Kolumnist

Kush e fitoi debatin e zëvendësve? - Nga Arben Kallamata

Arben Kallamata - Toronto

Po të pyesësh tifozllëkun politik, përkrahësit e krahut republikan do të thonë se e fitoi Mike Pence, ndërsa pro-demokratët do të jenë të bindur se e fitoi Kamala Harris. Duke lënë mënjanë mendimin tim (gjithashtu subjektiv) do të thoja se debatet televizive nuk mund të arrijnë kurrë t’i ndërrojnë mendjen atyre që e kanë atë të mbledhur pa u bërë ende pyetja e parë. Tifozllëku mbetet tifozllëk dhe nuk besoj se ka ndonjë rast kur dikush të ketë hequr dorë nga ekipi i zemrës vetëm se u mund keq në një ndeshje apo sepse është skualifikuar.

Megjithatë, ka një mendim që do të dua ta jap dhe që shpresoj të mos jetë ndikuar nga dhe të mos merret si shenjë tifozllëku. Debati u zhvillua pak a shumë normalisht. Toni ishte i qytetëruar dhe të dy debatuesit ndoqën në masë të pranueshme rregullat e debatit; respektuan të drejtën e njëri-tjetrit për të folur; pranuan pak a shumë kushtet e kufizimeve kohore; dhe nuk fyen drejtpërdrejt kundërshtarin. Ishte një bashkëbisedim që për këdo që i ka ndjekur pak a shumë debatet parazgjedhore në Shtetet e Bashkuara (unë i kam ndjekur thuajse të gjithë që në vitin 1992 e këtej) të kujtonte atë traditë të vendosur me përballjen midis Kenedit dhe Niksonit në vitin 1960, ku dy kundërshtarë politikë, që edhe mund të mos e durojnë dot njëri-tjetrin, dalin përpara publikut dhe në mënyrë të qytetëruar përpiqen jo vetëm të parashtrojnë mendimet e tyre, jo vetëm të bindin sa më shumë votues, por edhe të shpalosin pak klas shoqëror dhe intelektual. Në fund të fundit, krerët dhe nënkrerët e shtetit që pretendon të jetë më demokratiku në botë pritet të jenë jo vetëm politikanë të regjur dhe të vendosur në parimet e tyre, por edhe shembuj të sjelljes së kulturuar dhe tolerante.

Kultura e debatit - domethënë e parashtrimit të anëve të ndryshme, të ideve kundërshtuese, të argumentave të ndërsjellta për tema të caktuara - nuk është ekskluzivitet i përplasjeve për zgjedhje presidenciale. Ajo është pjesë e programit mësimor në shkolla. Institucionet e ndryshme arsimore dhe akademike kanë ekipet e tyre të debatit me të cilat konkurojnë në shkallë zonash, madje edhe në shkallë kombëtare. Më vonë, debatet bëhen pjesë e procesit zgjedhor në të gjitha hallkat, që nga ato të pushtetit vendor, e deri më lart. Debatet zhvillohen në fushat akademike, politike, shoqërore. Ato kanë rregullat e tyre të zhvillimit që janë të përcaktuara qartë, si edhe rregullat e pashkruara, rregullat etike, të cilat zakonisht nuk shkelen. Shkelja e rregullave të debatit, qofshin ato të shkruara, qofshin ato etike, konsiderohet dobësi nga ana e debatuesve dhe ul pikë.

Me një fjalë, përplasja në rang zgjedhjesh presidenciale është vetëm një pjesë e vogël, ndonëse e rëndësishme e kulturës së debatit në një vend të zhvilluar demokratik, është pjesë e një tradite të vendosur prej vitesh, ndoshta shekujsh.

Prandaj edhe debati presidencial i 29 Shtatorit i la gojëhapur të gjithë ata që patën rastin ta ndiqnin. Pavarësisht se kush doli i fituar nga ajo çfaqje televizive, njerëzit në përgjithësi mbetën me një shije tepër të hidhur. U duk qartë që diçka kishte krisur seriozisht dhe nuk ishte në rregull.

Në këtë vështrim, debati nën-presidencial ishte një kthim në normalitet. Njerëzit sikur morën frymë lirisht, të paktën për këtë fakt. Për shumë shikues shkëmbimi Pence-Harris ishte si zgjim nga një ëndërr e keqe.

Amerika, dhe bashkë me të gjithë bota, ka nevojë t’i kthehet normalitetit, ka nevojë të shkëputet nga veprimet e papërgjegjshme, nga sjelljet eratike dhe të pakontrolluara. Të paktë janë ata që kanë qef të shohin një 29 Shtator tjetër. Pakkush dëshiron të shohë politikanë të irrituar, të nevrikosur, që bërtasin e ndërpresin njëri-tjetrin, të paaftë të përmbajnë emocionet dhe pa fjalorin e nevojshëm për të parashtruar një argument për të qënë.

Debati Pence-Harris, pavarësisht se kush doli fitues, vërtetoi se ëndrra e keqe duhet të mbetet ëndërr dhe se politika amerikane duhet t’i rikthehet realitetit. Le të shpresojmë që debatin e djeshëm ta kenë fituar të gjithë dhe që votuesit amerikanë do të dijnë si të shmangin 29 Shtatorë të tjerë.

©Arben Kallamata