Kolumnist

Legjenda e pensioneve - Nga Vangjush Saro

Ndonjëherë të duket sikur, dashur pa dashur, të gjithë tallen apo gërricen së koti me këtë temën e pensioneve dhe me vetë të moshuarit: Qeveritë, institucionet, sindikatat, shoqatat, mediat… Bëjnë sikur ua qajnë hallin pensionistëve, sillen rrotull problemit dhe më në fund, me shumë sforcim, lënë ndonjë “shteg” për të kuptuar a besuar se mund dhe do të përmirësohet gjithçka. Bërtitja, më shumë se kudo, pikërisht në këtë temë, është njëlloj grotesku. Kërkesat e të moshuarve janë kaq të prekshme dhe kaq larg bërtitjeve. (“Ëndrrat e mia ishin modeste dhe s’kërkonin shumë mund për t’u realizuar.” N. Mahfuz)

Por ne mendojmë se edhe po të flasim veresie… e zgjidhim ndonjë gjë. Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, gjithashtu po ndërmerr një tur takimesh me pensionistë (nëse mund ta quajmë kështu) duke u përpjekur të mbulojë defektet e qeverisjes së tij dhe “honin” e vetë problemit në fjalë. E keqja është se askush, as edhe ai, nuk ka vërtet një plan, apo një program se si mund të vijë në një pamje tjetër ky hall i madh, vërtet i madh; për shtetin dhe për vetë protagonistët. Për më keq, z. Rama, bën analogjira, përdor ironi, hedh edhe shashka; (ndjesë për përdorimin e kësaj fjale).

Dhe meqë jemi te kjo pjesë, po kujtoj se çfarë ndodhi, mes të tjerave, në takimin e tij me shqiptarët e Nju-Jorkut. Në atë tubim, kryeministri bëri një pranëvënie të habitshme, kur tha që të krahasosh SHBA-të me Kanadanë, është sikur të krahasosh Vlorën me Selenicën. Nuk ka vend për hatërmbetje; (për ç’ jetojnë në Kanada, se ata përgjithësisht e kanë në terezi punën.) Por ç’është e vërteta, kryeministri shqiptar njihet për megalomaninë dhe fluturimet e tij pindarike; (se mos vetëm ai). Nëse duan ta risjellim temën e pensioneve dhe të pensionistëve edhe në këtë shaka, unë po shtoj disa të dhëna të tjera për “Selenicën” (Kanadanë pra) dhe pensionistët e… Selenicës (Kanadasë).

Në “Selenicë”, të moshuarit marrin tre (herë) pensione apo tre lloj pensionesh. Po, ata marrin tre asish, sado që mund të duket e çuditshme: Pensioni i Sigurisë për të moshuarin është një nga këto tre burimet përbërëse të të ardhurave të një personi, që del në pension në Kanada. (Old Age Security - OAS) Dy burimet e tjera janë Plani i Pensionit Kanadez (Canada Pension Plan - CPP) dhe Plani i Pensionit nga Punësimi, përndryshe Kursimet Personale për Pension (Employment Pension Plans/Individual Retirement Savings) Nuk po përmendim këtu të ardhura të tjera për ata të moshuar që cilësohen me “të ardhura vjetore të ulëta nën një nivel të caktuar” dhe që ndryshojnë çdo vit, sipas rritjes së kostos së jetesës. Mandej, sa për t’u ftilluar pak, në atë vendin që u krahasua me atë qytezën e shkretë atje në Shqipëri, pensionistët nuk mendojnë thjesht për bukën e gojës. Qytetet kanë pishina dhe qendra të tjera çlodhjeje; dhe shumica e frekuentuesve janë të moshuar e të moshuara. Besoj, bëhet e qartë që jemi (ende) dy botë të ndryshme.

Tani edhe pak fjalë për të vërtetën lakuriqe të ngërçit, apo “legjendës” rreth pensioneve në Shqipëri. Së pari, termi shtet social është një yll i largët për ne; pjesa e velur nga pushteti s’do t’ia dijë fort për shtresat në nevojë. Së dyti, duhet të pranojmë se ka një rritje galopante të çmimeve, që nuk e zbut asnjëlloj kompensimi. Më tej, kemi një copëzim të ardhurash që shkojnë në disa të ashtuquajtura pensione të posaçme, speciale apo të profesioneve të vështira, sikundër të deputetëve, etj. Kjo është thjesht një pabarazi dhe padrejtësi që pasqyron jetën reale të vendit nën peshën e politikës dhe të klaneve. Në këtë nëntemë ka pasur dhe ka një egoizëm të shfrenuar. (“Problemet kryesore janë egoizmi, babëzia dhe apatia. Për t’i përballuar ato, na duhet një transformim shpirtëror dhe kulturor.” Xh. G. Speth) Parimi i mirëqenies është mbi gjithçka, nuk do t’ia dijë për kontributet “e veçanta” të ndokujt që na paskej qenë deputet apo sportist, artist, shkrimtar… për më tepër që listat në fjalë janë apo bëhen ashtu siç ua do mideja klaneve a zyrtarëve të lartë, janë, apo bëhen ashtu siç e shikojnë (vetëm) disa kontributin njerëzor dhe atë artistik a më gjerë.

Problemi shqiptar me Sigurimet Shoqërore dhe Pensionet mbetet i madh, i vështirë. Dhe e dimë të gjithë, janë punë që nuk mund të zgjidhen me Deus ex machina. Mendoj se është pjesë e gjithë problematikës që po përjeton vendi. Bëhet fjalë që të kuptojmë dhe liderët politikë të shpjegojnë se përmirësimet, në të gjitha fushat e jetës, mund të vijnë me një qeverisje më të mirë, vijnë duke kultivuar pak më shumë ndershmëri dhe përgjegjshmëri te zyrtarët (administrata përgjithësisht) në lidhje me nevojën për zhvillimin real dhe pa demagogjira e rëndesa politike. Them se e vlen ta përsërisim: është një hall jo vetëm i yni, por i përmasave më të gjera; le ta qajmë atë (hall) në mënyrë sa më të hijshme. (“Në një botë kaq të padrejtë, t’i japim edhe një herë kuptim lumturisë, popujve të helmuar nga mjerimi i shekullit.” A. Kamy)

© Vangjush Saro