Blog

Hajde pjeshkë, hajde dardha! - Nga Agim Xhafka

(Tregimi i së dielës.)

Për disa vjet rresht verës i shihja të tre. Gruan para dhe dy djem pas. Ajo dukej nga larg si një 50-vjeçare, por në fakt ishte gjysma, rreth 30. Djali i madh 13 dhe i vogli mendoja se qe 7, por kishte mbushur 11.
Të tre varg plazh më plazh, shisnin pjeshkë, dardha, fiq. Sa lumturoheshin kur blinte dikush. Unë u merrja përherë nga të gjitha.
-Ç’i do?- më pyeste gruaja.
-U duhen lekët këtyre,-thoja.
Mes vapës kjo treshe nuk shpërbëhej gjithë verës. Si trupë ushtarake, me të njëjtin ritëm, me të njëjtin hap. I vogli vinte pas tyre krejt bosh, asgjë nuk mbante. Por gjendej me ta, bashkë.
Mësova se burri i shtëpisë ishte sëmurë, hemoragji cerelbrale. Nuk lëvizte, shtrirë, pa gojë e pa gjymtyrë aktive. 24 orë me sytë në tavan e mbase me lutje, o zot më merr. As mjekim, as pagesë sociale, as kujdes. Mbyllur në dhomë deri sa treshja kthehej nga marshimi mes vapës. Me fat nëse u krijohej mundësia të blenin një pulë. Prapë me fat nëse blenin vetëm bukë.
Mbasdite djali i madh rrinte pranë një dyqani buke në rrugën kryesore. Shihte ata që shëtisnin, por më shumë u ngjiste sytë vajzave të moshës. Dhe ndriçohej i gjithi. Harronte lodhjen, vapën e mendonte të nesërmen. Fantazonte, por e kishte ilaç të mjerimit ku kishte rënë. I vogli afrohej tek ca kënde lojrash e vraponte pas gjithë fëmijëve. Loja e mblidhte brenda si kanguri kur fut në xhep të voglin e vet.
Sivjet treshja ishte bërë dyshe. Nëna dhe i vogli shisnin, por tani gjysmat e koshave i mbante ai që më parë ecte serbes i treti.
Mësova se babai kishte vdekur në dimër. Shtëpia po rrënohej dhe të tre që ngelën prisnin me ankth pranverën dhe kohën e plazhit. Por kur i mposhti era e shirave dhe uria e egër i madhi puthi nënën dhe iku. Nuk tha ku. Qante nëna, por më shumë vëllai i vogël. Se iu duk se pas babait do ngelej dhe pa vëlla.
Deri sa një ditë një fqinj lajmëroi se djali i madh arriti në Itali. U bashkua me ca djem nga qyteti dhe nisi punë në Bergamo, në ndërtim. U gëzua nëna dhe i vogli. E ja, pas këtij lajmi erdhi dielli dhe plazhi nisi jetën. Filluan bredhjet dhe thirrjet, hajde fiq, hajde dardha, hajde pjeshkë.
Nëna me të zeza më e plakur, edhe pse sa kishte kaluar të tridhjetat. Por më e çlirët, më e qeshur. I vogli mburrej se vëllai do i sillte një tren.
-Prej vërteti, jo lodër,-mburrej ai.
Gruaja tha se i biri nga Italia i dërgonte para çdo dy javë. Rregulluam çatinë, e mbase lyejmë këtë vit.
Mendoja me dhimbje atë 13-14 vjeçar që rrinte majë skelave dhe mbante në kurriz tulla dhe llaç.
-Do shkoj dhe unë, por e mori ai pasaportën,-tha i vogli.
-Mori pasaportën e burrit, me atë iku,-sqaroi e ëma.
Kur e pyes që pse vrapojnë plazheve në vapë kur djali dërgon para, njëzëri më thanë:
-Ia heqim mënjanë, për dasmën e tij.
-E keni fejuar?
-Qyqja, ai është fëmijë,-qesh nëna.
Ndërkohë bërtasin plazheve, hajde fiq, hajde dardha, hajde pjeshkë. Tani thirrjet i kanë më të forta, më të qeshura. Më duken ato britma si ftesa për dasmën e çunit hallemadh, të njomë dhe të burrëruar mes mjerimit.
Ua blej racionin e përditshëm dhe i lutem zotit për këta njerëz fatkeqë, por të mirë sa mirësia. Se jo çdo e keqe vjen për keq, e premtoj se do jem në dasmën “14 vjeç dhëndër.”

 

Tagged under Agim Xhafka