Kolumnist

Hipokrizia dhe pompoziteti i Samitit të Diasporës

Nga: Endrit Mullisi

Disa sugjerime për diasporën dhe Samitin, por jo për mendjet e vogla

Do mblidhet Samiti i Diasporës në Tiranë në fund të muajit. Nuk di se çfarë trumpetohet në median shqiptare, por po ndjek me vëmendje çfarë njerëzit në diasporën kanadaze po shprehin kryesisht përmes platformës “FlasShqip”.

Ka një dëshirë për të shpresuar që diçka e mirë mund të dalë, por siç duket ka shumë skepticizëm. Dëgjoj për shpenzimet marramendëse që po bën shpejt e shpejt qeveria shqiptare. Më kujtojnë ato situatat në familjet tona në kohën e tollonave, ku për të pritur miqtë mirë, sakrifikohej masivisht ushqimi i fëmijëve gjatë muajit. Mendimi im është që qeveria shqiptare nuk është ende gati të dëgjojë këshilla të tilla praktike sepse ecën ende me mentalitetin "hyj borxh për të bërë dasëm të madhe". Dhe neve na bezdis ky lloj pompoziteti për të pritur të larguarit. Patjetër që minimalisht tregon provincialitetin në mentalitet dhe më e keqja është si molla që iu ofrua Borëbardhës për ta vendosur në gjumë.

Unë dua të shtroj një problem tjetër paraprakisht. Mendoj që përpara se të ftojë idetë e diasporës, qeveria duhet të kërkojë falje publikisht-edhe për qeveritë e mëparshme të pas ’91-shit për keqqeverisje me dashje. Ende nuk kam takuar një emigrant në Kanada që erdhi këtu për eksperiencë. Filluan të ikin në masë pas katrahurës së viti ’97-të dhe ende jemi në mes të një vale dëshpërimi të gjithë grupmoshave, por kryesisht të forcës punëtore që në rastin më të parë duan të largohen. Është një hipokrizi e niveleve jonjerëzore, ftesa për një samit me të larguar, pa i kërkuar falje më parë që ua bënë jetën të pashpresë për të ardhmen e tyre dhe të familjes. Pavarësisht se mund të jetë një kërkesë për falje në formë simbolike, ka një forcë të jashtëzakonshme kur bëhet sinqerisht. Pra qeveria është në kohë që në fjalimet që janë duke përgatitur të dinë se çfarë do t’i thonë diasporës, jo veç atyre që do jenë si delegatë.

Në këtë moment besoj që diaspora e intelektualëve shqiptarë me dëshirë për të ndihmuar në ndryshimin e mendësive në atdhe, të vijë sëbashku pa qeverinë shqiptare (dhe mund t'i bëjmë takimet edhe në palestër këtu) dhe të diskutojë dhe të propozojë publikisht atë që ligjvënësit dhe ekzekutivi në Shqipëri e Kosovë të mund të bëjë. Nëse ftesa dhe iniciativa vjen vetëm nga qeveritarët në Shqipëri, nuk mund të rrimë pa konsideruar motivin e vërtetë të mbledhjes së Diasporës. Nëse vërtetë duan të dinë se çfarë diaspora mendon, atëherë ne vetë mund të mblidhemi (jo për të formuar qeveri në mërgim) por për të ofruar në mënyrë plebishite sugjerime popullore. Qeveria shqiptare është sofistikuar kaq shumë saqë mund të manipulojë çdo individid. Protesta e studentëve në dhjetor duke mos dërguar përfaqësues dha një mesazh shumë të qartë, që për shkak të nivelit të lartë të korruptimit moralo-etik nuk mund t’i besohet asnjë lloj përfaqësuesi për të dialoguar me pushtetarët që e kanë provuar mosdëshirën e tyre për të ndryshuar situatat për më mirë.

Ndoshta është koha të konsiderojmë që ndryshimi pozitiv mund të vijë në forma të ndryshme. Ndoshta është koha që ata që janë të interesuar për të ndryshuar politikën në Shqipëri, të mund të tentojnë të organizohen si një lëvizje politike jashtë Shqipërisë, të kenë platforma të qarta dhe të marrin pjesë në Zgjedhje Politike kur vjen momenti. Ndoshta populli mund të tentojë t’i mirëbesojë votën “me provë” një grupi ndryshe që pavarësisht se mund të ketë pashaportën e një vendi tjetër ende i rreh zemra për Shqipërinë. Meqënëse shumica e shqiptarëve i mban sytë “jashtë”, qoftë nga Evropa apo Amerika, pse të mos konsiderojë që ndihma mund të vijë nga ata shqiptarë që kanë një mentalitet tjetër, nga ata që kanë parë se çfarë funksionon në vende me mentalitet perëndimor dhe jo anadollak, nga ata që kanë patur sukses edhe në vend të huaj ku nuk të pyet njeri se çfarë partie je apo kush është çuni i dajës. Sugjerimi im nuk është për mendje të vogla që dinë veç të kritikojnë të tjerët ndërsa vetë nuk bëjnë asgjë. Asgjë e mirë nuk ka ardhur nga mendjevegjlit dhe nga bashibozukët që për një copë zyre të lëpijnë dhe me gjuhë. 

Nuk di se çfarë do të pjellë “samiti” por di që fryti varet nga lloji i farës. Dhe lloji i farës nuk është as natyral dhe as i shëndetshëm. Dëshiroj të jem gabim dhe do të kërkoj falje për parashikimin e gabuar por nuk mund të rrija pa e treguar me ju reflektimin tim përgjatë këtyre muajve të fundit. Duke ditur që urimet nuk ndryshojnë punën konkrete që po bëhet, më mbetet në fund të uroj për një sukses pozitiv të këtij samiti për të gjithë shqiptarët.

Toronto, 6 Shkurt 2019