Blog

Pasojat e komunizmit - Nga Robert Kore

Kur kam ardhur në North America kam dëgjuar për herë të parë shprehjen: “he/she is a good listener”.

Në anglisht ka dy folje, “hear” and “listen”, që në shqip përkthehen që të dyja “dëgjoj”. Por “hear” and “listen” kanë një ndryshim të madh.

Edhe në italisht janë dy folje të ndryshme “sentire” dhe “ascoltare”.

Me sa duket shqiptarët, “they hear, but they don’t listen”, prandaj kanë të njejtën folje për të dy rastet.

I keni parë edhe në televizor se si flasin të gjithë njëkohesisht duke bertitur dhe asnjeri nuk e dëgjon tjetrin se ç’thotë.

E keni parë edhe kryeministrin e vendit se si e ndërpret gazetarin dhe i thotë: “Leri more këto pyetje, kush të ka mësuar të më bësh këto pyetje”.

“Ku ku moj nanë” - thonë shkodranët.

Nuk mund të imagjinohet që në North America dikush të ndërpresë gazetarin, qofte ky edhe senator apo kongresmen dhe te guxojë t’i thotë leri këto pyetje. Gazetari është mbret në studion e tij dhe adreson pikërisht ato pyetje që e venë në vështirësi të intervistuarin.

E mbani mend një gazetare të re shqiptare që pyeti kryeministrin dhe ai doli nga salla dhe i tha: “Une po iki, ti vazhdo me pyetjen tënde”.

Kjo nuk besoj se ndodh në një vend tjetër europian. Të tillë gazetarë i duhen Shqipërisë.

Nejse, le të kthehemi tek “good listener”.

Shqiptarët që jetojnë në USA, Kanada dhe në përgjithësi në perëndim, bëjnë përpjekje që të jenë “good listener”, sepse në shumë raste, po i ndërpreve kanadezet, të thonë menjëherë: “sir, you are not listening...”.

Por nuk është gjithmonë e lehtë, sepse nuk jemi edukuar që në shkollë fillore për këto gjëra, siç edukohen fëmijët këtu. Jo vetëm femijet, por edhe të ardhurit bëjnë trajnime për këtë punë. Bëjnë trajnime “to be a good listener”, bëjnë trajnime se si duhet të trajtosh një njeri të nxehur qe ke përballe, bëjnë trajnime për “body language” e për shumë e shumë gjëra të tjera, për të cilat ne shqipot jemi akoma mbrapa... Na ka lënë komunizmi shumë gjëra që duhet kohë ti riparojmë...