Kolumnist

Hapat e duhur të unifikimit të shqiptarëve - Nga Ilir Levonja

Zakonisht konferencat për shtyp midis kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës, kanë qenë një retorike boshe me tendenca patriotike. Pala e shqiptarëve të Kosovës vinin gjithmonë me mallin e dheut amë dhe i shikonin shtetarët e tij me një konsideratë po patriotike. Pala e dheut amë me një lloj vetëmbushje sikur kishin arritur gjithçka megjithëse rekordet i kanë totalisht negative.

Kësisoj nënshkruanin bosh ca marrëveshje, madje me kabinete qeveritare duke i mëshuar propagandës pa e kuptuar asnjëherë se plaga kombëtare nuk mbushet me llafe, pompozitetin e ngjyrës së kuqe dhe me portrete baballarësh që ua kanë bërë në kokë me kohë.

Ndofta ishte i vetmi rast ky i kryeministrit Hoti, i cili foli për herë të parë jashtë kësaj logjike për tri projekte tepër domethënëse: 1) doganë për shtetin e Kosovës në Durrës; 2) një hidrocentral që të ndihmojë shqiptarët atje me energji elektrike; 3) për një linjë hekurudhore mes Tiranës dhe Prishtinës.

Megjithëse është kryeministri i një qeverie më të ulët në përqindje, nga votat e shqiptarëve të Kosovës, për më tepër i vëzhguar nga një hije me bastun etj., më fatlodhuri nga pandemia, ai doli nga kjo faqe propagande protokollare që kanë bërë deri më sot shtetarët. Diçka i ndrojtur ai vuri theksin në tri pika të forta që pa asnjë diskutim janë hapat e duhur të unifikimit të shqiptarëve.

Ai i përmendi me droje pasi kreu i shtetit amë ishte më shumë i frustuar në një akuzë prokurori a në Gjykatën Speciale karshi Presidentit Hashim Thaçi. Një lloj bjerrje pështymash si me Makronin dhe Francën në kohën kur ajo vuri veton për mosçeljen e negociatave me Shqipërinë.

Sado të përpiqet Rama të luajë me ndjenjën kombëtare duke i bërë presion Gjykatës Speciale, ai nuk ka për të fituar asgjë politikisht. Përpos kësaj as shqiptarët tashmë robër të dy shteteve të cilët jo që nuk po unifikohen por as shenjat a piketat nuk kanë vendosur. Dhe kjo jo për faj të tyre, por të lidershipit pjellë e propagandës që veç karrikes së vet nuk ka asnjë hall tjetër. Çirret apo nuk çirret Rama, shkon apo nuk shkon në Prishtinë, Thaçi do paraqitet në Gjykatë. Madje do bënte mirë që të jepte dorëheqjen, siç kanë bërë edhe funksionarë të tjerë të shtetit të Kosovës.

Por jemi tek kryeministri në detyrë Hoti dhe tre projektet e tij që ia kërkon qeverisë së shqiptarëve në dheun amë. A duhet Shqipëria t'i japë një zonë të lirë doganore? Përgjigja është pse nuk ia ka dhënë? A duhet të ndërtohet një hidrocentral për shqiptarët e Kosovës? Përgjigja është pse nuk është ndërtuar? A duhej sot një tren ekspres të lidhte Tiranën me Prishtinën? Përgjigja është pse nuk është ndërtuar? Dhe ajo që është më naivja, në gjithë këto ditë më shumë janë marrë me nervin karshi institucioneve të Europës se sa me 3 kërkesat e drojtura të Avdullah Hotit. Madje edhe sot e kësaj dite palët janë më shumë në një retorike të ashpër se sa në projektet konkrete të Avdullah Hotit. Ai që thotë se edhe fondet i ka dhe se në vjeshtë mund të filloj puna.

Por jo, si gjithmonë fiton naltgjatësia me veshjet demode, me llogjet. Imagjinojeni një tren ekspres Tiranë - Prishtinë? Kuptojeni se projektet e Europës për lëvizjen e lirë të shqiptarëve a për çeljen e negociatave, lufta e ashpër karshi tavarishëve stanjacionistë, janë monedha fallco. Jeta jonë reale aty fillon, tek ato sirena lokomotive, për në Tiranë, për në Prishtinë, Durrës etj. Se vendi nuk unifikohet me fjalë, por me projekte konkrete, me ekonomi dhe lëvizje të lirë brenda për brenda vedit.

©Ilir Levonja