Opinione

Sëkëllditë elektorale kuq e blu amerikane - Nga Atena Bishka

Atena Bishka - Toronto

Ende më fanitet e freskët çudia me të cilën pata ndjekur në qershor të 2015-ës një intervistë që Donald Trumpi zhvillonte me Anderson Cooper në rrjetin CNN. Atëbotë, ndërsa Cooper-i s’ia kursente pyetjet dhe komentet thumbuese pa e përmbajtur përbuzjen dhe humorin tallës, Trumpi me baluke si kasketë e portokalltë mbi sy i mëshonte serbes kumtit se shtysa e tij për t’u bërë presidenti i 45-të i SHBA ushqehej prej dëshirës sa të thjeshtë edhe të epërme për ta mbarësuar Amerikën sërish.

Tek e ndiqja intervistën, në mendje më parakalonin imazhe konkursesh vulgare bukurie, rrokaqiej që mbinin si këpurdha ngado, shkapërderdhje luksi dhe natyrisht montime skenike të sojit “The Apprentice” (sipas të cilave frymëzohen e modelohen edhe sot reality shows, përfshirë këtu deri edhe ato më të fundit Made in Albania - paçka se rëndom po këta koreografë ekranesh të specializuar në përhapjen e shumëfishimin e biznesit të spektakleve të tilla, përndryshe e përçmojnë Trumpin politikan, mu bash prej majës së modelit ku kanë gjetur formulën e trushplarjes televizive dhe pasurimit).

Çka dëgjoja në atë intervistë tingëllonte si shaka, ngaqë zor të përfytyroja atëbotë që një moguli të kallëpit të Trumpit, gjahtar kaba kapitali dhe shpalosës bollëku obtuz, t’i vinin sadopak për shtat kornizat konvencionale ku sot rrëshqet me elasticitet kunadheje soji i politikanit të frazave e gjesteve të parafabrikuara e të parapeshuara në mori sitash e filtrash të imët, pa zënë në gojë fare profilin etik dhe cilësitë që lyp froni i presidentit.

Nga ana tjetër, deri përpara përfundimit dramatik të zgjedhjeve të 2016-ës, as Hillary Clinton-in s’e kisha parë me syçeltësinë që lypsej. Ndoshta ngaqë përqasur me Trump-in kandidatura e saj (edhe sikur të mos e gëzonte mjaftueshëm respektin dhe dashamirësinë popullore) ngjante si e një nxënëseje punëtore e shembullore, edhe pse jo engjëllore, përballë një nxënësi të prapë me gurë e llastiqe nëpër xhepa.

Kështu, ndërsa pandehja që Trumpi ta kishte të sigurt bllofin, rezultati i zgjedhjeve 2016 më shtangu. E teksa mendja rrekej të shkoqiste atë çka sapo ishte shndërruar në realitet të patjetërsueshëm për katër vitet në vijim, i rashë në të se fitorja e Trump-it s’duhej të më kish çuditur fort. Fenomeni Trump ishte kryesëpari simptomë e çfarë nuk shkonte. Po të ishe i gatshëm të shihje në mënyrë të çinteresuar dhe të esëllt rezultatet, kuptoje se s’ishte aq fjala për fitore të Trumpit sesa për humbje të hatashme të Hillary Clinton-it dhe kahut të majtë politik që ajo përfaqësonte.

Ajo që sapo kish ndodhur ishte në thelb reagim negativ ndaj një sistemi politik ku së paku gjysma e elektoratit, për mirë a për keq, nuk e gjente veten. Ishte një kumt që shpaloste pakënaqësi të votuesve ndaj një gjuhe dhe veprimi politik që vinin duke u bërë gjithnjë e më shumë performativë dhe opakë sesa të drejtpërdrejtë dhe të tejpashëm. Ishte një reagim që përcillte maraz e trandje të besimit te politika e majtë e votuesit çfarëdo amerikan.

Natyrisht, kur bëhen zgjedhje, njëra palë doemos do të humbasë. Dhe pala që humbet ka pastaj katër vjet kohë të nxjerrë mësime e të mbledhë mendjen që të ripozicionohet më mirë për të provuar fatin sërish. Dhe të majtës i buzëqeshi fati në 2020-ën dhe ia doli të fitojë, paçka se jo pa mundim e investime të larta (sipas “The Economist”, Joe Biden ishte kandidati i parë presidencial që ngriti mbi një bilion dollarë brenda një cikli të vetëm elektoral, në një kohë që llogaritet se për zgjedhjet e fundit amerikane janë shpenzuar në total 14 bilion dollarë, shumë kjo që ia kalon GDP-së së 25 vendeve afrikane të marra sëbashku).

