Diplomacia ruse në Ballkan dhe ëndrra e rikthimit të influencës së dikurshme sovjetike - Nga Shaban Murati
Mund të kalojnë kufijtë e normave të marrëdhënieve publike kryeministrat, presidentët, politikanët, gjeneralët, analistët, etj. por është e papranueshme që t’i kalojë diplomacia. Ndaj mori formën e skandalit diplomatik deklarata e gjatë e Ministrisë së Jashtme të Rusisë lëshuar me emrin e ambasadës ruse në Sarajevë në 18 Mars, ku kapërcehet çdo normë apo status diplomatik i përputhshëm me ligjet ndërkombëtare, që rregullojnë marrëdhëniet midis shteteve, dhe me Konventën e Vjenës.
Së pari, kemi një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, të cilit Ambasada ruse dhe diplomacia ruse i kërkojnë me arrogancë që të mos hyjë në NATO dhe pretendojnë t’i diktojnë se çfarë politike të Jashtme duhet të ndjekë dhe se duhet të pyesë Moskën se cilët të ketë aleatë dhe në cilën aleancë të bëjë pjesë.
Së dyti, Ambasada ruse në Sarajevë shpreh publikisht një kërcënim të pashembullt ndaj shtetit të Bosnje-Hercegovinës, ku sipas deklaratës së publikuar në faqen zyrtare të ambasadës: “Në rast të afrimit praktik të Bosnje-Hercegovinës me NATO-n vendi ynë do të jetë i detyruar të reagojë ndaj këtij hapi armiqësor”. Moska bën hapur shantazh dhe kërcënon shtetin e pavarur të Bosnje-Hercegovinës që të heqë dorë nga rruga e tij e integrimit euroatlantik. Një kërcënim disproporcional, i cili dëshmon humbje të sensit të realitetit dhe të vendit, që duhet të mbajë diplomacisë ruse në Ballkan.
Së treti, Ambasada ruse në Sarajevë shkel normat më elementare diplomatike duke pretenduar rolin dhe statusin e një cenzori të madh në Bosnje-Hercegovinë, që dikton se çfarë duhet të flasin e çfarë nuk duhet të flasin njerëzit në shtetin e tyre. Sepse Ambasada ruse në Sarajevë deklaron se ajo po e ndërmerr këtë hap “në lidhje me publikimet e shumta, që lavdërojnë avantazhet e anëtarësimit të Bosnje-Hercegovinës në Aleancën Atlantike”. Një hap i pazakontë diplomatik, kur diplomacia ruse kërkon t’i mbyllë gojën institucioneve, mediave dhe opinionit publik në Bosnje-Hercegovinë që të shprehin ndjenjat dhe mendimet e tyre për çështje, që i takojnë ekskluzivisht shtetit të Bosnje-Hercegovinës dhe ku nuk ka asnjë punë Rusia dhe diplomacia ruse.
Së katërti, Ambasada ruse i lejon vetes të përcaktojë ajo nëse ekzistojnë rreziqe për shtetin ballkanik dhe bën pyetjet retorike se “kujt i trembet Bosnje-Hercegovina? Nga kush duhet ta mbrojnë aleatët e saj në NATO?”. Diplomacia ruse e di fare mirë se shteti i Bosnje-Hercegovinës ka 26 vjet që kërcënohet të prishet nga “Serpska republika”, nga Serbia dhe nga Rusia. Diplomacia ruse e di fare mire që shteti i Bosnje-Hercegovinës ekziston dhe ruhet si shtet unik pikërisht në sajë të mbështetjes së fortë politike, diplomatike dhe ushtarake nga Perëndimi. Absurditeti i deklaratës së Ambasadës ruse në Sarajeve arrin deri atje, sa që përcakton si detyrë të zgjerimit të NATO-s me anëtarë të rij përmirësimin e marrëdhënieve të këtyre shteteve anëtare me Rusinë.
Ndërhyrja dhe kërcënimet e diplomacisë ruse ndaj shtetit të Bosnje-Hercegovinës përbëjnë një flagrancë diplomatike, që nuk justifikohet as nga raportet e Rusisë me atë shtet, dhe as nga zhvillimet konkrete në shtetin e vogël ballkanik. Ndaj dhe ministrja e Jashtme e Bosnje-Hercegovinës, Bisera Turkoviç, në datën 20 Mars iu përgjigj deklaratës së Ambasadës ruse me një komunikatë, ku theksohet: “Tani autoritetet ruse po tregojnë një qëllim të hapur për të kufizuar sovranitetin e Bosnje-Hercegovinës, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Rusia nuk mund të na diktojë nëse Bosnje-Hercegovina do të hyjë në NATO”. Një reagim i shpejtë erdhi edhe nga selia e NATO-s në Bruksel, ku zëdhënësja Oana Lungesku deklaroi në 19 Mars se “asnjë palë e tretë nuk ka të drejtë të ndërhyjë kundër një vendi që do të bashkohet me NATO-n. Çdo kërcënim në këtë drejtim është i papranueshëm”.
