Blog

Malli për vendin e lënë pas - Nga Dashnor Kokonozi

25 vjet më parë, kudo që të isha, në aeroporte a bulevarde të Evropës apo Amerikës, i dalloja shqiptarët një kilometër larg.  Besoj edhe ata mua. Kur nuk e kisha mendjen ishte të folurit me zë të lartë...

Shoh se ka ikur ajo kohë. Tiparet e bukura janë rikthyer në vendin e tyre, si të ishin tretur për t’i bërë njerëzit më pak të lakmueshëm, më pak të rrezikuar, një lloj mimetizmi si shprehje e instinktit të vetëmbrojtjes.

Sot nuk i njoh më “shqiptarët”, edhe kur jam ulur në të njëjtin rresht avioni. 

Ose nëse do t’i dallosh, shih ku janë më të bukurat dhe më të bukurit e dheut.

Dominique Dolomieu jepte këtu e shumë vite të shkuara një pritje në apartamentin e tij në Bulevardin Voltaire, në Paris. E kisha njohur e ndihmuar në Tiranë dhe më kishte ftuar edhe mua.

Kishte aty edhe aktorë dhe regjisorë të rinj e që aspironin të bënin një emër në jetë.

Mbaj mend që ishte e dhe Arben Bajraktari, ende student në atë kohë.

Ishte edhe një regjisor i ri francez me një vajzë të re e yll të bukur, qe edhe ndihmonte zonjën e shtëpisë edhe vinte e dëgjonte me shumë kureshtje.

Vërejta se sa herë që flisja unë e prekte me padurim me bërryl mikun e saj. Diskutonim për teatrin rus të para Revolucionit, një temë që me sa dukej si lindor që isha, e zotëroja diçka më mirë.

Në një çast u bëra edhe unë kureshtar dhe iu afrova regjisorit të ri francez për ta uruar për bukurinë e petite amie së tij dhe i thashë shumë sinqerisht në sy të saj: 

- Jam i kënaqur që së fundi munda të njoh nga afër një vajzë kaq të bukur franceze.

- Jom prej Kuksi! - thirri gjithë entuziazëm vajza dhe m’u hodh në qafë.

Me sa kuptova e shtyrë nga malli për vendin që kishte lënë pas.

Na u mbushën sytë me lot të dyve.

Nuk e harroj!

©Dashnor Kokonozi