Veçse e majta në fakt s’është se ka bërë ndonjë ndryshim të njëmendtë qysh nga humbja e vitit 2016 dhe as ka luajtur kurrëfarë roli për të zbutur dasinë dhe polarizimin politik të elektoratit. Në thelb ajo mbeti po aty ku ishte, e fërguar në po atë dhjam e modele në thelb të vjetër e të amullt kandidatësh. Për më tepër, as rezultati i zgjedhjeve, 51% për Biden dhe 47% për Trump, pa folur për ndarjen në dysh të senatit, nuk ndihmon që t’ia bëjë proceset e vendimarrrjes më pak të vështira.

Një përçarje e tillë e SHBA s’mund të arsyetohet krejtësisht me anë të fenomenit Trump, si karakter i pazakonshëm që hyri stuhishëm, përdhunshëm e me kontroversialitet në teatrin politik. Fundja ai nuk gjeti mbështetje të gjerë e uniforme as në kampin e republikanëve, prej të cilëve një pjesë as që e honepsnin. Pastaj, duhet thënë këtu se një ndarje e tillë “gjysmë e kuqe e gjysmë blu” e hartës, pak a shumë e tillë ka qenë që prej gati gjysmë shekulli.

E formësuar prej dekadash dasia vjen e thellohet edhe më fort, sepse sa më shumë që demokratët e hiper-arsimuar dhe të sofistikuar të bregut Lindor dhe Perëndimor bëjnë përpjetë nëpër shkallët hierarkike sociale dhe ekonomike, duke e patronalizuar dhe këqyrur shtresën jakëkaltër të punëtorisë në zonat e thella nga lart poshtë, aq më shumë kjo shtresë tëhuajzohet duke u ndjerë e braktisur dhe e shpërnjohur. Fraza fatale “basket of deplorables=kanistra e mjeranëve” e Clinton-it drejtuar përkrahësve të Trumpit katër vjet më parë, u interpretua si kod që kumton tradhëti e besëprerje prej demokratëvë të një pjese të konsiderueshme të elektoratit të hinterlandit amerikan.

Fundja, deri edhe “trogloditët” kanë hundë që e nuhat duhmën e hipokrizisë dhe s’e gëlltisin lehtë qëndrimin përbuzës. Këtë ndoshta e dëftojnë edhe të dhënat historike qysh prej viteve 80-të, sipas të cilave elektorati i hinterlandit ka ardhur duke u zhvendosur gjithnjë e më shumë nga e majta në të djathtë, derisa në 2016-ën më se 80% e kësaj kategorie në vend që të votonte për Clinton-in e të majtës “së dhimbsur e të politikave sociale” me përkufizim, votoi për të djathën “materialiste, trutharë prej besimit të verbër, fanatizmit e traditave të tejkaluara” dhe Trumpin narcisist, të vrazhdë e mizor (dikur demokrat e mik i Bill Clinton-it, sot i perceptuar si ultra i djathtë). Ende sot në 2020 ky segment anon djathtas. Ironikisht, pasqyrën e kësaj ndarjeje e gjen deri edhe në vlerësimin e filmit Hillibilly Elegy (bazuar ne memuarin e suksesshëm me të njejtin titull të J. D. Vance) që porsa ka dalë në Netflix: 81% vlerësimi i audiencës, 27% vlerësimi i kritikëve në Rotten Tomatoes.

Po të merret parasysh se në themel të filozofisë së majtë demokratët kanë dhimbsurinë dhe kujdesin për të vobektit, të margjinalizuarit dhe të paprivilegjuarit, atëhere duhet të jesh dritëshkurtër të mos dallosh se ka diçka kontradiktore e që s’shkon këtu. Shpjegimi që mjaftohet me tezën e qafleshëve të pashkolluar “alt-right” dhe fanatikëve nacionalistë hillibilly të pagdhendur që votojnë për Trumpin, sepse qenkan prapa bote e s’paskan tru të mendojnë nuk pi aq fort ujë. Ai shpërnjeh gjasat që e majta demokrate të ketë ardhur duke u larguar e ftohur me bazën e vet të dikurshme jakëkaltër, duke u perceptuar prej kësaj baze si një grup tejet hundpërpjetë e cipëhollë për ta honepsur punëtorinë lëkurëshollë që mban era djersë. Përse të ketë ndodhur ky transformim?

