Pak fakte nga një realitet zgjedhor i Shqipërisë së “Maduros” - Nga Ilir Levonja

Në zgjedhjet e sotshme në Himarë mungojnë “rastësisht” 6 mijë votues. 23 mijë janë të gjithë dhe zgjedhjet e vitit të kaluar u fituan me një diferencë prej 19 votash. Arsyeja? U kanë skaduar kartat e identitetit. Në zgjedhjet e vitit 2023 u lejuan të votonin, u lëshua një shkresë nga qeveria dhe kaq. Sot nuk ndodhi. Megjithëse nga ana tjetër nga këta votues, ata që janë me bindje pro shtetit a pro qeverisë, mund ta rinovojnë kartën brenda orës. Ata që janë me nerva opozitare, i kanë sportelet e mbyllura. Dhe ajo çfarë është e vertetuar këta 6 mijë janë nga zonat me prirje djathtas.
Sivjet kjo masë zgjedhore duhet të hiqej qafe, kjo është direktiva. Pra më e shumta e tyre janë nga ata që votuan kandidatin që fitoi zgjedhjet në muajin maj 2023. Ai që u dënua publikisht për vjedhje zgjedhjesh, por që vjedhja nuk u vertetua kurrë. Ai që u dënua po publikisht edhe nga shoqëria shqiptare si armik i egër kundër kombit shqiptar, dënim social i mendësisë së hakmarrjes nga shkolla kolektive e kohës së Enverit.
Kur u pyet kryetari i komisionit zgjedhor, ai tha se ishte në dijeni të këtij ekuivoku, por kjo ishte përgjegjësi e qeverisë dhe e forcave politike. Teknikisht ai mund të përdorte po të njëjtën shkresë nga zgjedhjet e kaluara pasi edhe këto zgjedhje i përkasin po atij sesioni zgjedhor pavarësisht vitit kalendarik, por nuk e bëri. Dha një përgjigje bajate të gjoja një kryekomisioneri “të pavarur”. Kësisoj nuk ia vlen të hamendësosh nëse ia lejon apo jo dorëheqjen, kostumi i kryetarit të një komisioni edhe ky gjoja “i pavarur”. Duhet përmendur nga ana tjetër edhe fakti që shteti kandidoi një gjirokastrit për Himarën. Një gjirokastrit i cili bëhet “himarjot” brenda muajit, pavarësisht se Kushtetuta thotë tjetër gjë, edhe ky “grek”, pavarisht se shqiptarët u çorrën sytë njëri-tjetrit për punë grekërish.
Shkurt, vetëm të jesh idiot e të besosh se sa të lira janë zgjedhjet në Shqipëri, të jesh humbameno që kërkon karamele dhe të mendosh se në Shqipëri bëhen zgjedhje. Dhe e fundit, me Edi Ramën, as nuk ka dhe as nuk ka për të patur ndonjëherë zgjedhje.
© Ilir Levonja