Blog

20 shkurti dhe mungesa e guximit për të pranuar të vërtetën - Nga Agim Baçi

20 shkurti i 33 viteve më parë, sidomos për ne që e kemi përjetuar si një nga ato ngjarje që do spërkaste errësirën e gjatë nën komunizëm me ngjyra shprese, me dëshirën për të besuar se e keqja tashmë s'mund të na merrte sërish përdore, është një datë që gjithnjë më rikthen fuqinë për të besuar se një popull mundet gjithnjë të zgjohet e të dëbojë të keqen. Por, nuk ishte aspak e lehtë. As sot nuk është... Pavarësisht shumë ngjarjeve që kishin ndodhur në disa vende ish-komuniste, sidomos në Rumani ku u vra publikisht Çaushesku, sërish në Shqipëri kishte shumë frikë. Kjo për faktin se ata, të cilët sistemi i kish formatuar në modelin vrastar - pra përfituesit e atij pushteti dhe ai që njihej si “Njeriu i Ri” - ishin gati ende të bënin krimet që u kërkoheshin në emër të mbrojtjes së sistemit duke mos dashur e besuar se ai po rrëzohej.

Janë të shumta dëshmitë që në kufi janë kryer vrasje makabre edhe pasi kishin ndodhur ngjarjet e hyrjes në ambasada më 2 korrik 1990 apo Lëvizja e Studentëve në Dhjetor ’90. Pra kanë ndodhur krime edhe kur ishte më se e qartë se nuk do kish kthim pas në atë sistem.

Edhe më pas, mungesa e dekomunistizimit, mangësia e muzeve të hapura për krimet në diktaturë apo mosndryshimi i teksteve të historisë, i lanë hapësirën nostalgjikëve të kohës së diktaturës të shprehnin adhurim për atë kohë. Një nostalgji djallëzore, pasi në mënyrë gati krimiale u kërkuan të harroheshin dëshmitë kur shqiptari që mendonte ndryshe vritej me dru, me hekur, me mbytje në ujin e kënetës, me uri, me pagjumësi, me punë jashtë fuqive njerëzore, me zhveshje lakuriq në netët e ftohta, ose i lidhur për shtylle. Gjyqet e munguara ndaj atij sistemi, ose më saktë, mungesa e një studimi për madhësinë e së keqes që kish mbjellë ai sistem, bënë që në shoqërinë shqiptare të rikthehej gjatë këtyre viteve tranzicioni ridiskutimi për “të mirat dhe të këqijat e komunizmit”, të cilat, në thelb, janë formë e talljes së hapur me shqiptarët, pasi janë vazhdimësi e kënetës të së keqes.

Nobelisti lituanezo-polak, Çesllav Milosz, që ka shkruar një nga rrëfimet më interesante për devijimin njerëzor nën udhëheqjen komuniste, ku kish kaluar edhe vetë disa vite në bashkëpunim me ta, e quante “mendja e robëruar” mendjen e prodhuar nga autocensura që pësojnë njerëzit nën një diktaturë. Një autocensurë që e ndjejmë edhe sot kur flitet pak për gjërat që duhet të thuhen me zë të lartë për të vërtetat e shoqërisë.

Dhe në fakt, të gjitha llojet e diktaturave, kanë armën më të fortë autocensurën, atë frikën e njeriut për t’u dalë përballë të vërtetave. Ajo që Milosz e ka thënë për shoqërinë polake dhe për shumë shoqëri të tjera që ishin nën diktaturat komuniste, natyrisht që për Shqipërinë vlen me disa marshe më të larta se në ish-vendet e tjera komuniste në Europë, për shkak se diktatura shqiptare rezulton të ketë qenë më mizorja.

E megjithatë, shumica e atyre shoqërive që kaluan sistem të ngjashëm me Shqipërinë arritën të pohojnë me zë të lartë humbjen e vetvetes gjatë diktaturave që kaluan duke zgjidhur kështu edhe mjaft nga enigmat e deformimit të njeriut. Ndërsa ne, si shoqëri, nuk bëmë asgjë më shumë se sa struci, që fsheh kokën para të së vërtetës. E tashmë, shkelmat e mungesës së guximit për të vërtetën, e mungesës së guximit për të pohuar atë regjim antihuman, vijojmë t’i ndjejmë në përditshmërinë tonë. E do t’i ndjejmë për aq kohë sa nuk do guxojmë të pranojmë të vërtetën e asaj që ndodhi me qytetarët e këtij vendi.

© Agim Baçi