Blog

Respekt për fjalën - Nga Sulejman Mato

Shkrimtarë të mirë janë ata që e mbajnë gjuhën efiçente, domethënë ata që e mbajnë atë të saktë e të qartë. Nuk ka rëndësi nëse një shkrimtar i mirë kërkon të jetë i dobishëm apo nëse një shkrimtar i keq kërkon të bëjë dëm...

Ezra Paund                                                                                        

Libri operon me fjalët. Një shkrimtar i mirë i zgjedh fjalët si ai muratori që zgjedh dhe gdhend me çekiç, gurët e qosheve, duke i latuar me kujdes që ata të jenë në harmoni me njëri-tjetrin, të jenë të një mase dhe të një ngjyre. Pa këtë respekt për fjalën, ju nuk mund të keni kurrë aftësi të mendoni qartë dhe të respektoni personalitetin tuaj.

"Fjala vret, shpirti jep jetë", - thuhet në Bibël që do të thotë se fjala ka forcë të jashtëzakonshme, kur përdoret në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.

Serioziteti i punës së një shkrimtari nis qysh me zgjedhjen dhe përdorimin e fjalëve. Fuqia e njohjes dhe e talentit ka lidhje me vendosjen saktësisht të gjërave.

Të jesh i zgjedhur duhet të zgjedhësh, jo vetëm fjalët, por edhe temat që trajton.

Fjala merr vlerë në sajë të kombinimeve brenda fjalisë. Fjalët e gjuhës sonë nuk mund t'i ndajmë në fjalë të vjetra dhe të reja, as nuk mund të bëjmë diferencime midis fjalëve të papërdorura nga fjalët më të përdorshme, fjalët dialektore nga fjalët e gjuhës letrare. Të gjitha fjalët kanë një vlerë, janë të barasvlershme. Nuk ka fjalë të para dhe fjalë të dyta. Shkrimtari duhet të jetë i ndjeshëm dhe i vëmendshëm ndaj fjalës, si një alkimist i cili e përdor materialin e vet për krijimin e aliazheve kimike.

Nuk mund ta konsiderojmë një shkrimtar të vjetër vetëm se përdor fjalë të vjetra dhe as një shkrimtar modern, vetëm se përdor fjalë të reja. Fjalët u ngjajnë gurëzave të lumit, disa prej tyre duken si pa shkëlqim, sikur nga mospërdorimi kanë zënë myshk ose pluhur, por, poetët dhe shkrimtarët, duke i vendosur ato në veprën e vet, u japin vlerë, i rinojnë, krijojnë me to imazhe, ide dhe ndjesi nga më të çuditshmet...

Janë fjalët ato të cilat, kur përdoren me vend, na emocionojnë, na përçojnë mendime dhe ndjenja, ngjarje dhe histori të kohës që jetojmë apo të kohëve të shkuara. Shumë shkrimtarë të rinj kanë një fjalor të varfër. Nganjëherë ata nuk e përdorin saktësisht fjalën, sipas nuancës së shprehjes. Për shembull, për fjalën "shikoj" ka disa sinonime, si: shikoj, shoh, vështroj, vërej, këqyr, mbikëqyr... apo shprehje të tilla, si: "kapsallit sytë", "shqyej sytë", "ngul sytë", "e ha me sy" etj... Për fjalën "ndriçon" ka disa sinonime, si: "shkëlqen", "vezullon", "vetëtin", "feks", "llamburin", "vegon", “rrezaton”, “farfurin”, etj. Të gjitha këto fjalë apo shprehje duhen përdorur, pa dyshim, me saktësi dhe në vendin e duhur.

De Rada, në veprën e tij "Milosao" këto fjalë i ka përdorur disa herë me shumë saktësi.  Kur Milosao shkon në mal, tek stanet, i dashuruar dhe i shqetësuar për të dashurën e vet, Rinën, përdor shprehjen "ai rrinte... me "sy të pisëruar", që do të thotë "sy nxirosur...".

Në përshtatjen e kësaj vepre fjala "pisëruar" është zëvendësuar me fjalën "i mërzitur". Mirëpo këto dy fjalë kanë vlera dhe nuanca të ndryshme. Fjala "i mërzitur" nuk e ka atë peshë emocionalë, ajo është një fjalë e përgjithshme. Të tillë shembuj mund të japim me shumicë.

