Kolumnist

Asgjë nuk është ashtu siç duket!

Nga: JETA DEDJA

Më tregonte dikur një mike rreth një situate kur s’e kishte dashur veten për mendimet që e kishin pushtuar ndaj dikujt. Kish takuar dikë për punë dhe personi (i cili nuk ishte as në pozicion eprori ndaj saj) nuk ishte ngritur nga tavolina ku punonte. Kjo sigurisht që kishte menduar se sa i paedukatë që ishte, dhe më vonë kishte kuptuar që personi ishte në një karrocë me rrota. Për të njëjtin person kishte përjetuar brenda pak minutash dy ndjenja të kundërta. Në fillim e kishte përçmuar qëndrimin e tij, e pastaj e kishte justifikuar duke ndjerë simpati. Sa herë na ka ndodhur të ndihemi kështu pasi kemi gjykuar dikë nisur nga një element i sjelljes, pamjes së jashtme, qëndrimit, apo emocionit të çastit? Sa herë na ka ndodhur të gjykojmë edhe pa u bazuar në asnjë nga këta elementē, thjesht në disa zëra që gumëzhijnë koridoreve, mediave, lokaleve, shtëpive…?

Ne shpesh nxitojmë të gjykojmë tjetrin pa konsideruar faktet apo pa e vrarë mendjen fare se jo e gjithë gjëja është ajo që shohim ne. Gjithmonë ka diçka tjetër që ne nuk e shohim, njëlloj si ajsbergu.  

“Zemër, nuk është ashtu si duket”- është shprehja ime e preferuar e përdorur shpesh në filmat hollivudianë. Ka raste kur edhe në pamjen më të pastër të një skene të paraqitur, një detaj të bëjë diferencën. Kështu mund të jetë edhe jashtë skenave të një filmi, edhe në jetën e vërtetë. Një foto e montuar, një zë i ndryshuar, një histori e keqtreguar, një interpretim i gabuar, një tipar i pa vrojtuar, një detaj i fshehur enkas, një gënjeshtër e qarkulluar. Të gjitha këto çojnë në gjykime e vendime të nxituara e të gabuara.

Kur nga euforia apo nxitimi biem pré e një të vërtete të transformuar nga shqisat tona gabimisht, dikur do ndërgjegjësohemi për reagimet e shprehura në atë rast dhe do reflektojmë përmes ndjesës, apo shfajësimit. Ky është rasti më i lehtë dhe i korigjueshëm, tek i cili nuk do ndalem në vijimësi. Ka edhe rast tjetër, kur nga çrregullime të ndryshme psikike nuk arrihet të bëhet dallimi mes reales dhe imagjinares. Por mund të ndodhë edhe variant tjetër, kur me vetëdije disa njerëz do të këmbëngulin në një gënjeshtër që të tjerët (kryesisht persona tek të cilët besojnë) ua kanë servirur për të vërtetë. Në këtë rast ata do kërkojnë, për të mbrojtur egon e tyre apo interesa të caktuara, ta bëjnë atë të duket e vërtetë. Dhe një nga mënyrat për të bërë një skenar të duket mëse i vërtetë është përfshirja e sa më shumë personazheve në të, duke i bërë palë, ose aleatë apo pjesëtarë.

“Mënyra më e sigurt për t'i bërë njerëzit të besojnë një gënjeshtër është përsëritja e shpeshtë e saj. Vetëm në këtë mënyrë gënjeshtra nuk dallohet më nga e vërteta, pasi familiarizimi i tepërt me të, nuk të lejon ta bësh dallimin midis tyre.” thotë Daniel Kahneman, psikologu i njohur izraelito-amerikan që fitoi Nobel në shkenca ekonomike.

Ka njerëz që janë mjeshtër të gënjeshtrës e manipulimit, ka njerëz të tjerë që janë kampionë të paragjykimit. Këta janë të prirur të ecin me skema, me modele, shabllone. Nuk thellohen të arsyetojnë, por vrapojnë të bëhen palë. U pëlqen të marrin flamuj e t’i valëvisin sikur të kenë zbuluar një tokë të re, pa verifikuar, kontrolluar me sytë e tyre nëse bëhet fjalë për tokë, apo nëse është vërtetë e re. Ata hyjnë nën efektin e jehonës, të një thirrjeje që vjen kush e di prej nga. Mund të vijë nga një person i vetëm, mund të vijë nga një grup i organizuar, mund të vijë prej medias. Ata hyjnë si të hipnotizuar në vorbullën e përditshme të manipulimit prej këtyre aktorëve, ndonjëherë padashje e pa e kuptuar, ndonjëherë për solidaritet, e ndonjëherë nga kotësia apo zbrazëtia.  Dhe si të tillë rreshtohen në krahun e atyre që gënjejnë ditën me diell e natën me hënë. Të atyre që gjykojnë e përflasin këdo me të cilin sharra u ka ngecur në gozhdë. 

Por kur kuptojnë që prej kohësh janë bërë instrumentistë të një orkestre të dirigjuar nga gënjeshtra, dy janë ndjesitë e përjetuara. Ligsht ose shkëlqyeshëm.

Nëse është e para, këta mund të kërkojnë derën e daljes, t’u thonë jo forcave që i kanë mbajtur nën tutelën e manipulimit, që i kanë çuar drejt gjykimeve të nxituara apo vendimeve të padrejta. Nëse është e dyta, sigurisht që do të kenë pësuar metamorfozën nga çirak në mjeshtër dhe do ta kenë vështirë të ndjejnë në jetë kënaqësinë që vetëm e vërteta ta jep.

 Korrik 2018

Tagged under Jeta Dedja