Blog

Turp, por rehat - Nga Artan Gjyzel Hasani

Sikur gjithë këtë energji që ne shqiptarët kemi shpenzuar dhe shpenzojmë për ta tallur Të Keqen ta kishim shpenzuar për ta luftuar atë, mbase gjërat do të ishin më mirë në Mëmëdh(ëmbj)e (një fjalëformim brilant ky nga shkrimtari Shkëlqim Çela).

Ndoshta E Keqja do të ishte zvogëluar, në mos mundur.

Sepse Tallja është një armë me vlerë vetëm kur mëkëmbësit e Të Keqes akoma s’e kanë humbur atë cilësi që i dallon njerëzit nga kafshët, cilësinë e skuqjes së faqes nga Turpi. Gjë që nuk ndodh me mëkëmbësit dhe shërbëtorët shqiptarë të së Keqes.

Ata vazhdojnë të thellojnë zullumin e tyre më të pacipë e të paturp se kurrë.

“Turp, por rehat”, thoshte e ndjera gjyshja ime per të tillët.

Dhe ata janë vërtet rehat…dhe tallja e përditshme që ne u bëjmë u shërben si aperitiv para se të gëlltisin çfarë ka mbetur akoma në atë vend…

©Artan Gjyzel Hasani