Blog

Një ditë e mirë për Kosovën - Nga Enver Robelli

1.

Këshilli i Europës është organizata më e vjetër dhe më e madhe ndërshtetërore në Europë. I themeluar më 1949, vetëm katër vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Këshilli i Europës mbron të drejtat e njeriut, përkrah demokracinë dhe mbikëqyr sundimin e ligjit. Këto janë tri shtyllat kryesore të funksionimit të një shteti. Këshilli i Europës ka 46 anëtarë dhe me votimin e sotëm në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës është hapur një derë që Kosova të bëhet shteti i 47-të në këtë organizatë. Arritja qendrore e Këshillit të Europës është Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. Në të ardhmen, nëse Kosova pranohet në këtë organizatë, çdo qytetar dhe qytetare e Kosovës ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, nëse mendon se i janë shkelur të drejtat që i garanton Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. Përtej kësaj, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës është sinjal i rëndësishëm se rruga e konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është e pakthyeshme. Nervozizmi, sharjet vulgare e kërcënimet e politikanëve të Beogradit ditëve të fundit tregojnë qartë rëndësinë e hapjes së shtegut të Kosovës drejt Këshillit të Europës.

2.

Sot Kosova ka kaluar një barrierë të rëndësishme. Barriera të tjera duhet kaluar në javët në vijim. Dhe është herët për triumfalizëm. Tani me siguri ka shumë politikanë që këtë sukses duan ta përvetësojnë, por është e udhës të theksohet se suksesi i sotëm në Paris nuk do të ishte i mundur sidomos pa punën e mençur, të heshtur dhe në prapavijë të diplomateve dhe diplomatëve të Kosovës nga Brukseli në Stockholm, nga Berlini në Ankara, nga Lisbona në Pragë si dhe në shumë kryeqytete të tjera. Me punën e tyre vetëmohuese të gjithë këta diplomatë e diplomate kanë treguar përkushtimin e tyre drejt një qëllimi të rëndësishëm, pa e mërzitur opinionin me rrahagjokësi e krekosje.

© Enver Robelli