Intervistë në Prill - Nga Sami Milloshi

Prej dhjetëra mijë kilometrash larg një bukuroshe më bën një ftesë.
- A mund të më japësh një intervistë për këtë gjendje të jashtëzakonshme në kohë të pandemisë? - më pyet ajo me një ton tepër të mirësjellshëm.
- Po - i thashë - vetëm më jep pak kohë...
- Ke gjithë kohën që të duhet - tha zonjusha.
U ngrita nga shtrati dhe hyra ne dush. Nuk bënte të paraqitesha ashtu i përgjumshëm para shikuesve të televizionit. Aq më tepër që kjo ishte e para herë dhe ndoshta edhe e fundit në jetën time që unë mund t'i jepja intervistë një televizioni...
U lava, u rrojta, dhe pasqyra më tha se tashmë fytyra ime ishte mjaft e gatshme për intervistë...
Pastaj bëra një kafe. Sepse, thashë me vete, kafja më jep energji t'i përgjigjem me mendje të kthjelltë pyetjeve të gazetares.
Nuk kishte kaluar as nje orë kur në ekranin e celularit m'u shfaq gazetarja bukuroshe.
- Mirëdita zotëri, jam shumë e gëzuar që pranuat ftesën për intervistë. Si jeni ju atje ne Amerikë? Si po e përballoni pandeminë?
- Faleminderit zonjë- i thashë - ne jemi mirë.
Po unë vetë kam një ankth të çuditshëm...
- E marr me mend - tha bukuroshja- të gjithë kemi nga pak ankth dhe panik... Është e shpjegueshme, e thonë edhe psikologët...
- Dakord zonjë, - i thashë - por ky ankthi im është disi ndryshe. Unë druaj se libri im me tregime të përkthyera në Anglisht mund të mos i mberrijë kurrë në duar lexuesit...
- Zotëri - tha ajo - po edhe po të ndodhte kjo, larg qoftë, nuk do të ishte ndonjë hata e madhe. Ka gjëra shumë më të rëndësishme se një libër i pabotuar... Me mijëra njerëz po vdesin ne spitale, ne Bergamo, në New York, në Madrid e gjetkë.... Janë shpirtra njerëzore, apo jo, zotëri?
- Po - zonjë - i thashë - të tillë e quaj edhe unë librin tim, një shpirt më shumë që nuk dua të ketë fatin e të ikurve në furrat e krematoriumeve... Dhe a e di se pse? Sepse e ka përkthyer nga Shqipja ne Anglisht nje grua e verbër. Unë nuk dua të vdesë dashuria e saj për Shqipen. A më merr vesh se çfarë po them apo jo? Nuk dua të vdesë dashuria e zonjushës Carrie.... Dhe aq më tepër, me një vdekje të trishtë pa i hedhur kush një tufë me lule përsipër...
- Zotëri, unë dëshiroj që kjo të mos të ndodhë - tha bukuroshja via Skype në anën tjetër të planetit- dhe libri juaj ta shohë dritën e botimit. Por deri atëhere, le shpresojmë më së pari që të ikë kjo flamë e këtij virusi të mallkuar...
- Eh- psheretiva unë - ty të lumtë goja. Fjala jote në vesh Perendisë. Ndoshta në atë libër është edhe vaksina kundër Koronës. Aty tek dashuria e të verbrës Carrie për gjuhën e Mëmës sime do ta gjeni...
Me kaq e mbylli intervistën gazetarja bukuroshe. Unë po pres që për herë të parë në jetën time, të transmentohet një intervistë e dhënë prej meje via Skype ...
Jashtë fryn një fllad pranvere dhe lulet e qershisë kanë harbuar në festë...
Një degë qershie më zgjat mikrofonin e saj dhe më pyet si gazetarja bukuroshe ne anën tjetër të planetit:
-Zotëri, a ke ti frikë nga vdekja?
- Jo - i them degës së qershisë...