Diplomacia ruse me deklaratën e saj të re skandaloze kundër anëtarësimit të Bosnje-Hercegovinës në NATO dhe me kërcënimet se Rusia do të hakmerret kundër atij shteti nëse hyn në NATO, tregon se ajo ka humbur çdo sens mase në Ballkan. Së pari, duhet theksuar se rruga e Bosnje-Hercegovinës drejt anëtarësimit në NATO nuk doli sot. Ajo është përcaktuar zyrtarisht dhe ligjërisht nga “Ligji i Mbrojtjes i Bosnje-Hercegovinës” miratuar në 5 Tetor 2005. Neni 84 i “Ligjit të Mbrojtjes” thekson se Këshilli i Ministrave i Bosnjë-Hercegovinës dhe institucionet e shtetit duhet të punojnë për pranimin e Bosnjë-Hercegovinës në NATO. Ligji thotë gjithashtu se Bosnjë-Hercegovina do të zhvillojë veprimtarinë e saj për anëtarësimin në NATO në kuadrin e juridiksionit te saj kushtetues dhe juridik. Bosnje-Hercegovina në 5 Dhjetor 2018 u pranua në “Planin e Veprimit për Antarësim”, MAP, të NATO-s.
MPJ e Rusisë dhe Ambasada ruse në Sarajevë i dinin gjitha këto dhe nuk i mësuan tani në muajin Mars 2021. Reagimi i ambasadës ruse erdhi një ditë pasi u krijua nga qeveria në Sarajevë “Komisioni i Bashkëpunimit me NATO-n”, komision të cilit qeveria e Bosnje-Hercegovinës për shkak të vetos së “Serpska republikës” u detyrua t’i ndërrojë emrin nga “Komision i Integrimit në NATO” në “Komision i Bashkëpunimit me NATO-n”.
Anëtarësimi i Bosnje-Hercegovinës në NATO është një objektiv i vjetër ligjor zyrtar. Siç deklaroi në reagimin e tij ndaj Ambasadës ruse anëtari i presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Shefik Xhaferroviç, në 19 Mars: “Procesi i anëtarësimit në NATO është ndërtuar nga “Ligji për Mbrojtjen” dhe nga vendimet e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës. Bosnje-Hercegovina do të vazhdojë në këtë rrugë, pavarësisht nga pikëpamjet dhe opinionet e ambasadës së Rusisë”.
Ndaj mori përmasat e skandalit diplomatik deklarata alla-sovjetike e Ambasadës ruse në Sarajevë në 18 Mars kundër anëtarësimit të shtetit ballkanik në NATO dhe kërcënimet e paprecedentë për hakmarrje të shtetit të madh rus ndaj shtetit të vogël ballkanik, i cili as nuk është në kufi me Rusinë apo me ndonjë republikë ish-sovjetike.
Humbja e sensit të masës nga diplomacia ruse në rastin e Bosnje-Hercegovinës shpreh gjendjen konfuze dhe pa rrugëdalje, ku ndodhet ajo diplomaci në Ballkan. Rusia në mënyrë aprioristike ka qenë kundër çdo anëtarësimi të shteteve ish-komuniste në Aleancën Atlantike. Ka qenë kundër, sepse nuk u shkëput dot nga mentaliteti shovinist i fuqisë së madhe komuniste, sipas të cilit shtetet ish-komuniste, meqë kanë qenë pjesë e sferës së influencës të perandorisë së dikurshme sovjetike, duhet t’i marrin leje Moskës nëse duhet të hyjnë në NATO.
