Revolucionet e shezlongut - Nga Veton Surroi

Për Shqipërinë e lajmit të vrasjes së ditës dhe Kosovën e lajmit rutinor për Urën e Mitrovicës, për çmimin e shezlongut në Shqipëri që arriti të bëhet top-lajm i kësaj vere, barazpeshën mes pushtetit dhe forcave ekonomike e të dhunës dhe si mund të ndihmojë fjala “shtrirëse”.
1.
“Shezlongu” qe njëra prej fjalëve më të popullarizuara në gjuhën shqipe gjatë kësaj vere në Shqipëri, Kosovë dhe gjithandej rrjeteve sociale; qe një fenomen global i gjuhës shqipe. Nuk kam evidencë empirike, por më duket se “shezlongu” (me nën-variantin “shezloni”) do të ketë qenë koncept më i popullarizuar se, për shembull, në Shqipëri “sot u vra (plagos) me armë zjarri shtetasi...” apo “pse (s)mund të hapet Ura e Mitrovicës”... Mbase mund të ketë qenë paragjykim imi, por ka shkaktuar më shumë interesim fakti se “shezlonet” janë shtrenjtuar - posaçërisht në Jug dhe kjo do të ketë shkaktuar më pak njerëz në plazh - sesa vrasja (plagosja) e ditës në Tiranë, Elbasan a ndonjë vend tjetër të Shqipërisë apo kumtesa e kësaj ambasade dhe reagimi i këtij zyrtari lidhur me kohën e duhur për hapjen e urës së Mitrovicës; kohë e duhur si koncept kalendarik, analizë sigurie apo renditje e duhur e yjeve, ato të horoskopit e ato gjeopolitike.
2.
Nëse shezlongu është ngritur mbi lajmet për vrasjen e ditës në Shqipëri apo të elaborimit rreth Urës së Mitrovicës, mbase është pse është sendërtuar mbi të dyja. Lëkurës së regjur të qytetarit shqiptar kjo nuk i lë përshtypjen e ndonjë gjëje të jashtëzakonshme. Po ashtu, është rutinore të dëgjohet për urën e Mitrovicës si problem i përditshëm (pas lajmeve për luftën në Ukrainë e Gaza duket sikur pika më e rëndësishme në glob është ura e Mitrovicës) për aq sa të rinjtë kosovarë 25-vjeçarë, të lindur pas fundit të luftës tashmë dinë edhe si duket Ura, edhe pse është mbyllur, edhe pse duhet hapur e së shpejti edhe sa është tonazhi i kamionëve të cilët mund të kalojnë, sa metra mund të kalojnë para se të ndeshen me zonën pedonale e kështu me radhë, por nuk dinë pse nuk mund të rregullohet më mirë sistemi shëndetësor e arsimor, përse mbi tre çereku i nxënësve të shkollave të mesme nuk e kuptojnë tekstin që e lexojnë?
Vrasja e ditës në Shqipëri është rutina e një shoqërie ku monopolin e forcës nuk e ka në tërësi shteti; nëse ekziston ndonjë kontratë sociale, atëherë do të ishte që shteti të merret me punët e veta e grupet që kanë forcë ekonomike dhe kulturën e vrasjes të vazhdojnë me punët e veta.
Ura e Mitrovicës është rutinë e një shoqërie që jeton në konflikt të papërfunduar, e në paaftësi për ta përfunduar konfliktin është bërë tok me bashkësinë euro-atlantike. Një urë që me kohë e ka ngrirë e zbehur kuptimin e vet metaforik (të lidhjes) dhe funksional (kur të kalohet ura, rruga çon pas disa metrash në zonë pedonale) është ngritur si simbol i paaftësisë së një procesi të gjatë negociator, një sëmundje politike evropiane.
Kështu, atëherë del se meqë vrasja e ditës është rutinë sa edhe Ura e Mitrovicës (a diçka ngjashëm, si p.sh. targat e veturave), në top-listën e problemeve hyn shezloni. Apo shezlongu. Apo shezllongu.
