Kolumnist

Harta, kufij dhe plan për Kosovën: çfarë mund të ndodhë në muajt në vijim? - Nga Enver Robelli

Një sintezë e informacioneve që burojnë nga qarqet diplomatike ndërkombëtare

1.

Sapo të imponohet një qeveri e re në Prishtinë, ka gjasa të fillojë “dialogu mes Kosovës dhe Serbisë”. SHBA-të do të thonë se është vendim i palëve (Kosovës dhe Serbisë) nëse duan prishjen e kufijve të Kosovës, domethënë që një pjesë e konsiderueshme e veriut të Kosovës të bëhet pjesë e Republikës së Serbisë.

Pra, Kosova pritet të mos i ketë kufijtë e 17 Shkurtit 2008. Kjo është kërkesa e Serbisë dhe sinjale në këtë drejtim kanë dhënë edhe politikanë të Kosovës të “krahut të luftës”. “Menjëherë do e mbështesja një zgjidhje të tillë” (një zyrtar i lartë i PDK-së në një bisedë konfidenciale me autorin e këtij teksti).

SHBA-të nuk duan të marrin përgjegjësi për prishjen e kufijve të një shteti në Ballkan. Përkundër raporteve të tensionuara me BE-në, megjithatë SHBA-të nuk duan t’u mbetet faji për ndonjë eskalim në Ballkan dhe – rrjedhimisht – destabilizim të Europës.

Andaj do të thonë: “Nuk është punë e jona kjo, por nëse palët duan...”. Këtë e ka thënë që në Gusht të vitit 2018 edhe John Boltoni, këshilltari i atëhershëm për siguri nacionale i presidentit Donald Trump. Bolton është larguar për shkak se deshi ta fusë Amerikën në luftë kundër Iranit, por ideja e tij për prishjen e kufijve të Kosovës nuk është fundosur. Vazhdon të jetë aktuale.

2.

Nga prapaskena diplomatët e SHBA-ve nuk do të pengojnë ndarjen apo prishjen e kufijve të Kosovës. Përkundrazi: do t’u ndihmojnë palëve (presidentit të Serbisë dhe kolegut të tij kosovar, të cilët kanë raport mirëbesimi nga takimet e shumta) që rruga për kalimin e “marrëveshjes” të jetë sa më e lehtë.

Pra, do të ketë përkrahje që formulimi i marrëveshjes të jetë “i pranueshëm për të dy palët”. Njëra ndër metodat e ndyra do të jetë etiketimi i kundërshtarëve të marrëveshjes si “antiamerikanë”.

Këtë punë do ta kryejnë kryesisht mediat e afërta me forcat politike që përkrahin marrëveshjen.

3.

Tashmë është bërë e qartë se kushdo që e kundërshton këtë “marrëveshje”, do ta ketë të vështirë të mbijetojë në qeveri në Kosovë.

Brenda pak muajve ky presion i paprecedent nga Washingtoni ka ndikuar të bien dy qeveri të Kosovës. Ky është fakt. Dhe sinjal i keq se sa janë të (pa)vlefshme zgjedhjet demokratike në Kosovë.

Kuptohet, formalisht qeverinë e kanë rrëzuar me mocion deputetët, por presioni duket se ka qenë tepër i madh nga Washingtoni (konkretisht ambasadori Richard Grenell). Këto janë fjalët e një zyrtari të LDK-së: “Jemi mbështetur për muri”.

4.

Derisa në të kaluarën ka pasur ish-komandantë të UÇK-së që janë rebeluar, tani të gjithë janë në një anije. Të gjithë janë të interesuar të shpëtojnë veten nga Gjykata Speciale. Ajo u rri mbi kokë si një re e zezë.

Të gjithë prej vitesh kanë krijuar pasuri marramendëse dhe interesi i tyre primar është të ruajnë këtë pasuri edhe në të ardhmen.

Andaj ata do të shtrijnë dorën edhe për një marrëveshje të keqe. Kundërshtimet që i kanë bërë ndaj kërkesave të SHBA-ve në të kaluarën kanë qenë edhe investim në rritjen e pazarit për interesa personale. Tashmë ka rënë edhe niveli i kritikave ndaj kryeministrit të Shqipërisë, i cili ishte quajtur shitës i territorit të Kosovës.

5.

