Blog

Konstantja makabër - Nga Rushan Xhaferi

Rushan Xhaferi

Shumë pak «njerëz», për të përdorur një term nga pyetja e maturës gjuhë-letërsi e këtij viti mbi Turin, kanë dëgjuar për konstanten makabre, sidomos nga mësuesit. Konstantja makabër është një fenomen që vërehet gjatë notave të provimeve, ku përqindja e notave të këqija është konstante pavarësisht nga lënda e provimit, pavarësisht nga korrektori dhe pavarësisht nga cilësia e vërtetë e përgjigjeve të dhëna nga ata që marrin provimin. Me një fjalë, konstantja makabër detyron mësuesit padashur, nën presionin e shoqërisë, për të vendosur një përqindje të caktuar të notave të këqija. Kjo përqindje është konstantja makabër, sipas André Antibi.

Problemi qëndron se shkolla nuk shërben më për të ndihmuar nxënësit të mësojnë si dhe të bëhen qytetarë, por për të prodhuar hierarkinë që ekziston në shoqëri. Të ndrydhur në një sistem ku ka si qëllim mbijetesën e tij, mësuesit nuk dinë nga ta kthejnë kokën sepse në fund të vitin duhet të japin një notë. Por nga ana tjetër ata e dinë që nuk mund të kalojnë të gjithë nxënësit sepse sistemi ngec. Për këtë arsye, provimet bëhen me kurth pë të ngatërruar nxënësit me mënyra vlerësimi dhe ushtrime «me të futur». Kjo gjë nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Këto «moda» na vijnë nga Anglia, SHBA apo vënde të tjera. Pedagogjia në 2020 nuk është si 50 vjet më parë, ndërkohë që provimet vazhdojnë të jenë një qëllim dhe jo mënyrë për t’u përmirësuar. Kjo do të thotë që sistemi do një notë pa marrë parasysh se një nxënës di më shumë sesa jep në një provim për shumë arsye. Mësuesit janë të detyruar të japin mënyra vlerësimi ku bëhen pyetje për gjëra që nuk janë parë tamam-tamam në klasë por nxënësi duhet të jetë në gjëndje të nënkuptojë se çfarë është shpjeguar në klasë. Situatë dredharake.

Debati mbi Turin na heq vëmendjen mbi thelbim e reformave. Në emisionin Opinion të datës 15 Qershor ishin katër persona të ftuar. Midis tyre Gerti Janaqi, Drejtori ASCAP dhe Profesori Pëllumb Karameta, ekspert i arsimit. Të dy këta profesionistë të arsimit këmbëngulën se testi në gjuhë-letërsi i maturës ka tre nivele vështirësie: niveli bazë, i mesëm dhe i lartë. Kjo do të thotë që të gjithë aktorët e arsimit e dinë më parë se si do të dalin rezultatet e provimit. Asnjeri nuk mund të thotë se çfarë note do marri çdo nxënës, por pa filluar akoma provimi, specialistët presin të dali kurba e shpërndarjes së pikëve për tu siguruar që provimi është zhvilluar «normalisht». Kjo kurbë vërteton këto tre nivele. Dhe nëse ka pyetje që nuk janë zgjidhur nga pjesa dërmuese e nxënësve atëherë sistemi do gjej një zgjidhje disi zyrtare.

Një problem tjetër në këtë sistem qëndron pikërisht në atë që quhet zyrtare. Pranimi paraprak se nxënësit ndahen «natyrshëm» në 3 nivele përligj zyrtarisht sistemin, siguron prindërit dhe formaton nxënësit. Këtu qëndron edhe perversiteti i një sistemi shkollor që është i bazuar tek vlerësimi dhe jo në formimin e përgjithshëm. Na është mbushur mëndja si shoqëri që ka nxënës që mësojnë dhe që të tjerë janë krriça gomari dhe e kanë trurin bosh. Mashtrim madhor!

Në SHBA sociologët bënë nje eksperiment. I dhanë një mësueseje një klasë me 30 nxënës, të gjithë të 10-tës (dhe të 11-tës). Në fund të vitit, vlerësimi që bëri mësuesja prodhoi të njëjtën skemë: nxënës të tre niveleve.

Provimet me të futur nuk prodhojnë inteligjence por shërbejnë si një grackë. «Ka pyetje që duan të bëjnë dallimin midis mendjes analitike dhe krijuese» deklaroi Profesor Adhamudhi. Më pas ai shtoi se në 12 faqe test janë vetëm disa gabime. Në fillim tha se mund të jenë 3-4 gabime. Më vonë shtoi 5-6 gabime për të përfunduar në 10 gabime. «Kemi 60 pyetje dhe disa janë me gabime, nuk ka gjë. Janë gabime formale dhe jo përmbajtësore», u mundua të justifikonte testin e përkthyer keq nga anglishtja specialisti i arsimit. Domethenë, le të penalizojmë gabimet e nxënësve por jo ato të insitucionit.

Skandali nuk është provimi se në përgjithësi ishte relativisht i thjeshtë sipas shumë nxënësve. Skandali është se askush nuk shokohet nga deklarata skandaloze ku «nxënësit ndahen në mënyra natyrale në 3 nivele» sepse nxënësit nuk konsiderohen si qytetarët e ardhshëm, por kavje të një sistemi që do një notë për të justifikuar hierarkinë e atyre që dinë dhe janë specialistë dhe të tjerëve që janë injorantë dhe nuk kuptojnë qëllimet thelbësore të reformave. This is such a crock of shit, për të përdorur një citim të Al Pacino në filmin Arome gruaje.

Kur një sistem shkollor ka si qëllim notën dhe jo dijen e formimin ky lloj sistemi ka falimentuar. Ndoshta ky është edhe qëllimi.

Një raport i OSBE i vitit 1999 deklaron se perspektivat e fitimeve në tregun shkollor botëror për investuesit insitucionalë (domethënë bankat, shoqëritë e sigurimeve dhe fondet e pensioneve që kanë miliarda për të investuar në bursë) janë të shkallës 1 me 7. Kur investon 1 euro, fiton 7. Në tregun e konstruksionit të makinave raporti është vetëm 1 me 2. Privatizimi i sistemit shkollor është fusha e fundit që po shkatërrohet me qëllim për përfitim. Qëllimi është dhe ka qënë gjithmonë privatizimi prandaj dhe një personazh si Henri Çili, që nuk e dimë se ku ka përfunduar këto kohët e fundit, dilte nëpër emisione të njohura dhe lavdëronte sistemin privat si mundësia më e mirë për të rinjtë shqiptarë.

Mënyra për të shkatërruar një shërbim publik është shumë e thjeshtë. Noam Chomsky e ka treguar shumë vite më parë. Etapa e parë eshtë asfiksimi financiar i shkollave. Këto të fundit do të fillojnë të mos funksionojnë si duhet. Prindërit të shqetësuar, me të drejtë, do të ankohen dhe zgjidhja si me magji do të vijë nga persona të pangopur që tregojnë sistemin privat si shpëtim për edukimin e nxënësve sepse u «duan të mirën».  Kjo është teknika bazë për të bërë qytetarët të paguajnë për një shërbim që deri në atë moment ishte publik, falas.

Konstantja makabër ka bërë shumë dëme. Dhe kjo është edhe arsyeja që shumë njerëz kanë një marrëdhënie shumë të dhimbshme me shkollën. Shpresoj që nxënësit dhe studentët të dalin në rrugë jo sepse Turi u hoqi mëndjen por sepse reformat po thajnë trurin dhe degradojnë mendimin kritik.

©Rushan Xhaferi