Personazhet moleriane të realitetit shqiptar- Nga Jeta Dedja

- Nga: Jeta Dedja
Jeta në Shqipëri sot është kthyer si në një teatër ku luhen çmendurisht të gjitha veprat e Molierit. Aty gjenden Tartufët, mjeshtrat e mashtrimit e të shtirjes, Harpagonët, kopracët zemërngushtë të zhytur në pasuri e që sërish janë të pangopur, borgjezët fisnikë, zengjinët e rinj që plasën të bëhen aristokratë oborresh apo ambasadorë nëpër botë, mizantropët, urrejtësit e qënies njerëzore, Don Zhuanët parazitë që bëjnë namin fshatrave e blloqeve aspak me hire veç me lekët e baballarëve, etj, etj,
Por ndryshe nga qëllimi i Molierit në skalitjen e karaktereve për të nxitur katarsisin komik tek spektatorët, personazhet e projektuara prej tij sot nuk na bëjnë më të qeshim. Kjo sepse sot skena e teatrit me skenën e jetës nuk po ka më dallim. Njerëzit janë kthyer në aktorë dhe aktorët luajnë jetën e vërtetë. Ky realiteti shqiptar është bërë kaq i hidhur saqë e qeshura e pastër po shfaqet rrallë e për mall. Njerëzit do duhej të vetërregulloheshin siç donte Molieri përmes humorit por përkundrazi ata po vetëshkatërrohen nga trishtimi. Edhe pse sot ka plot situata komike, në realitetin shqiptar perceptohet së pari dramatikja. E njëjta gjë vërehet edhe në jetën virtuale. Janë rralluar statuset e këndshme, janë shtuar ankesat, vërejtjet, mospëlqimet. Lajmet, kronikat janë tejet të zeza, dhe ato të dielltat vranësohen me komente negative.
Në fakt në gjithë këtë atmosferë nuk kanë faj as statusshkruesit e as komentuesit. Është klima mbizotëruese që i çon ata drejt negatives. Kjo klimë e krijuar nga mediokriteti, injoranca, babëzia dhe hipokrizia e aktorëve publikë të merr frymën dhe shpresën por dhe të lë si peshqesh cinizmin. Kjo nuk vërehet vetëm në temat e politikës së ditës. Ja, edhe në ato aktivitete të cilësuara si kulturore e artistike ka shpeshherë diçka si mediokriteti që i bën njerëzit sërish të ndihen trishtas keq në mes të hiçit. Edhe në ngjarjet e bujshme të jetës reale, kur pritet e kërkohet të ndërhyhet e të bëhet diçka, sërish ndodh një hiç, si para ashtu edhe pas 3 ditëve të famshme të jehonçudisë.
Dhe prandaj ka një ngopje e tejngopje me trishtim e mërzi, të paktën mes njerëzish që kanë besuar tek ruajtja e vlerave, saqë dhe njeriu më optimist sot brohoret zgjedhimin e foljes “me shku” (dhe këtu hyjnë edhe ata që me pseudopatriotizëm nuk e zgjedhojnë në vetën e parë).
As nuk ka nevojë të jesh njeri i lexuar sot të kuptosh e dallosh hiçin nga diçkaja. Shpenzime të shifrave të larta vetëm për dukjen, fasadat, imazhet, ngjyrat, për të kënaqur babëzinë janë hiç, ndërkohë që investimet për vlerat e dijen janë diçka, por që fatkeqësisht harpagonëve nuk u jep florinj.
Këto fenomene që ndodhin çdo ditë para syve tanë nuk kanë nevojë për shembuj, por megjithatë dua të përmend pak kategorinë e letrave meqë për mua është A-ja, dhe maja e kulturës së një vendi. Shkrimtarët e dinë mirë se sa rëndë është tregu i botimeve. Botohen libra paçavure të njerëzve që klikohen për skandale, apo që kanë paratë e ndonjë pozicion me leverdi diku, dhe nuk sponsorizohet letërsia e mirë apo veprat shkencore.
Duke e ditur këtë, personazhet moleriane të teatrit shtetëror (jo atij kombëtar) shqiptar bëjnë sehir dhe e përforcojnë gjendjen. Madje me qejf të madh shkojnë në takime e panaire librash për të bërë ndonjë foto me shkrimtarë “të famshëm” të vlerësuar me çmime nga shoqëria e Facebook-ut.
Sikur Molieri të ringjallej sot do të besonte se përreth po luhej ndonjë nga veprat e tij, ku kostumet do të ishin të vetmet ndryshime regjizoriale.
Tetor 2018
©JetaDedja/Flasshqip.ca