Opinione

Dritan Abazoviç, një identitet shqiptaro-osmano-sllav ashtu si pamja e Ballkanit

Nga: Ilir Yzeiri

Emri i Dritan Abazoviçit dhe roli që ai fitoi në zgjedhjet e fundit në Mal të Zi, u bënë menjëherë të njohura sepse, me formacionin e tij « Ura », ai duket se ka në dorë fatin e koalicionit të ardhshëm qeveritar në atë vend. Kjo është kronika e këtij fenomeni. Ajo që më ka tërhequr më shumë te ky personazh, është antroplogjia historike që në mënyrë të plotë gjendet te emri dhe mbiemri i tij.

Ballkani, për fat të keq, nuk po arrin të shkëputet nga identiteti i tij historik, pra, nuk po mundet të dalë në kohën reale, të jetojë me identitetin e ri europian. Projektimet identitare historike si ato që lidhen me identifikimin fetar, me kufijtë nacionalë që lëvizin në hapësirat e imagjinatës post-otomane, refuzimi i tjetrit të ndryshëm dhe përpjekja për t’u mbledhur në hapësirën mitologjike, e kanë bërë Ballkanin një teatër grotesk, në të cilin politika, në vend që të ndërtojë projekte për të ardhmen, vizaton harta të reja me frymëzim të vjetër mitologjik e parahistorik.

Aktorët që po ndezin edhe njëherë mendjet dhe po nxitojnë të shtrijnë kufijtë në hapësira të brishta, janë Turqia, Greqia, por edhe Serbia. Nuk dua të komentoj acarimin e marrëdhënieve turko-greke për hapësirat detare sepse ai konflikt është futur në një rrugë që kërkon të tjerë aktorë për tu ftilluar.

Ndërkaq, zgjedhjet në Mal të Zi ndezën më shumë narrativën e vjetër të përcaktimit identitar dhe nga ajo që deklarojnë aktorët kryesorë të kësaj drame, duket sikur është vënë në pikëpyetje e ardhmja europiane e këtij shteti që, me zgjedhjet e fundit, tregoi më shumë një vullnet për t’u mbledhur rreth mitit fetar të kombit ortodoks serb duke nxjerrë në reliev peshkopin e kishës ortodokse dhe duke e shpallur atë fitues të frymëzimit mitologjik.

Të krijohet përshtypja sikur ata votues më shumë janë të prirur në jetën e tyre për përkatësinë identitare, sesa për mbrothësinë ekonomike e reale të jetës. Të duket sikur më shumë i tërheq shpirti i murgut në manastir, sesa shpirti i qytetarit të lirë që i merr vendimet duke u orientuar nga pragmatika.

Për hir të së vërtetës, deri tani, ngjarjet në Mal të Zi kanë mbetur si përplasje në ligjërim, në kuptimin që nuk janë bërë aksione. Deri tani ato janë hipoteza. Dhe çudia më e madhe është se njeriu që ka në dorë të lëvizë këto hipoteza, është një shqiptar me një emër që shenjon identitetin rizomatik të shqiptarëve. Këtë term e kam përdorur në një shkrim të hershëm dhe e kam marrë nga kolegia ime e universitetit «Spiru Haret» në Bukuresht, Micaela Chapelan.

Sipas këtij koncepti, identiteti përqaset me «rhizomën», që në botanikë është masa e rrënjëve. Ndërsa në antropologji shenjon shtresat që mbart identiteti ynë historik. Dhe te emri i Dritan Abazoviçit gjenden të gjitha. Mbiemri i përket një emri të njohur nga historia e bektashizmit. Abazi ishte djali i Aliut që luftoi në mënyrë shembullore në Qerbela. Këtij identiteti që është pjesë e historisë së etnisë që përfaqëson Dritani, i është shtuar prapashtesa sllave –viç që shenjon përsëri një pjesë tjetër të historisë së tij, përkatësinë tashmë në një komunitet tjetër.

Ndërkaq, emri Dritan, që është thjeshtësisht shqiptar, duket se buron nga vetëdija e parë e komunitetit në të cilin bën pjesë ai, që është një entitet që nuk ka lidhje me asnjërin prej atyre që ai mban në shpinë, në mbiemër me këtë rast. Mirëpo nga pikëpamja e shenjueshmërisë antropologjike, identiteti i këtij politikani nuk është i shenjuar nga asnjë prej këtyre shenjave: ai nuk ka asnjë shenjë të dallueshme osmane në sjellje, nuk ka lidhje dhe nuk tregon të paktën asnjë projekt identitar që do ta bashkonte me komunitetin që gjendet i shtresuar në emrin e tij.

Ka më shumë një performancë identitare që gjendet në prapashtesën e mbiemrit. Dhe kjo e bën atë një personazh ballkanik. Ai mishëron, apo te ai gjendet identiteti i ndërtuar me kompromiset, jo me përjashtimin. Ky identitet i tij karakterizon, në fakt, një tip ballkanik mendjehapur që nuk është peng i asnjë mitologjie apo i kohës historike. Ky është tipi pragmatik europian që po ngjizet në rajone me etni të përziera.

Mirëpo, ajo që është me rëndësi në këtë paradigmë, është se këtë tip të ri politikani, që e ka ndërtuar identitetin mbi kompromiset identitare, e përfaqëson më së miri një shqiptar. Jo vetëm e përfaqëson, por duket se askush tjetër në atë areal nuk mund ta bartë atë mision, përpos një personazhi që e ka ndërtuar identitetin e tij me kompromise mitologjike e parahistorike, gjithë duke ruajtur dallimin nga të tjerët për nga përkatësia, gjuha, emri dhe, sidomos, me narrativën që artikulon.

Rasti i Dritan Abazoviçit është një shembull për politikanët shqiptarë në Ballkan që të marrin rolin drejtues për të unifikuar interesat e këtij rajoni duke përcaktuar si prioritet të ardhmen europiane dhe jo të shkuarën mitologjike.

©Ilir Yzeiri