Opinione

Duke kërkuar çfarë të kërkosh - Arben Kallamata

Sfida më e madhe e Lëvizjes Kamioniste Kanadeze (LKK) ishte të merrej vesh çfarë kërkonin. Dhe jo thjesht ta merrte vesh publiku i jashtëm, por që ta kuptonin vetë pjesmarrësit dhe organizatorët e saj.

Faktikisht LKK (mua më pëlqen ta lexoj Le-Ke-Ke) u nis si një protestë anti-vax, domethënë anti-vaksinë, e nxitur nga masat kufizuese që i ishin imponuar elementit bosht të kësaj lëvizjeje, domethënë 10 përqind të kamionistëve kanadezë që nuk binden për t’u vaksinuar dhe që e ndjejnë drejtpërdrejt në xhep kufizimin kur nuk i lenë të kapërcejnë kufirin Kanada-Amerikë. Natyrisht, në përkrahje të tyre do të vinin edhe 10 përqind të popullsisë së Kanadasë të cilëve nuk iu ka dalë ende frika nga gjilpëra.

Të lidhur përmes rrjeteve sociale që kanë veti të bashkojnë përfaqësuesit e shkëputur të çdo lloj ideje të skajshme duke i bindur se janë rryma ideore e shoqërore të fuqishme, kamionistët u nisën nga Vankuveri drejt kryeqytetit të vendit, Otavës për të protestuar dhe kërkuar të drejtën e tyre për t’u hedhur këtej dhe andej kufirit pa qënë nevoja të shpohen, të mbajnë maska, apo të ngjeshin tampona në hundë. Natyrisht, lëvizja ishte e hapur për këdo që donte t’i bashkohej dhe që përputhej me idetë e tyre, pavarësisht nëse ngisnin kamjona apo biçikleta. Ftesa ishte e hapur dhe u pranua nga një pjesë e 10 përqindëshit anti-vaks të popullsisë Kanadeze si dhe u përkrah moralisht dhe rrjete-socialisht nga përqindje edhe më të larta të popullsive të pavaksinuara në SHBA, Europë, Rusi, dhe, natyrisht, Shqipëri.

Largësia nga Vankuveri në Otavë është 4631.2 kilometra dhe, po të ngasësh pa u ndalur duhen 43 orë rrugë. Natyrisht, kamjonistëve të LKKsë iu desh më shumë kohë. Po e përmend kohën, sepse është element i rëndësishëm i rrëfimit. Shumë gjëra ndodhin në kohë, dhe sa më shumë kohë kalon, aq më shumë gjëra ndodhin. Në lidhje me LKKnë, gjatë kohës që ata udhëtonin nga bregu Perëndimor për në Kryeqytet rradhët e tyre u shtuan dhe u shumuan, përkrahësit në të gjithë botën u bënë më të zëshëm, rrjetet sociale u mbushën me artikuj bindës, por u përcaktuan edhe disa probleme.

Nga më të mprehtët ishte që kamionistët kishin harruar se 10 përqindëshi që ata përfaqësonin binte disi ndesh me pjesën tjetër, që ata nuk e përfaqësonin dhe që, në një mënyrë apo në një tjetër mund të kishte mendim të ndryshëm prej tyre. Diku pranë Otavës, ose ndoshta pasi kishin hyrë atje, ata u kujtuan për me faktin që pjesa tjetër që mbetet nga 10 përqindëshi është 90 përqind, hesap të cilin organizatorët e një proteste duhet ta kishin bërë që në fillim. 90 përqind e kamionistëve (në një llogari të thjeshtë, duke pasur parasysh se Kanadaja numëron 120,000 të tillë, dilte se duhet të ishin rreth 108 mijë) duken sikur janë goxha në krahasim me 12 mijë. Nuk po i hyj llogarisë për të gjithë popullsinë e vendit. Nga ana e marrëdhënieve publike një hesap i tillë nuk del shumë në leverdi të protestuesve. Diku në Otavë kamjonistët antivaks dhe antivaksët jo-kamjoninistë e kuptuan se iu duhej edhe më shumë përfaqësim, edhe më shumë mbështetje. Prandaj, si pa u kuptuar, pa e marrë vesh njeri, tema e protestës u zhvendos drejt një pike që mund ta përkrahte kushdo, i vaksinuar apo i pavaksinuar - Liria.