Qeveria aktuale e Tiranës do të përkrahë çdo marrëveshje që arrin klasa sunduese në Prishtinë, e ka përkrahur edhe më herët. Sepse të tre sundimtarët (në Beograd, Prishtinë, Tiranë) kanë interes të qëndrojnë në pushtet dhe të ruajnë privilegjet që kanë krijuar. Po ra njëri, rrezikohet tjetri.

Andaj edhe alarmi ka qenë aq i madh në shumë pjesë të Ballkanit kur më 6 Tetor 2019 Kosova dha sinjal se do heq qafe sistemin e patronazhit, klientelizmit dhe korrupsionit. Me rrëzimin e qeverisë në Prishtinë, tani për tani rreziku i lëvizjeve tektonike politike në vende të tjera të Ballkanit ka kaluar.

6.

Për të shtuar presionin që “marrëveshja me Serbinë” të kalojë sa më shpejt, SHBA-të kanë ulur intensitetin e lobimit për njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera. Edhe kërcënimi se do të tërhiqen trupat ushtarake amerikane është përdorur si “instrument torture”. Dhe ekziston rreziku se do të përdoret edhe në të ardhmen.

Ka gjasa që tërheqja e trupave të ndodhë pas kalimit të marrëveshjes, ndonëse në këtë çështje nuk janë të një mendimi Pentagoni (kundër) dhe Shtëpia e Bardhë (për).

7.

Qeverisja e keqe sidomos nga shpallja e pavarësisë ka ndikuar që në botën perëndimore të bie dukshëm entuziazmi për të përkrahur Kosovën dhe shtetësinë e saj.

Nuk kontestohet shtetësia, por Kosova gjithnjë e më shumë shihet si territor i pavarur (jo si shtet), që nuk është e aftë të qeverisë veten, aq më pak të ushtrojë sovranitet në gjithë vendin.

8.

Çështja është se cili do të jetë roli i Bashkimit Europian në këtë proces. Zyra e presidentit të Kosovës ka bërë me dije se nuk do të bashkëpunojë me emisarin e ri të BE-së për Kosovën dhe Serbinë, sllovakun Mirosllav Lajçak, i cili ka një përvojë të gjatë pune në Ballkan (ambasador në Beograd, përfaqësues i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Sarajevë), rrjedhimisht Lajçak e di se ndryshimi i kufijve në Ballkan mund të ketë pasoja.

Andaj ai përkrahet me shumë zell nga Gjermania, por ka shtete të tjera europiane të cilat nuk janë aq të zëshme kundër ndryshimit të kufijve. Pa një rol të BE-së në proces marrëveshja vështirë se do të jetë e qëndrueshme.

9.

Iluzione nuk duhet të ketë askush. Gjërat kanë ecur larg edhe për shkak të indiferencës së shoqërisë kosovare. Kur më 2018 është paralajmëruar se mund të ketë edhe amnisti të krimeve serbe, nuk ka pasur aq rezistencë në opinionin publik të Kosovës.

Hedhja e kësaj ideje këto ditë është testim i opinionit. Gjithsesi, marrëveshje të mirë nuk sjellin politikanët e këqij dhe të shantazhueshëm.

10.

Nëse marrëveshja nuk kalon në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe nëse marrëveshja nuk parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, ajo do të jetë vetëm një provizorium, një “zgjidhje e përkohshme” dhe e pazbatueshme.

Megjithatë, ish-komandantët dhe një grup i politikanëve joparimorë në LDK do të përpiqen ta prezantojnë marrëveshjen si sukses (“kaq ishte e mundshme”) dhe të mbajnë pushtetin, me çdo kusht. Përpjekja e radhës për të betonuar pushtetin pa zgjedhje do të jetë në fillim të vitit të ardhshëm kur duhet të zgjidhet një president i ri.

Ky që është tani ka thënë se nuk dëshiron të jenë më kandidat. Por më parë ka thënë se do të jetë. Ai është konsekuent në jokonsistencën e tij.

Procesi mund të ngadalësohet nëse presidenti serb nuk tregon gatishmëri për biseda para se të mbahen zgjedhjet në Serbi. E kur mbahen zgjedhjet në Serbi, varet nga pandemia. Por presioni amerikan do të rritet për të fiksuar një diçka si marrëveshje para zgjedhjeve në SHBA në fillim të Nëntorit. Qoftë edhe në formë të një letre ku shprehet vullneti i mirë – shoqëruar me fotografinë e dy presidentëve nga Ballkani. Humbja në zgjedhje e presidentit të tanishëm amerikan mund të stopojë procesin.

Burimi: koha.net