Kolumnist

Bashkëdhunuesit e fëmijëve - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Kur një fëmijë abuzohet, të parët që e dinë këtë fakt janë autorët dhe vetë viktima. Kur abuzimi përshkallëzohet në një masë të tillë sa të jetë i identifikueshëm nga të tjerë, tashmë nuk ka vetëm një apo dy abuzues. Tashmë kemi autorët aktivë dhe pasivë të abuzimit. Kushdo që ka dijeni për abuzimin e një fëmije, fizikisht, emocionalisht, seksualisht dhe neglizhencën ndaj tij/saj ka detyrimin moral dhe ligjor të raportojë, përndryshe është veçse një bashkëpunëtor që përmes mosveprimit ka ndihmuar në krim.

Po ku raportohet?

Në Shqipëri, ka organizma shtetërorë që qëndrojnë mes Policisë, Prokurorisë, Bashkisë, Ministrisë së Çështjeve Sociale, Ministrisë së Arsimit, Avokatit të Popullit, të cilët janë aty për të pritur e përcjellë raste abuzimesh me fëmijët. Ka edhe organizma jofitimprurëse me bollëk për këtë punë. Të gjithë këta kur vjen moti i raportimeve të statistikave, si pjesë e mekanizmit kombëtar për mbrojtjen e fëmijëve, shpallin suksese të luftës së tyre me shkelësit e nivelit të fundit të moralit. Po ku janë të gjithë këta mbrojtës të flaktë të sigurisë dhe mirëqënies së fëmijëve kur para syve të shoqërisë abuzohen keqazi, mizorisht fëmijë? Ku janë të gjithë këta bashkëpunëtorë të vjedhjes së fëmijërisë së shumë fëmijëve shqiptarë?

Këta mund të justifikohen që s’kanë marrë raportime. Po çfarë mund t’i quajmë shkrimet fyese nëpër mure, etiketimet negative, stigmat ndaj një fëmije? A nuk janë këto raportime publike anonime mbi të cilat mund të çelet kryesisht një çështje?

A mos duhet të presin denoncime me prova, me dëshmitarë dhe autorë në tavë argjendi të servirur në media që të mobilizohen strukturat?

Kush duhet të raportojë? Viktimat ose të mbijetuarit e një abuzimi janë në një pozitë jo të favorshme për të ngritur zërin sapo ndodh gjëma. Profili i një fëmijë të abuzuar është i përbërë nga frikëra, padijeni, kërcënime, mosbesime, ndjenja faji e turpi, mbajtje sekreti, manipulime. Fëmijët e abuzuar nuk pritet të tregojnë në rastin më të parë.

Ata që kanë marrëdhënie të afërt me të janë të parët përgjegjës për të identifikuar abuzimin. Familja (nëse nuk janë vetë autorë aktivë), shoqëria, shkolla, komuniteti, komshinjtë, lagja, fisi. Ky rreth i madh që jeton dhe vepron në mikromjedisin e fëmijës së abuzuar ka detyrimin të pyesë, të interesohet, të tregojë, të flasë.

Pse heshtin këta?

Familja vazhdon funksionin e saj në padije, ose heshtje duke ndjerë frikë e turp. Ose ndoshta nuk ka vetëdijesim të mjaftueshëm të reagojë përshtatshmërisht ndaj së keqes. Niveli i gjykimit mund të mos jetë i zhvilluar aq sa të identifikojnë shkeljen e të drejtave, dhunimin e lirisë, faktin e abuzimit. Mund të mos kenë aftësitë e duhura të përballen me një çështje madhore që tejkalon kapacitetin e tyre intelektual e emocional. Mund të gjenden plot arsye pse nuk ka zë familja përballë abuzimit të fëmijës së tyre.

Dhe nëse këta familjarë heshtin, të tjerët pse s’flasin?

Në Shqipëri, me çfarë u kanë parë sytë qytetarëve nga drejtësia dhe policia, nuk kanë besim të mjaftueshëm për të raportuar. Indiferenca e kultivuar për shkak të mosveprimit të strukturave përgjegjëse bën që shumë fenomene abuzimi të kalohen në heshtje e të jetohet me prezencën e tyre si një normalitet jashtë pragut të gjithkujt.

Jo pak denoncime janë keqpërdorur nga policia, sidomos kur rastet kanë qenë tunduese për punonjës me defiçensa emocionale. Ata vetë janë bërë pjesë e rrjetit të abuzuesve. Sidomos kur viktimat do të ishin pjesëtarë të një “familjeje jo të mirë” siç do t’i kategorizonte drejtori injorant i policisë së shtetit. Të tjera denoncime janë injoruar, nënvlerësuar, tallur, përçmuar prej strukturave policore. E në këto kushte, a mendoni se ata që kanë dijeni për një abuzim do të shkelin në rajone për të kërkuar ndihmë? Jo, nuk besoj, edhe pse dua të mos ndodhë kështu. Është e vështirë të përballesh me dhunën dhe paragjykimin institucional. Qytetari ndihet i pafuqishëm, prandaj tërhiqet në indiferencë, duke hapur sytë mirë të ruajë familjen e vet, dhe të bëjë sehir abuzimet e fëmijëve të botës.

