Blog

Sa bukur e flisni gjuhën shqipe - Nga Avdulla Kënaçi

Më në fund kuturisa të shkoj në vendlindje, në Shqipëri. Pandemia jo vetëm që kishte paksuar në maksimum fluturimet me avion, por gati dy vjet të izoluar kishin gërryer jetët tona duke krijuar një mjedis stresant. Jetonim nën presion. Kishim fituar sjellje dhe zakone të reja. Na dukej se i gjithë ajri ishte i mbushur me viruse, flisnim më shumë me vete sesa me të tjerët. Ishte hera e parë që fluturimi nga njëri kontinent në tjetrin më dukej aq i shkurtër. Mezi prisja të zbrisja në tokën amë, të takoja të afërtit, miqtë dhe shokët.

- Mbuloni hundën me maskë, zotëri, nëse nuk doni të gjobiteni, - m’u drejtua një inspektore gjermane në aeroportin e Frankfurtit ku prisnim tranzit fluturimin e radhës drejt Tiranës.

Ja dhe toka jonë ku dukej nga lart.

Tjetër atmosferë sundonte në Rinas, asnjë punonjës me maskë, asnjë kontroll për dokumentet e vaksinimit. Shqipëria kishte hapur dyert duke pritur turistë nga e gjithë bota dhe nuk donte t’ia dinte për COVID-19. Nuk ndjehej asnjë thërrime frikë. U bashkova edhe unë me turmën.

Pas dy-tre ditësh në Tiranë, tre miqtë e mi më të mirë, dy inxhinierë ndërtimi dhe im kushëri, më ftuan në një restorant peshku afër Institutit të Higjienës. Nuk kishte shumë njerëz, edhe pse ambient i mbyllur. Sigurisht asnjë me maskë. E si mund të hash peshk duke mbajtur maskë?!

Në raste të tilla, kur e kalon gotën e dytë të verës, nuk e kontrollon tonalitetin e zërit dhe as vë re kush është rrotull. Kështu ndodhi edhe me ne. U hap tema e politikës së ditës dhe si zakonisht zëri ngrihet një oktavë më lart. Emocionet të pengojnë të vendosësh ekuilibrin. Secili ka bindjen e vet dhe nuk ia përtojmë t’i themi tjetrit se ku gabon. Sigurisht brenda etikës, pa lëshuar asnjë fije nga bindjet e veta.

Një vajzë e re, me veshje sportive, rreth të tridhjetave u ngrit më këmbë, qëndroi anash tavolinës sonë dhe po na shihte drejt e në sy. Mendova se do të bënte një qortim për tonin pak të lartë të diskutimit, ose do të kërkonte ndonjë nder, kushedi çfarë halli kishte. Pak më tej, e mënjanuar, rrinte një vajzë tjetër, mikesha e saj shoqëruese. Edhe ajo priste në këmbë. Siç mora vesh më vonë, ato kishin drekuar në një tavolinë pas kurrizit tim.

- Desha t’u përgëzoj për shqipen e bukur që flisni, na falni, e ndoqëm bisedën tuaj, - tha ajo me një zë të ndrojtur. Hodha sytë nga shoqja e saj si për të vërtetuar nëse e kishte seriozisht atë përfundim. Ajo pohoi duke tundur kryet.

“Shqipja e bukur”, ky ishte problem i këtyre dy vajzave. U gëzova që paska njerëz nga brezi i ri që merakosen për gjuhën shqipe, për përdorimin drejt të saj. Dhe kjo vjen ngaqë shumë fjalë të huaja, sot më shumë se kurrë, e sulmojnë gjuhën shqip.

Këto vajza të reja kujdesen dhe e kanë merak që ajo të flitet drejt dhe të jetë e kulluar. Sa gjë e mirë që brezi i ri ka të tillë të rinj me bindje për pastërinë e gjuhës shqipe. Që të katërt u ndjemë krenarë. Ne ishim prej atyre që e flisnim drejt gjuhën shqipe, sipas tyre. Kur ato u larguan duke buzëqeshur, unë thashë:

- Mendoj se këto dy vajza jetojnë në emigracion, dinë gjuhë të huaja dhe e vlerësojnë gjuhën e nënës!

- Ashtu duhet të jetë, - pohuan tre miqtë e mi.

Tiranë, 30 gusht 2021

© Avdulla Kënaçi