Opinione

Shumica e shqiptarëve në SHBA votojnë si amerikanë - Nga Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu - New York

Deklarata nga Joe Biden për vizionin e tij të marrëdhënieve me Kosovën dhe Shqipërinë është një fitore politike e komunitetit tonë, por mund të mos ndikojë shumë në mënyrën se si do të votojmë në 3 nëntor.

Kur krahasojmë politikanët kryesorë në SHBA, shikojmë shpesh se si janë sjellë me çështjet shqiptare. Sidomos me Kosovën se ka qenë në zemër të zhvillimeve të jashtëzakonshme ndërkombëtare, por edhe me Shqipërinë dhe të drejtat e shqiptarëve kudo ku jetojnë.

Kjo është e natyrshme se komuniteti ynë ka investuar shumë që SHBA të mësojë të vërtetën për Balkanin dhe kombin shqiptar. Ne kemi parë gjithashtu edhe se çfarë ndodh kur SHBA nuk është fuqimisht e pranishme në rajon. Mijëra shqiptarë përfunduan në varre masive të masakruar, pa emër e pa një shenjë. Familjet e tyre nuk kanë një varr që t’i vendosin e t’u thonë lamtumirë. Mbi 20,000 vajza e gra u përdhunuan poshtërsisht dhe sot e kësaj dite as guxojnë të tregojnë se çfarë u ka ndodhur e jo më të kërkojnë dënimin me burg të egërsirave.

Shkatërrimet dhe tmerret që solli lufta e shtypja serbe nuk ka fund. Vetë diaspora ka shpenzuar miliona dollarë në Kosovë, për të mbajtur gjallë një sistem paralel, sepse Serbia nuk u ofronte arsim, kujdes mjekësor, siguri publike, e mundësi punësimi. Serbia na ka varfëruar si komb po edhe si diasporë. Ato para që kanë shkuar aty janë fituar me djersën e punës së bashkatdhetarëve tanë.

Edhe në Shqipëri, komunizmi e pastaj korrupsioni në demokracinë difektoze që pasoi ka varfëruar shqiptarët këtu e atje. Ka shkaktuar tragjedi e trauma që nuk kanë parë kurrë drejtësi.

Sot, bezdisemi kur shohim ambasadorë të huaj që ndërhyjnë në punët e brendshme shqiptare, por nuk kam asnjë dyshim se pa vëmendjen e tyre pa frikën se çfarë do t’u thonë këta ambasadorë, politikanët shqiptarë do të zhyteshin shumë më tepër në korrupsion. Ata nuk druhen nga hakmarrja e popullit. Janë bekuar me një shoqëri tepër të mefshtë. Me një sistem drejtësie të korruptuar e frikësuar në vite që ka pasur prej kohësh nevojë të dëshpëruar për t’u reformuar, ata i druhen reagimit perëndimor e sidomos amerikan. Kanë frikë nga refuzimi i vizave se druhen se do t’u mbeten fëmijët në Shqipëri, një vend që e vjedhin me sigurinë se po shkoi puna keq do të hidhën këtej me paratë që kanë vjedhur. (Paratë i kanë “këtej” që tani.)

Shumë shqiptarë që jetojnë këtu kanë familjarë e të afërt që jetojnë në Shqipëri, Kosovë e trojet tona autoktone. Edhe kur nuk kanë ruajnë kujtimet dhe amanetet e të parëve. Kujdesi për atdheun e dikurshëm u jep një kauzë te e cila besojnë.

Prandaj, ka rëndësi për shumë shqiptarë këtu se çfarë dhe si mund të ndikojë zgjedhja e njërit apo tjetrit kandidat. Prandaj, kur Presidenti Trump cakton një emisar për dialogun Kosovë-Serbi duan të dinë se çfarë mendon dhe a e kupton si duhet konfliktin e historinë tonë. Prandaj, kur fushata e Joe Biden nxjerr një dokument për ne (ashtu si ka nxjerrë për shumë komunitete etnike në SHBA) kemi interes të madh ta lexojmë, se duam të shohim çfarë nga shqetësimet tona janë pasqyruar aty.

Mirëpo, pavarësisht se në këto pika përqendrohen shumë nga debatet tona në gjuhën shqipe apo në “botën shqiptare” rreth zgjedhjeve dhe politikës në SHBA, e vërteta është se shumica e shqiptaro-amerikanëve votojnë si amerikanë.

Shumica e votuesve të komunitetit janë pozicionuar aty ku janë pozicionuar nga debatet e brendshme të politikës amerikane, ashtu si kuptojnë apo keqkuptojnë ato. Ata varen në orientimet e tyre nga zonat ku banojnë, nga lëvizjet dhe sentimentet e kohës.