Kjo strategji e shtetit dhe e diplomacisë ruse ka pësuar fiasko në Ballkan, kur të gjithë shtetet janë anëtarësuar në NATO me përjashtim të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Katër shtete, që kanë dalë nga ish-Federata Jugosllave kanë hyrë në NATO. Kosova është gati të hyjë që nesër, nëse e pranon NATO. Tani në radhë është Bosnje-Hercegovina. Diplomacia ruse bën sikur harron të vërtetën e madhe se asnjë shtet ish-komunist i perandorisë së dikurshme sovjetike nuk është detyruar nga NATO të bëhet anëtar. Të gjithë shtetet anëtare ish- komuniste dhe të gjitha shtetet aspirante për anëtar të NATO-s kanë kërkuar vetë zyrtarisht dhe në përputhje me të drejtën sovrane për të vendosur se në cilat aleanca të jashtme të bëjnë pjesë.
Kërcënimet e reja ruse ndaj Bosnjë-Hercegovinës për të mos hyrë në NATO të sjellin ndër mend ato akte brutale ndërhyrëse të Rusisë në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut për të ndaluar anëtarësimin e tyre në NATO. Në Mal të Zi Shërbimi Sekret rus dhe Shërbimi Sekret serb organizuan në Tetor 2016 një përpjekje për grusht shteti në Podgoricë, për të rrëzuar qeverinë dhe për të ndaluar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Në vitet 2017-2018 Shërbimi Sekret rus dhe institucionet ruse organizuan me strukturat e tyre lëvizje dhe organizma për të sabotuar marrëveshjen midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për çështjen e emrit, zgjidhja e të cilës hapi rrugën e anëtarësimit të Shkupit në NATO.
Pas dështimit në Maqedoninë e Veriut, e cila hyri ne NATO në Mars të vitit 2020, dhe në Mal të Zi, i cili hyri në NATO në Qershor të vitit 2017, diplomacia ruse po ngutet që të krijojë pengesa para Bosnje-Hercegovinës. Aq e ngutur është Rusia, sa që nuk po i hyn në sy as faktori bllokues filorus i “Serpska republikës”, e cila është kundër anëtarësimit të vendit në NATO. Duke pasur parasysh se vendimet e mëdha të shtetit në Sarajevë kërkojnë konsensusin e detyruar të tre entiteteve përbërëse, është e kuptueshme se pa votën e “Serpska republikës” do të jetë e vështirë të hapet rruga e anëtarësimit në NATO.
Rusia i diktoi në vitin 2017 “Serpska republikës” që të miratonte në mënyrë të njëanshme në parlamentin e saj lokal rezolutën e “neutralitetit ushtarak”, pikërisht për të bllokuar votën e saj për anëtarësim në NATO. Është e njëjta rezolutë e “neutralitetit ushtarak”, që Moska ia diktoi Serbisë në vitin 2007 pikërisht për të ndaluar hyrjen në NATO. Diplomacia ruse kërkon të trazojë ujërat në Bosnje-Hercegovinë, duke ndërhyrë në punët e brendshme të saj. Në këtë mënyrë Moska do të sanksionojë të drejtën e influencës së saj në atë shtet.
Ethja dhe ambicia për influence në Ballkan është aq e madhe, sa që e ka bërë diplomacinë ruse të humbasë çdo sens mase. Për këtë dëshmon ndërhyrja e Ambasadës ruse në punët e brendshme të Bosnje-Hercegovinës. Dëshmon ndërhyrja në punët e brendshme të Bullgarisë, që është kaq flagrante sa e detyroi kryeministrin bullgar Bojko Borisov në 20 Mars t’i drejtohej publikisht Rusisë që të mos spiunojë më në Bullgari. Rusia po humbet terren në Ballkan dhe asaj i kanë mbetur vetëm dy “ushtarë” të bindur për intrigat gjeopolitike ruse në rajon, Serbia dhe “Serpska republika”, dy “ushtarë” të komprometuar, të cilët janë të izoluar nga shumica e shteteve të Ballkanit, e cila i ka lidhur fatet dhe të ardhmen e saj me integrimin euroatlantik.
Ndërhyrja e paprecedent dhe kërcënimet e diplomacisë ruse për hakmarrje të Rusisë ndaj Bosnje-Hercegovinës janë një mesazh agresiviteti rus ndaj gjithë shteteve anëtare të NATO-s. Kjo duhet të shërbejë si sinjal vëmendje edhe për shtetet e tjera të rajonit, anëtarë të NATO-s, përfshirë edhe Shqipërinë. Sepse Rusia i ka të gjitha shtetet e Ballkanit në fokusin e veprimtarisë së saj ndërhyrëse. Ëndrra e rikthimit të influencës së perandorisë së dikurshme sovjetike të influencës në Ballkan është sot platformë pune e diplomacisë ruse në rajonin tonë.
©DITA