Kolumnist

A po rikthehet 'kultura' e spiunimit? - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

“Koha për një përshkallëzim të ri kundër korrupsionit! Po punojmë për një program nxitjeje kundër heshtjes dhe denoncimit me provë abuzuesit. Një ide në diskutim është: Çdo student denoncues që sjell provë për presion korruptiv nga kushdoqoftë, zeron tarifën e merr bursë njëvjeçare!”

Ky status i kryeministrit shqiptar në Twitter dhe Facebook më solli ndër mend filmin “Aromë gruaje” me Al Paçinon në rolin e një koloneli në pension, të cilit, gjatë një fundjave, meqënëse kishte humbur shikimin në luftë, e bija i punëson si shoqërues një student të quajtur Çarli. Studenti nuk rridhte nga një familje e pasur si bashkëmoshatarët e tij dhe padashur ai bashkë me Xhorxhin, një student me baba të pasur, ishin bërë dëshmitar të një rrengu që disa studentë të tjerë i kishin bërë dekanit të shkollës. Në mënyrë që të zbulonte autorët, dekani i ofron Çarlit një marrëveshje të tregojë autorët në këmbim të një rekomandimi me vlerë për në Harvard. Çarli në dallim nga shoku i tij i pasur, nuk i tregon autorët në këmbim të ofertës së dekanit, duke treguar kështu integritet dhe forcë karakteri.

Tani vijmë tek oferta e kryeministrit ndaj studentëve shqiptarë. Ai shpall idenë në rrjete sociale të ofrojë bursë njëvjeçare për çdo student që denoncon korrupsion a raste abuzive. Se për ku e ka fjalën nuk e përcakton fushën, por ne supozojmë arsimin. Se ka raste plot studentësh që punojnë për Partinë Socialiste në kohë fushate dhe kush e di ndoshta kryeministri ka patur ndonjë indicie apo ka qenë dëshmitar vetë i ndonjë ngjarjeje abuzive. Gjithsesi, Rama tani po kërkon mendime nga ndjekësit e tij. Si iu duket kjo ide?

Hë pra, a është e moralshme që kryeministri t’i ftojë studentët të përfshihen në atë që rëndom quhet spiunim në këmbim të një shpërblimi? Sepse qartazi, në momentin që kryetari i qeverisë ofron një çmim atëherë nuk kemi të bëjmë me një raportim të ardhur si pasojë e thirrjes së brendshme të qytetarit, por si një nevojë për të marrë trofeun.

Duke propozuar këtë mekanizëm, qeveria pranon se është e dështuar në mendim, se në veprim po se po. Në gjithë atë administratë kryeministri nuk ka arritur të gjejë një mendimtar të japë ide me vlera për arsimin. Ose mund të jetë kjo tjetra. Që ide pozitive ka dëgjuar, por varianti i spiunimit i ka pëlqyer më tepër, sepse denigrimi i njeriut është i vetmi sport, në të cilin Edi Rama lufton për fitore, ndërsa tifozët kërkon t’i peshkojë në rrjete sociale.

Nga ana tjetër, target grupi i idesë joshëse të kryeministrit janë studentët në vështirësi ekonomike, sepse studentëve parellinj nuk ua ndjen shumë një vit bursë. Pra oferta për spiunim nuk përfshin fëmijët e kolegëve apo shokëve të kryeministrit, por fëmijët e qytetarëve të thjeshtë, atyre që nuk kanë mundësi as të blejnë një biletë avioni për të dërguar fëmijët me studime në Austri, Angli, Francë a SHBA. Atyre që faktikisht janë viktimat e vërteta të sistemit. Dhe siç ndodh me gjithë viktimat, në vend që shteti të kujdeset për ta duke u marrë vetë ligjërisht me zbulimet e hetimet e rasteve korruptive, shpik mekanizma t’i shfrytëzojë duke i viktimizuar së dyti, së treti e së pafundmi.

Pra, t’u bësh një ofertë të tillë studentëve do të thotë të tentosh të korruptosh moralin e tyre, atë pasuri që kryeministri dhe të tjerët rreth tij e kanë humbur a shitur për të marrë shpërblime, pak a shumë sipas modelit që Rama hedh për debat.

Për më tepër, ideja e kryeministrit, nëse do të realizohet si program do të nxisë zhvillimin e sjelljeve që historikisht janë përbuzur nga shumica.  Do të thotë t’i bësh thirrje me ligj, kulturës së spiunimit që të vijë e të ulet sërish këmbëkryq në shoqërinë shqiptare. Pastaj, del edhe çështja e provës. Çfarë do të konsiderohet në hetim provë e siguruar nga një student. Po vetë studentit hallexhi kush ia garanton hetimin e ndershëm dhe marrjen e shpërblimit, apo njëlloj si shpërblimet e ish-të persekutuarve.

Prandaj, idetë që hedh kryeminsitri për debat duhet të jenë të paktën më të pjekura sesa këshilltarët e tij. Aferat korruptive në qarqet mësimore, nuk luftohen duke shfrytëzuar nevojtarët. Vetëm shtetarë të dështuar e konsumuar mund t’i interpretojnë këto lloj ofertash si stimuj të sjelljeve në dobi të interesit publik (studentëve dhe edukimit). Të gjthë e dinë se peshku qelbet nga koka. Si rrjedhojë edhe kryeministri duhet ta dijë fare mirë se si mund ta luftojë korrupsionin. Ta fillojë nga vetja e ta shtrijë më pas gjerë e gjatë betejën.

 

17 Shtator, 2019

©FlasShqip.ca