Nuk qe thjesht puna që u lanë në baltë aspiratat anti-vakse, anti-tampone dhe anti-maskë të disa kamionistëve për të lëvizur lirisht nga një anë e kufirit në tjetrën. Puna ishte që Liria solli telashe të tjera. Doli se Liri po kërkonin edhe ca njerëz që mbanin flamuj me zvastika, domethënë nazistë. Për fat të mirë Kanadaja nuk ka aq shumë të tillë, por sidoqoftë, jo aq pak sa t’i injorosh fare. Është vështirë të harrosh se një nga pikat e programeve të grupimeve neonaziste të paktën është ruajtja e pastërtisë racore, e shprehur në urrejtjen dhe mospranimin e emigrantëve.

Hm! Paksa problematike kjo kur ke parasysh që një pjesë e mirë e pjesmarrësve të LKKsë janë imigrantë. Rastësisht dëgjoja njërin prej tyre duke dhënë një intervistë shumë i shqetësuar për këtë dukuri. Natyrisht, neonazistëve iu janë bashkuar edhe një dorë homofobësh e ksenofobësh, pro-lifers and low lifers të tjerë. Madje u gjendën edhe idiotë që mbanin flamuj të Konfederatës amerikane, që nuk i bashkon asgjë, absolutisht asnjë pikë historike apo logjike me Kanadanë. Nuk mungoi të jepte mendimin e tij as profesori i çekuilibruar Jordan Peterson, i cili në një nga përçartjet e radhës iu kërkoi drejtuesve konservatorë të provincave Scott Moe, Jason Kenney dhe Doug Ford të shfrytëzonin rastin dhe të rrëzonin qeverinë federale të Trudeau-së. Një ndërhyrje krejt e papërgjegjshme dhe në mospërputhje të plotë me të gjitha parimet e demokracisë.

Shpejt u vu re LKK e kthyer në Lëvizje për Liri, kishte aq shumë liri saqë nuk merrej vesh ç’bëhej. Në fakt, Lëvizja për Liri brenda një kohe të shkurtër vërtetoi pikërisht absurditetin e saj - në Kanada është idiotizëm të protestosh për liri, sepse, për atë kuptim ka shumica e arsyeshme e popullsisë Kanadaja nuk është vend ku mungon liria. Njerëzit ndiqnin me habi nga ekrani karvanin e madh të kamionëve dhe turmën jo dhe aq të madhe të protestuesve që bllokonin kryeqytetin e vendit duke u vërtitur të lirshëm, duke bërë çfarë iu donte qefi, duke nxjerrë turlilloj parrullash dhe flamuj të pështirë dhe, përsëri, duke kërkuar Liri. Për çfarë? 

Këtu doli përsëri e nevojshme që t’i kthehej pak dashurisë së parë dhe të thuhej se kërkohej liri për të hequr masat ndaj Kovidit. Më në fund u duk sikur po arrihej të formulohej diçka e logjikshme dhe e pranueshme. Ne jemi luftëtarë të lirisë nga masat shtrënguese të qeverisë për pandeminë.

Kush nuk do që të hiqen masat shtrënguese ndaj pandemisë? Unë për vete dua. Pse nuk dola në protestë? Sepse masat shtrënguese ndaj valës së Omikronit në Ontario u vunë diku në fillim të Janarit dhe, që ditën kur u vunë u deklarua se ato do të mbaheshin në fuqi deri në datën 31 Janar. Dhe ashtu u bë. Masat u hoqën në 31 Janar. Pritet që të ngrihet së shpejti çdo lloj kufizimi. Po të kishte duruar edhe një ditë LKK do t’i kishte plotësuar kërkesat e veta pa qënë nevoja të ngisnin gjithë ato traqe për 4631.2 kilometra dhe të protestonin në pikë të të ftohtit.

