në fyqi dy vjet më parë. Nga kjo periudhë më shumë se dy vjeçare nuk ka dalë ndonjë prokuror i guximshëm edhe pse ka patur mundësi apo kompetencë ligjore, të hetojë, të ndjekë penalisht dhe të çojë për gjykim personazhe të rëndësishëm të qeverisë ose tarafit të saj, të përfolur për korrupsion apo krim të organizuar. Kjo heshtje, neglizhencë apo fjetje përgjatë më shumë se dy viteve a nuk është një premisë se prokurorët presin orientime nga lart mbi objektin dhe subjektin e hetimit dhe procedimit penal? Pse duhej pritur SPAK për të nisur aksionin e madh? Apo mos ndoshta hetimet zhvillohen me aksione dhe sipas programit dhe axhendës së qeverisë?  Gjithë kjo gurguleja e reformës ka rreth vetes shumë hije dyshimi që na çojnë shumë larg asaj të vërtete që tregtohet në spotet e propagandës për reformën dhe në veçanti për SPAK-un.

©Flasshqip.ca