Në librin "Ftesë në studio", I. Kadare, i cili në krijimtarinë e tij ka bërë një punë të suksesshme në rinovimin e fjalëve dialektore, në vend të shprehjes "qysh në atë çast", përdor "shi në atë çast", “shi" është një fjalë e dialektit verior, e panjohur nga lexuesi. "Shi në çastin kur miqtë ë mi pritnin vargjet e famshme, zëri im e humbi sigurinë, u mek".

Gjuha letrare shqipe gjatë gjithë kohëve, qysh me Naimin, është pasuruar me fjalë të reja. Në vitet '80 u ndërmor një fushatë e gjerë për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës letrare shqipe, duke rishikuar rreth 500 fjalë, kryesisht huazime nga italishtja dhe frëngjishtja, por edhe disa greqizma dhe turqizma. Janë pikërisht këto vite kur, në gjuhën shqipe, u futën fjalë të tilla, si: "mendësi" në vend të fjalës "mentalitet", "mjedis" në vend të fjalës "ambient" apo "miratoj", në vend të fjalës "aprovoj"etj.  Mirëpo kjo nismë e viteve '80 pasoi me një vërshim fjalësh të huaja, sidomos pas viteve '90. Paralel me fjalët e huaja "bordero", "dezhurn", "lavatriçe", gjejmë fjalë të huaja të reja, kryesisht angleze, si: "killer", "shou", "luk", "lider", "bojkot", "hitpareid", "event ", "menazher", "bodigard", "overdoz", "abort", "staff", "uikend", "axhendë" etj.

Të gjitha këto fjalë dhe të tjera që kanë hyrë nga gjuha angleze përdoren gjerësisht nga gazetarët dhe folësit e lajmeve televizive.

"Në të vërtetë, ekziston sot ndër ne një klimë anglofilie, në kuptimin e një dhënieje të ethshme të shqiptarëve ndaj anglishtes, e cila e nxit hyrjen e anglizmave" ("Leksione xhepi për gjuhën", Kristina Jorgaqi).

Nuk jemi për një gjuhë puritane, por, në rastet kur gjuha shqipe ka fjalët e saj të bukura, s’ka pse të përdorim fjalë të gjuhëve të tjera. Përse vrasësit duhet t’i themi "killer"…? Përse të përdorim fjalën "wikend" ' kur mund të përdorim fare mirë "fundjavë"?

Më i çuditshëm na duket përdorimi prej disa gazetarëve i fjalës së huaj "minoren", kur mund të përdornin fare bukur fjalën e gjuhës shqipe "i vogël". Në të vërtetë, në kuadrin e hapjes së Shqipërisë me vendet e huaja si dhe të hyrjes në vend të produkteve të prodhimit të huaj, si p.sh., në fushën e kozmetikës, janë futur shumë fjalë të huaja, meqë në shqip nuk u është gjetur ende fjala e përshtatshme.  Kjo konsiderohet si një periudhë kalimtare.

Është detyra e çdo poeti dhe shkrimtari t'i përdorë me sukses fjalët e gjuhës shqipe, të reja ose të vjetra qofshin, po kështu që t'i përdorim më kujdes edhe disa fjalë të huaja, pa rënë në puritanizëm.

Vini re fjalët në poezinë popullore, bukuria e vajzës shqiptare  shprehet vetëm me tri vargje :

Hanko mos shko nëpër varre

se të vdekurit i ngjalle,

të gjallët në varr i kalle....

Në këto tri vargje nuk ka ndonjë fjalë të re, as fjalë moderne. Përshkrimi i bukurisë së vajzës i besohet shprehjes metaforike.

Shkrimtari rus Anton Çehov në shënimet e tij gjatë qëndrimeve të gjata në Jaltë shkruan:  Kam qëndruar 20 minuta përballë detit, vetëm për të gjetur një krahasim të vërtetë për detin. Duke e kundruar, më shkuan ndërmend shumë krahasime, po a e dini ku qëndrova... vetëm tek epiteti: "Deti i madh".

Këtë krahasim mund ta konsideronim më të rëndomtin ndër gjithë krahasimet që janë bërë për detin, qysh nga Homeri i madh, por ja që shkrimtarit të madh rus në atë çast nuk ia mbushi mendjen asnjë krahasim tjetër. Në ato çaste atij iu duk se deti nuk ishte as i gjerë, as i thellë, as i paanë, as i kaltër, as ngjyrë gurkali... as blu i thellë, as si një vresht… Deti ishte "i madh". Të mendosh aq gjatë për të gjetur një fjalë të duhur, një fjalë që shpreh gjendjen e atij çasti, ky është një mundim i bukur i çdo shkrimtari.

©Sulejman Mato