Kolumnist

Gjendet Këshilli Koordinues i Diasporës

Nga: Flasshqip.ca / Editorial

Pas editorialit të djeshëm të FlasShqip me titull “Shpallet në kërkim KKD dhe ministri Majko” ku kritikohej apatia e Këshillit Koordinues të Diasporës ndaj gjendjes së bashkëatdhetarëve tanë në kufirin greko-shqiptar dhe mungesa e ndonjë propozimi nga ana e tyre për zgjidhjen e situatës, sot vumë re përmes rrjeteve sociale që KKD ishte shëndoshë e mirë. Në Facebook qarkullonte një “komunikatë” e KKD të cilën e gjeni më poshtë dhe që ne e siguruam në rrugë jozyrtare.

Gjithsesi ne jemi të prirur t’i mirëkuptojmë anëtarët e këtij organizmi të ri, pasi ende nuk janë të organizuar dhe trajnuar sesi shpërndahet informacioni për mediat.

Po i japim një ndihmë të vogël. Së pari, si një organizëm i diasporës, KKD sugjerohet të listojë gjithë mediat e diasporës (veçanërisht) bashkë me kontaktet dhe sa herë të ketë informacion për median ta dërgojë atë në formë zyrtare, përmes e-maileve që ligji ua ka përcaktuar me domenin diaspora.gov.al. Kështu dhe media do jetë e sigurtë për burimin e informacionit dhe kjo do t’i shërbente edhe etikës së palëve.  

Së dyti, kur të përgatitin një deklaratë për mediat të konsultohen ose të hapin ndonjë manual dhe të mësojnë të paktën 5 W e ndërtimit të njoftimit. E dimë dhe e mirëkuptojmë mungesën e një zëdhënësi në këtë këshill, por meqënëse janë zgjedhur në bazë të aftësive dhe kompetencave ndoshta në brendësi të tyre, ose edhe në ministri kanë ndonjë anëtar me formim në letrat shqipe, apo me përvojë gazetarie.

Së treti, këshillohen anëtarë të caktuar të KKD të mos përdorin gjuhë të papërshtashme në rrjetet sociale duke ironizur e stigmatizuar median e diasporës dhe as të përdorin epitete që i shërbejnë ndasive sociale. Nuk është etike dhe as profesionale. Gjithashtu, sugjerojmë që të mos përdorin pandeminë as si shkak dhe as si pasojë, e aq më tepër si një mjet për të tërhequr gjuhë urrejtje duke provokuar opinionin se media kritikon KKD në kohë të papërshtatshme kur anëtarët e saj merren me shpëtimin e fatkeqësive. 

Së katërti, KKD të lexojë mirë ligjin mbi bazë të të cilit funksionon dhe të veprojë në përputhje me të. Vihet re një tejkalim i kompetencave në formulimet e deklaratave të tyre dhe një veshje e papërshtatshme e rolit të tyre. Sipas ligjit të diasporës, KKD nuk ka asnjë tagër ligjor të punojë në terren si punonjës agjensish funerale apo shpërndarës ndihmash. Anëtarët e KKD janë aty për të advokuar, për të folur në emër të interesave të diasporës dhe për të ndikuar në qeveri në përmbushjen e këtyre interesave. Si e bën këtë KKD? VKM Nr.320, datë. 15. 05. 2019 pika 2/a parashikon nëpërmjet propozimit të akteve administrative, pra anëtarët e mençur të diasporës mblidhen bashkë online ose in person dhe vendosin të propozojnë një akt. Sigurisht pasi kanë identifikuar problemet e diasporës ata i propozojnë ministrit përgjegjës veprime për zgjidhjen e tyre, sipas kompetencës që ua njeh ligji Nr. 16/2018. Pra, KKD nuk ka tagër t’i kërkojë qeverisë apo urdhërojë qeverinë shqiptare të marrë masa urgjente. Ligji thotë që KKD ka të drejtë të kërkojë informacion dhe propozojë akte administrative. KKD nuk merret me terrenin, KKD merret me propozime veprimesh. Është në dorë të qeverisë t’i dëgjojë ose jo propozimet e tyre. 

Kaq ka në dorë KKD. Nuk janë aty as të shiten si heronj të kudondodhur apo shenjtorë të sulmuar, as si Mesia të shpëtojnë botën nga mëkati e as si shkencëtarë të gjejnë formula magjike. Madje as si gjinkalla zhurmuese që dalin në media si reporterë apo bletë punëtore që punojnë fshehtas në koshere.

KKD në rastin më të mirë, është një grupim njerëzish me mend në kokë dhe guxim për të vepruar në interesin më të lartë të grupeve që ata përfaqësojnë, duke advokuar pranë qeverisë për zgjidhjen më të mirë të mundshme. Dhe me të drejtë editoriali i FlasShqip ngriti pyetjet se ku është KKD dhe a po i ushtrojnë ato dy kompetenca që kanë apo po bëjnë gjëra që nuk i takojnë me ligj? 

Prandaj kjo komunikatë e sotme e lëshuar nga KKD është e përgjithshme dhe lë vend për interpretim/spekulim si në rastin e ndihmës së ofruar, pa përcaktuar numrin e shqiptarëve që do ndihmohen në Kapshticë apo edhe më gjerë, në ç'mënyrë do ndihmohen si dhe burimin e ndihmës ekonomike. 

Ndërkohë, ne urojmë që ministri Majko të mobilizohet pas këtyre kritikave konstruktive dhe humanizmit e altruizmit të një prej anëtarëve të KKD (Lazim Destani) dhe angazhimit të të tjerëve, pavarësisht mospëlqimeve të disa anëtarëve ndaj gjuhës kritike, dhe të marrë përsipër përgjegjësitë aq sa i takojnë.

Në përfundim, ne ende jemi të dëshiruar të dimë se çfarë aktesh administrative i ka propozuar KKD ministrit të diasporës në interes të përmbushjes së kërkesave a nevojave të diasporës dhe çfarë problemesh ka identifikuar KKD në diasporën shqiptare kudo nëpër botë gjatë kësaj periudhe, po ia kursejmë panoramën e vitit. Në fund të fundit këto janë të vetmet punë për të cilat duhet të shqetësohet KKD, të tjerat i di qeveria më mirë. Ose të paktën kështu është thënia.

 

 

©FlasShqip.ca