Kur gazeta La Presse e Montreal shkruan për Shqipërinë - Nga Rushan Xhaferi
Kur lexoj mbi Shqiperinë dhe shqiptarët në Montreal, jam disi i eksituar. Nuk e di se si do të jetë shkrimi, por shumë herë është negativ. Filmat, si “Taken”, që nxjerrin në pah disa mafiozë me origjinë shqiptare (për arsye se italianët dhe rusët janë bërë bozë për publikun perëndimor dhe kinemasë i duhen kriminelë me origjinë më ekzotike) bëjnë dëme në perceptimin e të huajve. Jo më pak, por Le Chiffre, armiku i James Bond-it të vitit 2006, ishte me origjnë shqiptare. Këta lloj filma me shperndarje botërore krijojnë klishe që është e vështirë ti ndryshosh.
Për fat të mirë erdhi Kampionati Evropian i 2016. Në atë moment, Evropa zbuloi që shqiptarët nuk ishin të gjithë trafikantë, mafiozë, kriminelë apo hajdutë. Edhe pse në Itali doli si shaka që mund të liheshin shtëpitë hapur gjatë ndeshjes Shqipëri-Rumani. Megjithatë, duke lënë barcaletat mënjanë, imazhi për Shqipërinë dhe shqiptarët pati një permirësim të dukshem, jo vetëm nga tifozet e bukura shqiptare ku kamerat fokusoheshin shpesh gjatë ndeshjeve, por edhe nga ekpozimi i një vendi që evropianët ishin kuriozë të vizitonin. Rritja e numrit të të huajve që vizitojnë Shqipërinë e konfirmon këtë. Mund të themi që 2016 përmirësoi sado pak imazhin tonë që padrejtësisht është shtrembëruar në gjithë Evropën.
Ndoshta edhe për këtë arsye, gazeta montrealeze LaPresse e cila i ka kushtuar një shkrim mbi numrin e madh te kërkuesve për azil në France ka vendosur nje foto marrë nga ndeshja Shqipëri-Rumani e luajtur ne Lyon në 2016.
...
Artikulli në LaPresse i datës 27 mars 2019, vendos theksin në punën që po bën Franca për të parandaluar numrin e madh të azilantëve shqiptarë, diçka e pajustifikuar për një vënd që konsiderohet «i sigurt». Bashkëpunimi është i dyanshem midis ministrive të Brendshme shqiptare dhe franceze.
Sikurse në rendin alfabetik edhe kësaj here, Shqiperia vjen pas Afganistanit me 8261 dosje të hapura për kërkesë azili.
Në Evropë, 64% e të gjitha kërkesave për azil nga ana e shqiptarëve bëhen në Francë. Ky numër i lartë shpjegohet edhe për faktin se shqiptarët që rrefuzohen në vënde të tjera si shpresë të dytë ose të fundit i drejtohen Francës. Nga ana tjetër, ministri i Brendshem francez, Christophe Castaner, e vendos theksin tek shkëmbimet e informacionit midis dy vëndeve si dhe luftën kundër rrjeteve të trafikut të imigrantëve (e cila bëhet më tepër në Calais ku azilantët kerkojnë të ikin drejt Anglisë). Franca pohon se nuk do të tolerojë më duke përshpejtuar numrin e largimeve të imigrantëve ne mënyrë ilegale nga vëndi duke e shpjeguar si një nivel i pajustifikueshëm i kërkesave për azil nga ana e bashkëkombasve tanë. Ky lloj qëndrimi bëhet më tepër në një politikë të brendshme që synon të joshë elektoratin ekstremist të djathtë i cili voton për Marine Le Pen.
Duhet theksuar se të dy ministrat, si francezi dhe shqiptari, janë shumë të zënë për momentin me probleme ndoshta më thelbësore në vëndet e tyre respektive. Ministri i Brendshëm francez ka deklaruar se muajt e ardhshëm do të shkojë në Shqipëri për të qartësuar gjithë këtë çeshtje.
Artikulli permend edhe faktin që ky realitet irriton paksa Shqipërinë për imazhin që shfaq në Evropë në momentin që është në negociata për anëtarësimin në BE.
...
Ne Kanada ky lajm duket paksa i parëndesishëm, por në France janë shumë media që theksojnë se imigracioni shqiptar shqetëson edhe mafia mund te jetë në mes. Vitet e fundit imigracioni ka shkaktuar jo pak shqetësime në të përditshmen e evropianëve sidomos nga luftrat e shumta dhe konfliktet në Lindjen e Mesme. Për të ruajtur proporcionet dhe pa u skandalizuar, 8 mijë Shqiptarë janë një person për katër fshatra franceze. Në globalitet ky numër është fare pa rëndësi por imazhi i keq i bashkangjitur me realitetin e kohëve të fundit bëjnë që mediat, ndoshta edhe me nje lloj tendence anti-imigracioni, të fryjnë dhe të tërheqin vëmëndjen nga politikat katastrofike të brendshme për të treguar me gisht zbarkimin e shumë të huajve në Evropë.
Po ne ç’hyjmë këtu? Për mendimin tim, ne hyjmë shumë pak dhe Franca nuk po na lë të hyjmë fare, as si imigrant as si vënd anëtar, sepse Evropa ka problemet e veta në të njëjtin moment dhe nuk do lejojë (dhe nuk do të lejonë) që Anglia të dalë nga BE.
...
Artikulli është shumë neutral dhe pa ndonjë arsye madhore, por artikulli flet për Shqipërinë herë si vend i sigurt (me thonjëza) për arsye citimi dhe herë pa thonjëza. Jam i sigurt se një ditë këto thonjëzat do të jenë zhdukur kur të bëhet fjalë për Shqipërinë.
...
Kam shkruajtur disa herë për largimin nga vendi dhe për të qënurit larg. Gjithë historia botërore është e bazuar tek kjo lëvizje e njerëzve e cila i ka sjellë botës këtë zhvillim, sepse përndryshe do të ishim akoma në Afrikë siç kemi qënë para 70 000 vjetësh. Vetëm një mëndjelehtë mendon që imigracioni është kollaj dhe imigrantët duan të zënë vëndin e dikujt tjetër. Imigracioni është në AND-në tonë. Në 2019, gjërat janë ndryshe. Ne nuk jemi më ai Homo Sapiens i mijëra viteve më parë. Kemi nje komb, kemi nje gjuhë, kemi disa vlera që na bëjnë ndryshe nga disa të tjerë. Në botëkuptimin tonë (ndoshta të varfër) ne ndihemi krenarë për çfarë jemi dhe e ndjejmë se kemi të njëjtin fat me çdo imigrant shqiptar kudo që ndodhet në botë. Dhe për më tepër trishtohemi kur kërkesa e çdokujt refuzohet sepse mendojmë se mund të ishim ne vetë në atë situatë. Kjo na bën humanë dhe jo një shifër për arsye statistikash.
...
Për sa më përket, jam i bindur se një ditë do të vijë ai moment që në subkonshiencën e të gjithë perëndimorëve kur përmendet vendi ynë të mendojnë për një vënd ku kalohen pushimet më së miri dhe ku njerëzit janë mikpritës, jo më të mirë por edhe jo më të këqinj se në vëndet e tjera. Por kjo do të fillojë kur edhe ne vetë, si shqiptarë të disporës, të mendojmë kështu…
Foto kredit: REUTERS