Qytetarë të tjerë të ndjeshëm mund të kenë raportuar në media abuzime seksuale të cilat janë trajtuar shpesh nga perspektiva e demaskimit të autorit, duke riviktimizuar pa dashje të dëmtuarin dhe jo me ndjeshmërinë e duhur nga perspektiva e të mbijetuarve të abuzimit.

Ç’bën dhe ç’duhet të bëjë media?

Nuk dua të mohoj rolin e madh të medias në ndihmesën ndaj rasteve, por vihet re një nevojë e madhe për trajnimin e gazetarëve dhe drejtuesve të programeve televizive sa i përket të drejtave të viktimave të krimit. Shpesh herë media, përmes publikimit të fakteve identifikuese bëhet shkak i zgjerimit të bullizmit, përhapjes së historisë me detaje të panevojshme por ushqyese për një masë injorantësh paragjykues, të cilët nuk ia përtojnë të thellojnë dhimbjen e të mbijetuarve të një abuzimi seksual. Mënyra se si raportohet një histori mund të keqdrejtojë në të menduarin se viktima ishte në një farë mënyre përgjegjëse për ngjarjen e ndodhur, gjë që mund të ndikojë në ndjenjën e empatisë së lexuesit ose të nxisë lumenj sharjesh ndaj viktimës.

Pra, shpesh herë perspektivat e viktimave nuk gjejnë mbulim të mirë, sepse më tepër mediat merren me autorët dhe veprimet e tyre perverse në detaje, dhe neglizhojnë respektimin e të drejtave të viktimave. Në fakt zëri i viktimave të krimit dhe të të mbijetuarve të abuzimeve duhet konsideruar fuqishëm në çdo çështje, (duke ruajtur me kujdes të dhënat identifikuese) në mënyrë që në një të ardhme të afërt të ndryshojnë edhe politikat sociale e madje të zbatohen realisht edhe ligjet në favor të viktimave, zërave të harruar të drejtësisë.

Prandaj media ka një rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin ndaj të drejtave të viktimave të krimeve. Por duhet profesionalizëm dhe empati nga gazetarët.

Pasqyrimi në media me profesionalizëm dhe ndjeshmëri, i ngjarjeve që strukturat shtetërore nuk i marrin seriozisht, ka dobitë e veta. Të mbijetuarit e abuzimeve mund të fuqizohen, dhe duke ndarë dhimbjen me publikun (sigurisht nën konsultimin e profesionistëve të shëndetit mendor) të shërbejnë si frymëzim për të tjerë të abuzuar, që të dalin nga fshehja. Kujdes! Në rastet e të miturve ka tjetër protokoll.

Po shteti?

Çdo bashki ka njësitë e mbrojtjes së fëmijëve, çdo shkollë ka psikolog e punonjës social, çdo prokurori rrethi ka zyrën e mbrojtjes së viktimave, çdo polici ka seksionin e të miturve. A bëjnë ndonjë punë vërtet të gjithë këta? Ligji ua përshkruan qartë rolet dhe funksionet. Një abuzim fëmije trajtohet me prioritet dhe denoncohet sapo merr dijeni ose ke dyshim të arsyeshëm. Në një vend tjetër, strukturat e mbrojtjes së fëmijëve menjëherë do kishin zhvendosur fëmijën në një mjedis tjetër edukimi dhe do t’i ofronin gjithë shërbimet e nevojshme për të paktën 6 muaj-deri një vit. Familja do merrte këshillim dhe trajnim të posaçëm dhe do të përgatitej ribashkimi me fëmijën pas një kohe të caktuar, e pas një vlerësimi strikt psiko-social. Autorët sigurisht që do të kishin shkuar para drejtësisë.

Kështu do duhej të vepronin edhe strukturat në Shqipëri. Por çfarë presin këta, t’u shkelë abuzimi në derë të shtëpisë? T’u vijë pedofili a trafikanti i qënieve njerëzore të vetëdorëzohet?

Turp nuk kanë që të festojnë sot 1 Qershorin kur të paktën një fëmijë diku është duke qarë e jetuar nën traumë për shkak të mosveprimit të këtyre? Sigurisht që nuk kanë as turp, as farë gjëje. Përsa kohë që nuk u është tronditur mirëqënia brenda mureve të tyre.