Po të vendosej vota vetëm nga lidhjet me Kosovën apo Shqipërinë mbase 100% e shqiptarëve do të kishte votuar për Hillary Clinton apo për Joe Biden. Mirëpo, shqiptaro-amerikanët janë amerikanë. Ata janë pjesë e dinamikave të këtij vendi dhe kur nuk janë i imitojnë ato për t’u ndjerë pjesë e tyre. Shpesh Kosova dhe Shqipëria nuk sillen në debat si faktorë vendimtarë orientues por si artifica argumentesh, si shembuj ilustrues për të përforcuar qendrimet politike të arritura paraprakisht.

Gjithashtu, ajo që shohim si “jeta e komunitetit” është një përqindje shumë e vogël e realitetit shqiptaro-amerikan. As 10% e shqiptarëve të Amerikës nuk janë pjesë aktive e komunitetit. Të shpërndarë gjeografikisht, të përfshirë ne jetën e tyre private e komunitare aty ku jetojnë, të asimiluar në breza të tretë e të katërt, madje edhe pjesë e natyrshme e dhjetëra miliona amerikanëve që nuk votojnë kurrë në zgjedhje gjithsesi.

Edhe ata relativisht pak që formojnë sferën shqiptaro-amerikane në të cilën jetojmë janë shpesh më shumë të angazhuar në betejën mes dy krahëve partiakë, ideologjikë e kulturorë amerikanë, saqë harrojnë të marrin pjesë në betejat e tjera që na përkasin si shqiptarë për shkak të lidhjeve me atdheun e vjetër.

Në këtë përplasje, kontributi i çmuar nga Biden për Kosovën përmendet nga njëra anë me të njëjtën frymë si vuajtja nën komunizëm përmendet nga ana tjetër.

Këtë e shkruaj më shumë për të treguar se si është e vërteta shqiptaro-amerikane, për t’i ndihmuar shumëkujt që përjeton me frustrim mungesën e një prononcimi të qartë dhe unik nga komuniteti në një krah apo në një tjetër. Një deklaratë si ajo e fushatës së kandidatin Biden është shumë e mirë për t’u kujtuar shqiptarëve se çfarë ka bërë ky politikan në vite, sidomos në kohën kur kemi pasur shumë nevojë. Atëhere kur i luteshim e i përgjëroheshim Amerikës, kur ende nuk kishim (ri)filluar t’i jepnim mend.

Mirëpo, një deklaratë e tillë u flet vetëm një pjese të vogël të komunitetit tani. Shumica ushqehet me informacion në mënyrën se si ushqehet e gjithë shoqëria amerikane. Kjo pjesë e botës sonë që orientohet nga deklarata të tilla është gjithashtu e ndarë, e në masën më të madhe e ka vendosur me kohë sesi do të votojë gjithsesi.

Po ia vlen të përmenden dy vlera të dërgimit të kësaj deklarate. E para, është provë që vota shqiptare ka rëndësi. Sidomos në shtete që mund të ndajnë fatin e Amerikës si Michigan, Pennsylvania, etj. Vota shqiptare ka rëndësi thjesht për arsye aritmetike. Nuk është kjo ndonjë punë geni apo nacionalizmi si druhen disa se po dalim nga mendja. Aty ku gara ngushtohet edhe një grusht njerëzish mund të shkruajnë historinë.

E dyta, kur fushata e dikujt që mund të bëhet njeriu më i fuqishëm i botës nxjerr një dokument që përmend vendin ku ke lindur apo atë për të cilin shqetësohesh, ajo është pa diskutim një lajm, një ngjarje për komunitetin tonë. Kështu që faleminderit Biden dhe bravo shqiptarëve që punojnë dhe ndikojnë në fushatën e tij. Reagimi nga krahu tjetër nuk duhet të jetë që të argumentojnë se Deklarata nuk është vërtetë (ajo është dhe madje sipas formatit të bërë për komunitete të tjerë) apo që nuk ka rëndësi, apo që nuk do të mbahen këto premtime. Sipas meje, reagimi duhet të jetë që të nxitet edhe fushata e presidentit Trump që të bëjë një deklaratë të ngjashme. Që të dëshmojë edhe ajo vlerësimin për votën e shqiptarëve në SHBA. Mund të jetë diçka më ndryshe, me një format tjetër, po duhet pak vlerësim. Qoftë edhe thjesht për ata mijëra shqiptaro-amerikanë që besojnë se Trump është zgjedhja më e mirë për Amerikën e për rrjedhim edhe për shqiptarët kudo që janë.

©Illyria