Një shtesë e vogël gjoja si pa lidhje: Sot, në datën 2 Shkurt, Partia Konservatore Kanadeze ka organizuar një votim konfidence për drejtuesin e saj, Erin O’Toole. Historia e PKK (jo LKK) është e gjatë dhe e ndërlikuar dhe përmban disa ndarje dhe bashkime. Bashkimi i fundit i konservatorëve kanadezë u krye nën Stephen Harper, i cili e drejtoi jo vetëm partinë por edhe vendin në mënyrë të shkëlqyer për një kohë të gjatë. Personalisht, unë e shoh Harperin si një nga kryeministrat më të mirë që ka pasur Kanadaja. Kur Harper u largua nga skena politike, posti i tij duhej zëvendësuar. Në zgjedhjet e fundit brenda Partisë Konservatore pati disa kandidatë, ndër të cilët më i mundshmi për të fituar ishte Peter MacCay, ish Ministër i Mbrojtjes në qeverinë Harper. Nga raundi i parë i votimeve Peter MacCay mori më shumë vota nga të gjithë kandidatët e tjerë, por jo aq sa të fitonte drejtimin e partisë. Erin O’Toole doli i dyti. Duhej një raund tjetër. Ndërkohë, u pa qartë se fituesin do ta vendoste një minorancë e partisë, grupimi ultrakonservator i saj, një përqindje e vogël dhe normalisht pa peshë e përbërë pikërisht nga ekstremistët e djathtë. I pyetur përpara votimit se, nëqoftëse do të zgjidhej a do t’i merrte parasysh kërkesat e tyre, Peter MacCay u përgjigj drejtpërdrejt dhe prerë: Jo. Kërkesat e këtij grupimi janë jashtë çdo standarti demokratik për t’u marrë parasysh nga politikanë seriozë kanadezë (e theksoj, kanadezë). Ndërkohë, Erin O’Toole përdori tjetër taktikë. Ai premtoi se do t’i merrte parasysh, mjafton që t’i jepnin votën. Ata ia dhanë dhe ai zgjodh. Pasi u zgjodh, ai bëri atë që do të bënte çdo politikan me dy para mend në kokë - i braktisi ekstremistët.

Pyetja është: Sa gisht ka ky grupimi ekstrem i partisë konservatore që ka thirrur për t’i kërkuar llogari sot Erin O’Toole’s në organizimin e protestave të kamionistëve në Otavë? A ka ndonjë lidhje protesta e LKK-së me votimin e sotëm të PKK-së? Sa nga ata që tundnin svastikat në protestën e Otavës do të votojnë sot për drejtuesin e Partisë Konservatore. Unë për vete s’kam asnjë detyrim që t’i përgjigjem kësaj pyetje, prandaj po e le hapur. Le të shohim çdo të ndodhë sot me Partinë Konservatore Kanadeze. Kushdo që do ta pëlqejë rezultatin është i lirë ta festojë në ndonjë restorant apo pub. Janë të gjitha të hapura, sepse kufizimet janë hequr.

Meqë ra fjala, partia opozitare e Kanadasë, Partia Konservatore, po organizon votë konfidence për kryetarin. Nëse ndonjëri i bën shoqërizim këtij fakt me ndonjë gjë që po ndodh në ndonjë vend tjetër, dhe nëse do të kuptojë se si kryehet procesi në një vend demokratik, le ta ndjekë pak politikën kanadeze. Duket e mërzitshme, por është shumë interesante dhe e vlefshme, pasi është ashtu si duhet të jetë. Pavarësisht se cila parti është në pushtet, mua më pëlqen që jam qytetar i këtij vendi.

©Arben Kallamata