Blog

Pse nuk u regjistrua diaspora? - Nga Petrit Kuçana

Petrit Kuçana - Londër

Krejtësisht në befasi është gjendur stafi i Ambasadës Shqiptare në Londër, kur në dyert e ambasadës është shfaqur një studente që kishte një kërkesë të thjeshtë: “Unë jam një studente këtu në Londër dhe kam ardhur të regjistrohem”. E befasuar me befasinë deri në huti të stafit të ambasadës, ajo ishte mundur që të “justifikonte” veprimin e saj, me praktikën që koleget e saj të universitetit nga vendet e ndryshme të botës, e ndjekin gjithandej. Por ambasadat shqiptare në botë nuk e kanë një praktikë të tillë.

Të kujtohet historia e kësaj studenteje, ndërsa Tirana vazhdon të “lëshojë” lajme për votën e diasporës, që mbeten kaq shumë të pashtjelluara, sa edhe sot e kësaj dite askush nuk mund ta thotë me siguri nëse do të votojë diaspora apo jo në zgjedhjet e ardhshme.

Ajo që ka rënë në sy, më së shumti, është “shërimi” i ministrit për Diasporën, Pandeli Majko, që nga dita kur KKD zhvilloi live një bisedë me kryeministrin.  Mbase nuk duhet qëmtuar edhe aq momenti kur u zgjodh koha për këtë bisedë, (në të njëjtën minutë që Parlamenti Evropian po diskutonte për Shqipërinë) sesa përmbajtja, ndërkohë që kryeministri shprehte çudinë se pse duhet të kishte dyshime, thua se nuk ishte i njëjti që vendosi mbylljen e kufirit, duke lënë shqiptarët e “jashtë-Shqipërisë” të shijonin acarin e netëve të ftohta, derisa ua paguan hotelet.  Ato pamjet nuk harrohen lehtë, jo vetëm nga mërgimtarët.

Gjithsesi, më tepër se personalizimi i premtimit (nuk ka parti politike që nuk e ka premtuar) duken në mospërputhje tonet “flakë për flakë” të ministrit Majko me një realitet që nuk mund të propagandohet.

Të paktën jo tek mërgimtarët, apo siç i pëlqen Majkos, shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Përveç ndonjë foto me Majkon nuk mund të gjendet një “bëmë” apo qoftë edhe një “lehtësi” të krijuar për ta, që kur partia e Majkos erdhi në pushtet, apo qoftë edhe kur Majko u bë ministër pa portofol, siç quhet ndryshe ministër Shteti. (Për sqarim pozicioni i Majkos është i njëjtë me atë të Spiropalit, të dy janë ministra Shteti).

Pikërisht tani në këtë kohë “u shpërfaq” edhe meraku që diaspora nuk qenka e regjistruar?!

Krejt naive do të ishte pyetja kush e pengoi Majkon apo qeverinë që të regjistronte diasporën?!

Kujtojmë këtu që teknikisht kjo gjë është “sosur” që më 18.2.2016.

(Ligj Nr.14/2016 Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë, miratuar në parlament me datën 18.2.2016)

Mbase do të dukej tendencioze pyetja se sa emigrantë shqiptarë ekzistojnë në data-bazën e Majkos.

A kemi dëgjuar qoftë edhe një fjali të vetme për këtë?

A mund të fillonte këtu puna e Ministrit Majko? E gjitha që ka mbetur në mbamendje, mund të jenë fotografitë në shtegtimet që ka bërë nëpër diasporë.

Në cilindo shtet normal ministri (me apo pa portofol) llogaridhënien e ka detyrë parësore, por “pasioni” që shfaq Majko për votën e diasporës, mjerisht duket më shumë si “justifikim” për vendin e punës.

Vazhdojmë t’i referohemi të dhënave të INSTAT për një shifër mbi 1.6 milionë të diasporës së “Shqipërisë zyrtare” që presupozohet janë të larguarit që nga vitet 1990, e kushedi sa do të dalë kjo shifër, nëse kihet parasysh ata shqiptarë  që kanë lindur jashtë por që kurrë nuk janë regjistruar.  Sigurisht që këtë Majko duhet ta dijë.

Thua do të ishte e tepërt që të presupozonim që Ministri i Shtetit për Diasporën të kishte një listë të shqiptarëve model, (kujtojmë pandeminë sa shumë mjekë dolën nëpër media anë e mbanë globit që mbase nuk kanë foto me Majkon), apo që askush nga Tirana zyrtare nuk ishte në dijeni për ta, ashtu siç janë me mijëra e mijëra në çdo fushë të jetës, që janë kthyer në ambasadorë të shkëlqyer të vlerave shqiptare?

As për këta nuk kemi një listë. Nuk besohet se ka pasuri më të madhe për një komb sesa këta e nuk do të kishte qenë aq keq që ministri të fillonte nga këta.

Trumbetimi i suksesit të reformës në drejtësi sikur shformësohet, nëse kihet parasysh se askush nga juristët e diasporës nuk u qas në këtë super-reformë.

Mbase Majkos nuk mund t’i kërkojmë pse-në, por ka një pajtueshmëri të madhe, që nuk do të kishte qenë aq keq, sikur këta juristë të bëheshin pjesë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Po si ka mundësi që nuk u mor asnjë… apo nuk u tentua që të merrej asnjë, as edhe një…

Ndërkohë që në Shqipëri vazhdonte debati për gjyqtarët e shkarkuar, Klentiana Mahmutaj u zgjodh nga UN (Kombet e Bashkuara) si eksperte e pavarur për të drejtat e njeriut. Ashtu siç krejt natyrshëm mund të pyesnim se pse Dr. Rudina Jasini, eksperte e të drejtës ndërkombëtare, të mos ishte pjesë e reformës në drejtësi?  Këto dy modele janë vetëm nga Britania, ndonëse numri i juristëve të këtushëm shqiptarë është mbi 50.

Toni i zërit të ministrit Majko mbase duhet të ishte më i fortë, që diaspora të ishte pjesë, qoftë edhe e kësaj sfide.

Thua do të ishte e tepërt që Ministrit Majko t’i kërkohej llogari për shërbimet nëpër ambasada me personelin e kufizuar dhe radhët e gjata, jo vetëm gjatë COVID-19 (pa përfshirë skandalet e herëpashershme).

Nuk kemi dëgjuar të flitet për këto, “gjëra” krejtësisht të papërfillshme për politikën ditore në Shqipëri.

Në fakt ka qenë një shqetësim i thekshëm për secilin emigrant, dhe vazhdon të mos gjejë zgjidhje e madje nuk ka “ton zëri” që e mbulon.

Aeroporti i Rinasit me çmimet më të larta në rajon dhe më gjerë.

E kemi dëgjuar Majkon të flasë?! Edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet i gjithëpranuar ky fakt dhe heshtet.

Po sikur Ministri për diasporën të niste punën e tij për thithjen e investimeve të diasporës?

A ka ndonjë listë të bizneseve shqiptare në botë? A ka ndonjë politikë shtetërore që u përkujdes për këtë kategori?

Cili model është ndjekur?

Mbase shumëkush mund të rikthehet tek shumë e shumë premtime që nga samitet e deri tek fushatat elektorale.  E gjithsesi duhet akoma të presim për të mësuar nëse do të votojë apo si do të votojë diaspora.

Mbase Majko do të kujtohet si ministri buzëqeshës, që nuk mund të zvetnojë kurrësesi llogaridhënien e zyrtarit që mban postin e Ministrit për Diasporën.

Burimi: thealbanian.co.uk