Blog

Shkenca, shpëtimi shqiptar - Nga Burim Bardhari

Vërtetë nuk fluturohet me presh por as aeroplani nuk u shpik brenda ditës dhe as brenda shekullit!

Shqiptarët mjerisht janë në ngujim brenda gardhit të gadishullit ilirik. “Mendësia e shtetrrethimit” nga fqinjët e keqdisponuar i pengon ata psikologjikisht që të hartojnë ardhmërinë e mbarë, qoftë si Islanda e vogël që ishte shteti më i varfër në Evropën e paraluftës, qoftë si Norvegjia që mbijeton denjësisht edhe jashtë kornizave kontinentale bashkë-evropjane.

Shqiptarëve u nevojiten ardhmëritarë ose futurologë që mund të hartojnë një kurs të ri të pavarësimit ekonomik relativ, jo vetëm pavarësisë politike që tregëtohet lehtë në duar të blerësve të huaj si pasojë e ekonomisë së dobët dhe si duket, tjetër rrugëdalje afatgjatë nuk ka, përveç përkushtimit pas shkencës dhe teknologjisë që të ngrihen mbi fqinjët, jo si motivim i psikologjisë reverse por si ndërmarrje e natyrshme e zgjimit dhe zgjuarsisë.

Derisa askush nuk pretendon se pronëson zgjidhjen magjike, çdokush duhet të ngrejë stuhi mendimesh nga të cilat më vonë mund të bëhen edhe provat dhe dështimet e para, por me synim të rritjes së pashmangshme të mëvonshme.

Derisa turizmi është një bekim i dukshëm, mjerisht prej kësaj veprimtarie nuk rrjedhin punësime me paga të forta për mbijetim ekonomik por krijohet një industri anësore e shpëtimit të pjesshëm.

Nëse Shqipëria jonë ka mundësi për “mbrehjen” e rrezeve të arta të diellit për 300 ditë në vit, siç pohohet, atëhere përse të mos ftojë kompani të jashtme në bashkëpronësi por edhe me transferim njohurish, siç bëri Kina e Korea Jugore, që të ngrihen fusha të paneleve diellorë (dihet se nëse qenësojnë të tilla mundësi dhe të mos flaken në shportën e arsyetimeve të dështuara). Me rëndësi është që të çahet akulli diku dhe disi se pastaj puna mëson përvojën dhe përvoja sjell pasurinë dhe lulëzimin ekonomik.

Le të kujtojmë se ngulitësit e parë hebraikë bënin edhe punë vullnetare për të ngritur shtetin e ri, e shndërruan shkretëtirën në shëmbëlltyrë të oazit ekonomiko-shkencor duke iu përveshur shkencës (evropjane) me përkushtim “padjersëkursimthi”. Sa për dallim nga fqinjët e tyre të famshëm për nga pasuria përtacore, shitësit vajguror më të mëdhenj në botë të cilët shënojnë bruto prodhim kombëtar rreth 800 miliard dollarë në vit, ndërsa vitin e kaluar shteti i paplotë (jo si ne, pothuajse me tre shtete) shënoi gjysmën e sasisë së lakmueshme, rreth 400 miliard dollarë dhe ju siguroj se nuk e arriti këtë sasi nga turizmi fetar, as nga portokallet e famshëm, por nga teknologjia shkencore.

Ky shtet i paplotë dërgoi edhe lundrën ose “vetecën” e parë miniaturë në hënë (kushtonte fare lirë, kapi shumën prej 200 milion dollarësh), por që fatkeqësisht u perplas para “tokësimit” ose “hënëzimit” në sipërfaqen e hënës. Ata fillimisht dërguan shtazë mikroskopike të njohura si ‘gictha kënete’ (ose arrith moçalor) sepse janë të qëndrueshëm kundër rrezatimit nga dielli sidomos në hapësirën hënore pa atmosfere dhe deshën të mësonin për hulumtime të mëvonshme me ekuipazh të plotë, sepse kanë vizion ardhmëritar, largpamësi futurologësh.

Shqipëria së paku mund të dërgojë një “kubiksat” (satelit kubikor) që kushton vetëm 7 milion dollarë dhe të fillojë hulumtimin hapësinor për më vonë, përndryshe vazhdon vjedhja e pavetëdijshme nga ardhmëria vetjake.

Vërtetë nuk fluturohet me presh por as aeroplani nuk u shpik brenda ditës ose brenda shekullit dhe mori mbi 2 mijë vite nga dëshira mitologjike e “Ikarusit” me krahë dylli që virtualisht është dëshmori i parë i shkencës së fluturimit.

Zgjim e zgjuarsi!