Një arsyetim është ai sipas të cilit e majta demokrate s’ka bërë tjetër veçse ka ardhur duke e zëvendësuar gjithnjë e më shumë, punëtorinë, punën e dorës, punën e pakualifikuar e të papaguar me politikat e identitetit të grupeve mbi baza ekonomike, kulturore, racore, etnike, fetare, gjinore e kështu me radhë dhe pa fund. Ekonomistja Pia Malaney* vëren se kemi të bëjmë me një zhvendosje që ka kuptim mirëfilli ekonomik të interesit dhe energjive prej “punës” te “çështjet identitare”. Të përqendrosh interesin te “puna” do të thotë të përballesh me kërkesat ekonomike që dikton puna. T’i përmbushësh këto kërkesa është e kushtueshme. Me sa duket e majta s’është e gatshme të përballet me koston dhe kështu e ka më të lehtë ta rrëshqasë vemendjen për te retorika e gjithëfarë çështjeve identitare të grupeve e komuniteteve.

Mirëpo, të fokusohesh në larushitë identitare do të thotë të duash ta shkarkosh a ta shmangësh barrën e karakterit ekonomik prej supeve dhe të lësh grupet e nëngrupet të përfyten për çështje të tilla sikurse: cili shtyp e nëpërkëmb cilët, kush është më shumë e më pak i privilegjuar, cili ka vuajtur më fort e më pak, të drejtat e kujt janë shkelur e mohuar, kush është lënduar dhe kujt i ka mbetur qejfi, cili është fajtori e cili viktima, kush të kërkojë të falur dhe qysh, cila statujë e pikturë të bjerë e cila të ngrihet, cili libër të ndalohet e cili të lexohet, cilit oratori t’i mbyllet mikrofoni e cilët protestues të ngrenë zërin, e kështu me radhë – të gjitha këto në shtetin më të pasur e të zhvilluar në botë, ku duan a ëndërrojnë të emigrojnë nga të katër anët për një jetë më të mirë!

Gjithnjë sipas Malaney-t, duke zhvendosur fokusin prej rritjes ekonomike dhe shpërndarjes së barazpeshuar të forcave të tregut, elitat mbase edhe ia dalin të sendërtojnë një forcë lëvizëse që trazon ujërat, por ama një forcë e tillë do të jetë përherë e më e vështirë për t’u mataruar, për arsye se bazohet në një model politik që e ka shumatoren zero. Ideja thelbësore është që duke u futur në ujrat e turbullta identitare, politika s’bën tjetër veçse rreket të rishpërndajë të ardhurat pa u marrë me thelbin e problemit: si t’ua bëjë jetën më të mirë dhe cilësore njerëzve dhe cili të jetë roli i përshtatshëm ekonomik që i takon shtetit të luajë për ta bërë më të mirë jetën e njerëzve?

Pak a shumë në po këtë hulli qëndronte edhe ish-kandidati Andrew Yang, i cili hyri në garën presidenciale si profil i freskët e shpresëdhënës prej kahut të majtë. Mirëpo, u largua ose e nxorrën prej pistës së primareve shpejt e shpejt (mbase pikërisht sepse sillte freski e mendjekthjelltësi krahasuar me panelin e të moçmëve). Andrew Yang i mëshon idesë se në vend që demokratët - kjo elitë urbane dhe e kamur e bregut Lindor dhe Perëndimor - të luajnë rolin e policit dhe arbitrit në gjakimet e betejat e grupeve identitare, përkundrazi të përpiqen të bëjnë sërish për vete klasën e punëtorisë, prej edhe nga i kanë rrënjët, siç u takon.