Problemi i identifikuar ishte rritja e çmimeve të shezlonit si fakt real dhe si metaforë e revolucionit të cilin po përpiqet ta bëjë Shqipëria prej të qenit pak a shumë plazh i shqiptarëve, e në shumë vende kryesisht kosovarëve, në projeksionin e dëshiruar të “Maldiveve të Evropës”, as tre orë larg Londrës.
Këtu, më duket se problemi themelor nuk është më çmimi. Puna e çmimit diktohet prej tregut e tregu rregullohet apo çrregullohet në masë të madhe nga ndikimi apo mungesa e ndikimit të pushtetit. Çmimi i shezlonit do të jetë sa të dojë qiradhënësi e sa ta pranojë qiramarrësi brenda rregullave të tregut që i përcakton pushteti. E natyra e pushtetit u përshkrua më lart, te barazpesha mes shtetit (a Partisë) dhe grupeve me forcë ekonomike e instrumenteve të dhunës. Dhe çmimi i shezlongut (dhe çdo gjëje tjetër) është, kur të përjashtohen ndikimet e tregjeve globale, produkt i kësaj barazpeshe.
4.
Ky revolucion i shezlonit nuk është i fundit. Dikush më kishte thënë prej kohësh se fjala “shezlong” kishte ardhur nga firma prodhuese e Kinës me të njëjtin emër që i kishte sjellë në Shqipëri. Dhe, disi mund të tingëllojë kështu, kinezçe, por historia evolucionare (dhe revolucionare) e shezlonit duket të jetë ndryshe.
Etimologjia e fjalës ruse “shezllong” që arriti në plazhet e reduktuara të Shqipërisë bashkë me instruktorët sovjetikë e revolucionin komunist, rrjedh nga fjala frënge e shekullit XVI “chaise longue”, karrige e gjatë apo e zgjatur, aso që mundëson shtrirjen e këmbëve. Në shqiptimin e shumë popujve të tjerë mori formën e përafërt me atë që arriti në Shqipëri si шезлонг.
Dhe, do të thosha se kështu do të ketë mbetur zyrtarisht për një kohë të gjatë, si “shezllong”. Disa gjëra që i solli komunizmi i versionit sovjetik si “zbori” mbetën deri në fund të komunizmit.
Kur shkuan revolucioni komunist e me të dhe “zbori”, shezllongu përjetoi revolucionin e vet të dytë. Ajo që kishte qenë karrige e gjatë për të zgjedhurit e paktë të këtij vendi, u shndërrua në objekt që mund të ishte në shërbim të masave popullore. Dhe masat popullore në Shqipëri që nuk kanë ndonjë respekt të madh për tingullin “ll” që i përket shkronjës “l” të shkruar në gjuhët e huaja, shezllongun ruso-francez e afruan te shezlong, e pastaj te shezloni, i pranuar nga Konispoli në Vërmosh.
Tash është para sfidës së tretë revolucionare në këto treva: çfarë është barazpesha e re që do arritur mes të zgjedhurve të rinj dhe masave popullore, atyre që e shqiptarizuan rrugëtimin e gjatë të fjalës prej pallateve fisnike franceze te pushimoret e Krimesë të Byrosë politike sovjetike?
Në këtë sfidë duhet përfshirë edhe Sigmund Freudi, babai i psikanalizës. Shezlongu është mjet të cilin ai filloi së pari ta përdorë me pacientët, duke i relaksuar si parakusht fillestar për përpjekjen e hyrjes në nënvetëdije.
Në shekullin XXI të hysh në shezlong.com nuk është për të blerë krevatin për ta marrë në plazh, por për të caktuar takim, fizik a virtual, me psikanalistin.
5.
Bashkëshortja ime, Blerta, me sens të spikatur për pastërtinë gjuhësore, më dha një ide që mund ta ndihmojë revolucionin e ri të “chaise longue”. Pse të mos lihen pas të gjitha variantet e l-së dhe ll-së, të gjitha historitë etimologjike. Pse nuk mund të quhet “shtrirëse”?
Ndoshta revolucioni i duhur turistik mund të fillonte së pari, siç ishte çdo fillim, nga fjala.
© Veton Surroi - KOHA