Po të mos jemi syçelët, historia edhe mund të na përsëritet - Nga Klodi Stralla

Meqënëse jemi në javën e përkujtimit të “Krahinës vetqeverisëse” të Korçës gjatë okupimit francez (10 dhjetor 1916 -18 shkurt 1918), në Luftën e Parë Botërore dhe në kuadër të Samitit “BE-Ballkani Perëndimor”, mbajtur posaçërisht në Tiranë, dua të sinjalizoj që, nëse ne shqiptarët nuk tregohemi syçelët, historia edhe mund të na përsëritet.
Sipas meje, okupimi i kësaj krahine (Kazasë së Korçës) nga forcat ushtarake franceze nuk përligjet me ndonjë nevojë urgjente të karakterit gjeostrategjik, të diktuar nga nevojat e luftës. Nuk ka të dhëna që midis austriakëve, që vepronin në zonën e Pogradecit dhe francezëve që ishin në zonën e Korçës, të jenë zhvilluar luftime të përgjakshme për të kapur territore të njëri-tjetrit. Si të thuash, mes tyre, ishte vendosur një “detantë”, status-quo, mos më ngacmo, që mos të ngacmoj.
Por cili ishte qëllimi që francezët e okupuan ushtarakisht Korçën? Unë mbështes hipotezën sipas të cilës Korça do t'iu duhej atyre si “aset këmbimi” në tratativat me Greqinë, për ta tërhequr atë në anën e Antantës. Dihej që mbreti Kostandin ishte filogjerman, ndërsa Venizelos ishte pro Antantës. Kur në Greqi u përmbys mbreti dhe erdhi në pushtet Venoizelos, duke e rreshtuar vendin pro Antantës, ai, si shkëmbim, kërkoi nga francezët suprimimin e Administratës Vetqeverisëse (autonome) të Korçës, të sanksionuar me “Protokollin” e 10 dhjetorit 1916, gjë të cilën francezët e realizuan në 18 shkurt 1918, duke ia hedhur fajin shqiptarëve si bashkëpunëtorë me armikun (austriakët) dhe si “casus belli” (pretekst) u sakrifikua “tradhëtari” Themistokli Gërmenji. Koha do ta tregojë, kur të hapen dokumentat, (nëse do të hapen ndonjëherë), nëse kjo hipotezë është apo jo e vërtetë.
Druaj (qofsha i gabuar) se i njejti skenar është edhe me Kosovën. Aleatët ia shkëputën Serbisë administrimin e Kosovës (1999) për ta patur atë, nesër, si një aset në bisedimet e tyre me Serbinë, dhe t’ia rikthejnë atë asaj me kushtin që të hyjë në BE dhe veçanërisht në NATO, pra të rreshtohet në anën e tyre, duke braktisur Rusinë.
Nëse në Serbi do të dalë një “Venizelos” për ta përmbysur Vuçiç (mbretin Kostandin prorus), atëhere Kosova do të sakrifikohet si shtet i pavarur dhe sovran përmes adaptimit të “Ballkanit të Hapur” (krijimit të Jugosllavisë së tretë me Shqipërinë brenda).
Përkundrazi, nëse serbët do të rezistojnë dhe do të ngulmojnë në rrugën e tyre, mirë me të dyja palët, atëhere mund të kemi një skenar tjetër, ku trojet shqiptare të bashkohen nën një shtet të vetëm kombëtar. Deri tani jemi në rolin e “karemit” që Aleatët perëndimorë (peshkatarët), po përdorin për ta kapur me “grep” Serbinë (peshkun).
Edi Rama dhe E Majta “rilindase” do të qendrojnë në pushtet për aq kohë sa perëndimorët të binden që Serbia do të vendosë të marrë anën e tyre, në të kundërt do të ndodhë rotacioni edhe tek ne. E njëjta situatë, kur Shqipëria u bë “monedhë këmbimi”, mes Stalinit dhe Titos, ishte viti 1948, kur Titua nuk iu bind Stalinit të bëhej vasal vetëm i tij, por luajti me të dyja karriget, Perëndim-Lindje, sepse edhe perëndimorët, në ato vite të pasluftës, ishin të kënaqur edhe me kaq sa bëri Jugosllavia dhe s’mund t’i kërkonin më tepër.
Ne shqiptarët, këtej dhe andej kufirit shtetëror, duhet të vetdijësohemi për disa të vërteta tabu, jo vetëm për opinionin e brendshëm publik por edhe për mendimin tonë akademik. Kështu e shoh unë edhe takimin e BE-së me vendet e “Ballkanit Perëndimor”, të zgjedhur jo rastësisht në Tiranë.
©Kodi Stralla