Mirëpo me pikëpamje të tilla një Andrew Yang apo një Tulsi Gabbard nuk mund të qëndronin gjatë në garë, e cila me brumë të këtij soji do të kish qenë me siguri shumë më cilësore dhe frymëzuese sesa me të lashtët Biden, Sanders dhe Trump, a thua se një superfuqi si SHBA s’mund të nxirrte prej ajkës së figurave të veta publike kandidatë të një kalibri më të lartë. Si të jetë e mundur që një vend me leadership të tillë botëror, ku intelektualë publikë me etikë të lartë e aftësi të epërme drejtuese e krijuese nuk mungojnë, të mos jetë në gjendje të nxjerrë e pranojë nga gjiri i vet kandidatë presidencialë më të zhdërvjellët, vitalë, kreativë e me bosht të fortë moral, me sistem mendor e fiziologjik më të shëndetshëm e plastik për t’i dalë zot detyrës më të vështirë të vendit, në mos krejt planetit, sesa 75-80 vjeçarët kohëkapërcyer Donald Trump, Joe Biden dhe Bernie Sanders? A s’ka ardhur koha që këta t’ua linin punët në dorë një gjenerate më të re dhe energjike? Në këtë vend gjigant prej 328 milionësh (me jetëgjatësi mesatare prej 78+ vitesh), të mos ketë të tjerë më të mirë, më të zotë e më komb-paqtues?

Ngjan sikur sistemi si nga e majta edhe nga e djathta është sendërtuar në mënyrë të tillë, që të përjashtojë a nxjerrë jashtë loje pikërisht ata njerëz që kanë kapacitetin dhe profilin e duhur etik për të marrë frerët e qeverisjes së shtetit në dorë. Establishmentit dhe brezit të vjetër në fuqi, i majtë ose i djathtë qoftë, nuk i intereson fort të freskojnë e ripërtërijnë ekipin drejtues me më të mirët. Përkundrazi, si njera edhe tjetra palë politike treguan se donin të ruanin status quo-në në përputhje me interesat përkatëse.

Demokratët dështuan në 2016 me Hillary Clinton. Por, fitorja e 2020-ës, do marrë më shumë si përpjekje që synim parësor kishte heqjen qafe e mposhtjen e Trumpit. Dhe e arritën. Dhe mbase është më mirë kështu, ose kushedi jo. Por, ç’është më e rëndësishme, përtej kësaj mposhtjeje, rruga përpara duket të mos jetë e mirëndriçuar prej një leadership-i që ka ditur të nxërë mësime e që e ka treguar veten të principtë.

E majta demokrate vërtet ia doli të fitojë, mbase përveç të tjerash edhe duke e qetësuar nervozizmin në kancelaritë e Evropës e gjetiu, por ama në vend të modelit dinjitoz e parimor të garës, ofroi modelin “dhëmb për dhëmb e një sy për një sy” - të njejtin model të cilin e shihte si objekt kritike e indinjate te pala republikane.

Si palë opozitare shfrytëzoi çdo mënyrë e mjet për ta mbajtur me shpatulla pas muri, për t’ia zbuluar cenet dhe fshikulluar mbarë e prapë administratën Trump siç i takonte, por nga ana tjetër s’pati fisnikërinë t’i jepte hakun duke ia njohur ato punë që u kryen mirë (përpara se të pllakoste pandemia): tërheqja e trupave prej vatrave të luftrave, mosnisja e luftrave të reja, zbutja e klimës konfliktuale në lindjen e mesme, fuqizimi i ekonomisë, ulja e papunësisë, zvogëlimi i deficitit. Përkundrazi, pandemia u përdor si tabelë për të shënuar pikë politike dhe elektorale. Nuk i doli asfare në krah qeverisë në çaste kritike të pandemisë, për të bashkuar forcat në emër të interesave dhe të mirës së krejt vendit, përkundrazi. Dhe natyrisht nuk mënoi t’i frynte as zjarrit të prostestave, qoftë duke i nxitur, qoftë duke heshtur në mënyrë që të mos i zbuste a qetësonte.

Pikëpyetjet e dyshimet për administratën që nis punën në Janar nuk mungojnë. Thënë këtë, shëndeti ka përparësi, sidomos në krizë pandemie globale. Presidentin e ardhshëm Biden e presin beteja të forta me Covid-19, ekonominë, policinë, protestat, bashkimin e vendit. Punë ka plot dhe kohë jo aq shumë. Por, së pari, Biden të kujdeset të shërojë e të ngjisë këmbën e thyer sepse dita e parë në detyrë si president i Amerikës do nisur me këmbë të mbarë.

* Malaney, P. “Economic Nationalism as a Driving Force of Populism in the U.S.” (Prepared for “Global Populisms: A Threat to Democracy?” 3-4 November, 2017, Stanford University).

©Atena Bishka