Blog

Paralele që nuk janë dhe aq rastësore - Nga Sejdin Cekani

Sejdin Cekani

Në disa prej shënimeve modeste që kam publikuar herë pas here, kam theksuar se skena politike shqiptare është kthyer në një lloj magneti që përthith më së shumti individë poshtë nivelit mesatar të shoqërisë sonë, madje deri edhe njerëz qesharakë e teleshmanë. Pa qenë nevoja për të vrarë mendjen e për të sjellë shembuj, mjafton të shohësh vetëm përbërjen e Kuvendit të Shqipërisë në këto vitet e fundit.

Aty, një luzmë e tërë me labërqarë, nga ata që vetëm duan të zhvatin sa më shumë nga të tjerët e të rrojë në kurriz të tyre, ndonëse rreken ta heqin veten si dinjitarë në këtë shoqërinë tonë larushane, në të vërtetë sillen e veprojnë në mënyrë hipokrite, me vetëkënaqësi filistinësh e me doza të pamatshme kokëtrashësie.

Thjesht duke parë se Kuvendi ynë i 20 viteve të fundit iu ngjan haureve të Avgjisë në antikitet, njerëzit e dijes, të sipërmarrjes, intelektualët, artistët e të tjerë, gjithmonë e më shumë po i shpërfillin partitë politike apo dhe vetë politikën në përgjithësi, ngaqë në asnjë lloj rrethane nuk mund ta shohin veten në ato mjedise. 

Ndërkaq, kur vjen koha që partitë (kryetarët e tyre më saktë) hartojnë lista me emrat e mundshëm që mund të zënë karriget e kryebashkiakëve apo poltronët e radhës në Kuvend, përveç një përqindjeje të vogël individësh me njëfarë vizioni, përvoje dhe integriteti, pjesa më e madhe e atyre që propozohen apo vetofrohen si kandidatë të mundshëm janë, as më shumë e as më pak, por individë që kanë dështuar në profesionet apo në sipërmarrjet e tyre. Dhe jo vetëm kaq: ka mes tyre që, ashtu si sivëllezërit e tyre në legjislaturat pararendëse të viteve të fundit, janë me defekte të mëdha në formimin njerëzor, me nivel të cunguar dijesh, pa asnjë lloj haberi nga politika, por, mbi të gjitha, përfaqësojnë njerëzit tipikë dembelë, të cilët gjithë jetën e tyre janë zvarritur për të marrë një post si peshqesh, por pa ia dalë mbanë kurrë ndonjëherë, ndaj dhe tani duhet “me kap noj lek a noj tender” apo për “t’u bo i çik karshillik robve përreth”.

Ka një lloj paralelizmi interesant dhe njëfarë kronologjie për këtë kategori dembelësh e deledashësh që kuturisin, bubërrojnë dhe i qepen me thonj e me dhëmbë politikës.

Dikur, këta bjerraditës, më së shumti dembelë nga fshati e nga rrethinat, bënin njërën për t’u futur në Polici, sepse e quanin atë mjedis si një vend të përshtatshëm ku mund të përfitonin favore materiale, por, mbi të gjitha, mund t’iu mburreshin të tjerëve tashmë me koburen që mbanin në brez, çka e quanin si shenjë mujsharie mbi të tjerët.

Më vonë, po kjo kategori dembelësh e mendjengushtësh, por shumë më ziliqarë, gjetën një tjetër mundësi: me një mijë marifete, u dorëzuan nëpër redaksi të ndryshme e nëpër portale fillimisht si gazetarë të kronikës së zezë e pastaj si mercenarë e “vrasës me pagesë”, për të sulmuar e hedhur baltë mbi individë të ndryshëm që konkurronin ndershmërisht në ekonominë e tregut apo në sipërmarrje të tjera. Dhe, në shenjë mburrjeje ndaj të tjerëve, tundnin kartat e gazetarëve në emër të gjoja fjalës së lirë.

Ndërsa më pehlivanët e lakmitarët prej tyre, ndonëse të endur me të njëjtin fill, mbahen fort pas ndezullive që ua shkakton amoku i politikës, me shpresën se mund të ndodhë ndonjë mrekulli e të shpallen një ditë deputetë. Ashtu siç ndodhi vërtet në Kuvendin e Shqipërisë, kur jo pak nga raca e tyre, ndërsa vinin nga hiçi e mosgjëja, e panë veten teksa vërtet e kapërcyen ylberin. E ndërkaq, për t’iu thënë të tjerëve se tashmë janë shndërruar në ofiqarë, do të tundin mandatet e deputetëve apo të kryebashkiakëve.

©Sejdin Cekani