Na duhen më shumë vepra të sinqerta dhe më pak zhurmë boshe - Nga Endrit Mullisi

Kam dëgjuar për ngjarjen që lidhet me këngëtaren e njohur përmes komenteve në rrjetet sociale. Për vite me radhë nuk kam ndjekur programe shqiptare, por kalimthi, duke lexuar mendimet e të tjerëve, më erdhi një reflektim që shpresoj të mos tingëllojë i papërshtatshëm.
Më shqetëson mënyra se si politikanët shqiptarë shfaqin një “kujdes” të përkohshëm për diasporën. Ky kujdes duket i pavërtetë, një lëvizje e stisur për përfitime personale. Ndërkohë, diaspora vazhdon të rritet, duke pasqyruar mungesën e shpresës në vendlindje.
Më shqetëson gjithashtu vëmendja e tepruar ndaj figurave të njohura, si artistët, dhe jo ndaj individëve të zakonshëm që mund të kenë po të njëjtat nevoja. Pse ndihma duket se varet nga statusi publik i personit? Kur qeveria apo biznese ofrojnë mbështetje për kurimin e artistëve të veçantë, pyes veten pse e njëjta ndihmë nuk i ofrohet njerëzve të tjerë që vuajnë në hije. Nëse ndihma jepet për njeriun si qenie njerëzore, atëherë çfarë pengese ka që shoqëria të kujdeset për ata që nuk kanë një emër të njohur?
Kjo situatë pasqyron edhe një problem më të thellë: spektakolarizimi i dhimbjes dhe nevojës. Është e njëjta logjikë si videot e njerëzve që ndihmojnë të varfrit, duke i filmuar veprimet e tyre për duartrokitje publike. Në një shoqëri me shumë probleme, këto veprime mund të duken “pozitive,” por problemi qëndron në qasjen e gabuar: zgjidhja sporadike e një rasti individual nuk trajton rrënjët e problemit.
Në këtë kontekst, më kujtohet thënia e Nënë Terezës: “Nëse nuk mund të ndihmosh gjithë njerëzimin, ndihmo një.” Por kur ajo ndihmonte, nuk kishte kamera, nuk kishte publicitet. Ajo ndihmonte sepse besonte në dinjitetin njerëzor, në vlerën e çdo njeriu, pavarësisht situatës në të cilën ndodhej. Ky lloj humanizmi është i thellë, sublim dhe jashtë çdo interesi për vlerësim të jashtëm.
Më në fund, nuk mund të mos pyes veten nëse ndjenja e fajit është e përhapur në mendjet e disa pjesëve të shoqërisë shqiptare. Ndoshta kjo ndjenjë lind kur ata shohin figura të vlerësuara në vendlindje që janë bërë të panjohur në mërgim. Por a është ky një faj kombëtar? A kemi arritur ne si shoqëri të përballemi dhe të dënojmë ata që kanë krijuar një klimë të mungesës së shpresës në Shqipëri?
Këto pyetje mbeten të hapura, por një gjë është e qartë: shoqëria shqiptare ka nevojë për më shumë vepra të sinqerta dhe më pak zhurmë boshe. Ndihma për të tjerët duhet të vijë nga dashuria e pastër për njeriun, jo nga nevoja për dukje. Duhet të punojmë për të krijuar një të ardhme ku ndihma nuk është sporadike, por pjesë normale e një shoqërie të drejtë.
© Endrit Mullisi - Toronto