Askush nuk e pyet popullin shqiptar - Nga Vangjush Saro
Është e dhimbshme, por njëherësh edhe për të qeshur, se si shkojnë punët në atë vend, jetë e mot; si në një “përrallë” ku personazhet më së koti kthejnë sytë nga ai që rrëfen. Dhe kërkojnë ndonjë shpjegim. Askush nuk e pyet atë popull çfarë i duhet, çfarë s’i duhet, ku të shkojë, ku të mos shkojë, si të gdhihet e si të ngryset… Vetëm i diktojnë (ç’të mundin) dhe ia hedhin. Kaq. “Ç’është ky popull që në gropë i shtrirë, kujton aq krenarisht se është në majë?!” (I. Kadare)
Dhe kjo “përrallë” është e hershme, shumë e hershme; por ne po mjaftohemi me disa pak “epoka” komike. Fill pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në të cilën populli shqiptar dha një kontribut të spikatur në krahun e shteteve që luftuan fashizmin, pushteti kaloi me dhunë në duart e komunistëve. Dhe ata thanë: “Do ndërtojmë një vend ku të gjithë do të hanë me lugë floriri”; (anipse pa zgjedhje të lira, pa demokraci). Pasojat, arritjet dhe sidomos mosarritjet e vuajtjet, tashmë dihen.
Në fillim të viteve ‘50, prapë pa e pyetur popullin, ata, klani komunist, thanë: “Do të ndjekim shokun Stalin, rrugën e tij, mësimet e tij.” Në këto mësime, ndër të tjera, ishin përndjekja dhe burgosja e “armiqve të klasës”. Askush nuk e vrau mendjen a e donte këtë gjë populli shqiptar. Pastaj, po ajo kastë injorantësh, thanë: “Do ta ndalojmë fenë.” Askush nuk pyeti nëse populli, qoftë edhe një pjesë e tij, do të ndjehej keq. Por as ai vetë nuk provokoi asgjë. Uli kokën dhe vetëm meditoi.
Ata (gjithnjë ata) thanë në vitin ‘60: “Do të ndahemi nga Blloku i Demokracive Lindore - kështu quhej së paku - sepse rrezikohet Marksizëm-Leninizmi.” Në fakt, rrezikoheshin posti dhe mbijetesa e udhëheqësit “të ndritur” dhe e klanit përqark tij. U ndërprenë marrëdhëniet me gjithë ato vende, u izolua shteti i vogël dhe i varfër, duke u zvogëluar e varfëruar edhe më tej; por askush nuk kishte ndërmend të pyeste a e donte këtë gjë populli shqiptar. (Mirë a keq, në atë farë “perandorie”, kishte ca më tepër liri e mundësi, sesa kur vendi të mbyllej, si përherë, pa i pyetur fare qytetarët e vet.)
Dhe farsa vazhdonte: “Do të zhdukim kundërshtarët politikë brenda llojit dhe do t’i pushkatojmë ata, kurse familjet e tyre do t’i persekutojmë dhe do t’i zhysim në mjerim.” Kjo, për shkak të “grupeve armiqësore” që dikush i shikonte në makthet e tij. Edhe në një rast të tillë, edhe në këtë episod të “përrallës”, si gjithnjë, populli nuk pyetet; përkundrazi, manipulohet që të bëhet pjesë e marrëzisë. (“Kur e bën veten krimb, nuk mund të ankohesh pastaj kur të tjerët shkelin mbi ty me këpucë.” E. Kant)
Farsa e “përralla” u treguan dhe u luajtën gjithë njësoj edhe në epokën tjetër, atë të Demokracisë (siç na pëlqen ta quajmë, edhe pse, si e tillë, dukshëm është hibrid). U afishuan ligje që nxirrnin nga puna ata që “i kishin shërbyer regjimit të vjetër”; pra lufta e klasave do të vazhdonte dhe, për këtë, prapë askush nuk e pyeti popullin e shkretë. Ata thanë: “Do të lejojme krijimin e firmave piramidale dhe do të vjedhim paratë tuaja.” Gjithnjë pa ia marrë dorën popullit… Dhe pastaj: “Do ta lejojmë hapjen e depove të armëve, s’kemi nga ia mbajmë.” Ca më pas: “Do të ndërtojmë kulla në Tiranë për të pastruar paratë e krimit; por sa për sy e faqe do të themi që… ja, qyteti po rritet, njerëzit duan strehim.” Oops! Kjo demagogji përqesh lagjet e ngucura në shëmti dhe qiellin e pafajshëm, ndërkohë që - sipas ekspertëve - 40% e ndërtimeve janë të zbrazëta, nuk banohen, madje një pjesë e tyre nuk hidhen as për shitje.
“Do të bëjmë një minishtet (islamik) brenda shtetit tonë të vogël.” Kjo është bëma më e fundit e udhëheqësve… që Shqipëria as vetë s’e di nga i gjen, nga i vijnë, si i mban… Fundja, asnjëherë nuk e kam kuptuar përse shqiptarët u japin kaq shumë liri krerëve, kurse pranojnë të cënohen liritë e tyre. Asnjëherë s’e kam kuptuar përse kjo dëshirë e madhe për t’u faktorizuar, për të rënë në sy, për të marrë përsipër më shumë nga sa mbajnë këllqet dhe shpatullat e rrëgjuara në kohëra. “Injoranca e krenaria shkojnë bashkë si shtati e hija.” (Gj. Fishta) Asnjëherë s’e kam kuptuar përse ai vend, kohë pas kohe, bëhet kurban i gjithfarë manipulacioneve, intrigave e formateve të dyshimta - të botës dhe të krerëve të tij egoistë - ndërkohë që populli, qytetarët, sërish dhe gjithnjë nuk kanë asnjëlloj aksesi apo protagonizmi në këtë “përrallë”.
Ajo që mund të formulohet tash për tash me sinqeritet, është: Mjaft diktuat për hir të pushtetit dhe të megallomanisë suaj! E shkalluat atë vend, institucionet e tij, mediat e tij, emrin dhe vlerat. E habitshme, por si ka mundësi që disa shtete të vegjël e modestë (për nga sipërfaqja dhe protagonizmi) janë gjithë në punë të vet, pa shitur mend, pa reflektuar komplekse: Danimarka, Sllovenia, Irlanda, etj. Ne… o duhet të biem në sy për ndonjë “çudi”, o vdesim; (sikur kemi zënë me gurë Perëndinë). Nuk mbahet pushteti me përralla, as me rengje e shashka. Ndoshta mbahet vetëm ca kohë. Por tingëllon kaq ironike!
Sidoqoftë, ajo që kuptoj (hë, më në fund) është se të gjitha vijnë nga prapambetja; dhe kështu, le të kujtojmë fjalët e një shqiptari të vuajtur e të ditur: “Hapni sytë e shikoni realitetin; se jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën.” (At Zef Pëllumbi)
© Vangjush Saro - Vancouver